3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Zvicra dënon sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri, bën thirrje të kthehet qetësia

Më të lexuarat

Zvicra ka reaguar pas sulmeve të protestuesve serbë në Zveçan ndaj ushtarëve të NATO-s, ku ditën e hënë serbët lënduan 30 ushtarë.

Në reagimin e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës thuhet se dënojnë sulmet e dhunshme në Zveçan, njëherësh bëjnë thirrje për kthimin e qetësisë në komunat veriore të Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Zvicra dënon fuqishëm sulmet e dhunshme në Zveçan kundër NATO, KFOR. Trupat janë atje për të ruajtur paqen dhe një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm. Bëjmë thirrje për kthimin e qetësisë në veri të Kosovës. Çdo akt provokimi duhet të shmanget nga të gjithë”, vijon reagimi.

Tensione në veri ka pasur që nga dita e premte, serbët janë duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të vazhdojnë punën në objektet komunale.

Ata kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, si dhe mediat duke ua djegur veturat. Nga zhvillimet e së hënës mbetën të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

KFOR në reagimin e bërë për media ka kërkuar të mos përshkallëzohet më tej situata si dhe Kosova dhe Serbia të marrin përgjegjësinë për atë që ka ndodhur në veri.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, thotë KFOR.

Protesta e serbëve në veri është duke vazhduar, ndërkaq po vazhdon prania e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në komunat veriore. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit