Vrasja e dy të shqiptarëve të rinj në Gostivar, që ndodhi në fund të shkurtit të këtij viti, akoma nuk ka nxjerrë autorin e vrasjes para organeve gjyqësore.
Gjykata Themelore e Gostivarit akoma nuk ka nisur procesin gjyqësor, edhe pse tashmë kanë kaluar mbi tre muaj nga akti makabër dhe ka skaduar afati i paraburgimit 30 ditor për vrasësin Jakim Trifunovski, pjesëtar i njësitit policor “Tigrat”, informon agjencia e lajmeve INA.
Gjykatësit hetues të ngjarjes kanë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët dhe se ky proces është mbyllur që nga java e dytë e muajit mars, mirëpo akoma nuk jepen detaje për ngecjet e këtij procesi gjyqësor.
Autori vrasës vazhdon të vuajë paraburgimin në burgun e Prilepit, ndësa mediat raportuan se transferimi i tij u bë në këtë qytet në lindje të vendit, për shkaqe sigurie.
Nga Gjykata Themelore në Gostivar theksojnë për INA se së shpejti pritet të fillojë procesi gjyqësor , por duke mos dhënë detaje plotësuese si dhe datën e mundshme.
Në vrasjen e 28 shkurtit të këtij viti, polici Trifunovski pas një zënke vrau dy të rinjt shqiptarë, Besnik Shehapi (26) dhe Imran Mehmedi (30) në Gostivar. Kjo vrasje u cilësua për motive banale për një vendparkim pranë pallateve të banimit, ndërsa u dënua nga të gjitha forcat politike dhe bashkësia ndërkombëtare, duke kërkuar proces të drejtë gjyqësor dhe shqiptimin e dënimit të merituar për policin vrasës. /kohaislame