Prishtinë, më 29 gusht 2022
Zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet ef. Rama, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Diasporë në BIK, Ekrem ef. Simnica, pritën sot në takim Abdurrahim Lecin, kryetar i xhamisë “Lëvizja” në Schwabisch Gmund të Gjermanisë.
Zv.kryetari Rama në këtë takim falënderoi përzemërsisht z. Lecin dhe anëtarët e Kryesisë për punën dhe angazhimin e tyre dhënë për mirëqenien e popullit në diasporë, duke potencuar se bashkëpunimi dhe bashkëveprimi ndërmjet Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe diasporës ka qenë gjithherë dhe vazhdon të jetë në nivelin e duhur.
Kryetari i Qendrës Islame Shqiptare, z. Abdurrahim Leci, falënderoi zv.kryetarin Rama dhe drejtorin Simnica për pritjen dhe për kontributin e tyre dhe të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhënë për diasporën dhe për shqiptarët që gjenden atje.
Ai me një grup shokësh sollën një ndihmë modeste për renovimin e Medresesë së Mesme “Alaudin” në Prishtinë, për çka zv.kryetari Rama i falënderoi përzemërsisht, duke lutur Zotin që t’ua shtojë bereqetin dhe të mirat.
Që të dyja palët ranë dakord që bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve fetaro-arsimore duhet që edhe më tutje të vazhdojë ndërmjet Bashkësisë Islame dhe diasporës.
The post Zv.kryetari Rama priti në takim z. Abdurrahim Leci appeared first on Bashkësia Islame e Kosovës.