1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Zuhdi i vërtetë

Më të lexuarat

Nga: Xhasim El-mutava

Zuhdi i vërtetë

Ebu Dher El-gifari – Zoti qoftë i kënaqur me të, është nga shokët e Profetit a.s. Ai na prezanton me zuhdin e vërtetë në këtë botë dhe jo siç e kanë keqkuptuar shumë njerëz sot.
Thotë Ebu Dher El-gifari:”Zuhdi i vërtetë është kur të besosh se ajo që ke depozituar tek Zoti, të jetë më e sigurtë dhe më e dashur se ajo që ke në duart e tua.”
Kjo do të thotë që muslimani të arrijë një nivel të lartë sigurie dhe bindjeje në premtimin e Zotit.
Thotë Abdul Kadir El-kilanij, duke këshilluar një nga nxënësit e tij:”O biri im! Mos jetë proekupimi yt çfarë të veshësh, me çfarë të ushqehesh, ku të banosh dhe me kë të martohesh. Proekupimi që ia vlen të shqetësohesh, është ajo që është në duart e Zotit të madhëruar.”
Është diçka e bukur kur njeriu ulet nën hijen e një peme, shëtit në një kopësht dhe lulishte të bukur, ushqehet me fruta dhe perime të freskëta etj… Por kënaqësia më e madhe, është kur këtë e bën duke menduar kopështet, frutat dhe kënaqësitë e xhenetit. Kështu, ai e lidh zemrën akoma më shumë me Zotin dhe shpërblimin e Tij.
Ebu Dheri na mëson që ajo që është në duart e Zotit, të jetë më e dashur për ne se ajo që kemi në duart tona. Kurse Abdul Kadir na mëson që proekupimi ynë më i madh të jetë lidhja me Zotin e madhëruar.
Kështu e kuptonin jetën e kësaj bote dijetarët e parë. Ata nuk i nxisnin njerëzit t’a urrenin këtë botë dhe se ajo është një botë e fëlliqtë.
Koncepti i tyre për jetën e kësaj bote ishte: Jeto në këtë botë, si një i huaj ose një kalimtar.
Profeti Muhamed a.s e përshkruan besimtarin në jetën e kësaj bote si një udhëtar që është ulur në hijen e një peme, pushon dhe më pas ngrihet dhe vazhdon rrugën.
E gjithë jeta e kësaj bote është thjesht një rrugë, mbi të  cilën njeriu jeton dhjetëra vite, të cilat në fund i duken sa një çast.
Jeta mbi tokë ecën dhe kalon shumë shpejt. Për këtë, Profeti a.s na këshillon që në këtë botë, të jetojmë si të huaj ose kalimtarë të një rruge.
A i keni parë si sillen të huajt kur vijnë në vendet tona? Ata nuk sulmojnë dhe nuk sillen agresivisht me asnjë, janë të qetë, nuk kanë shumë kërkesa, por edhe nëse kërkon diçka, këtë e bën në kohën dhe vendin e duhur etj…
Po çfarë do të thotë kalimtar? Kush konsiderohet kalimtar?
Kalimtar, është dikush që ka një objektiv dhe që është nisur për t’a arritur.
Ebu Bekri, ishte njeriu më i pasur ndër fisin kurejsh. I tillë ishte dhe Uthman ibnu Affani dhe Abdurrahman ibnu Auf.
A e dini përse i përmenda emrat e tyre….?
Unë i përmenda emrat e tyre, pasi ata janë edukuar nga vetë i dërguari i Zotit a.s. Ata ishin të pasur dhe i kishin dëgjuar hadithet e mësipërme direkt nga goja e Profetit a.s. Megjithatë, nuk i kuptuan këto hadithe si distancim nga të mirat e kësaj bote, pasuria dhe pushteti.
Ebu Bekri, para se të bëhet Halife i muslimanëve, ishte një ndër tregëtarët më të susksesshëm dhe më të pasur në Meke. Ai merrej me shit-blerjen e pëlhurave dhe këtë e bënte në të gjithë Gadishullin Arabik.
Kur mori postin e halifes dhe e vazhdonte tregëtinë, shokët e tij u mblodhën dhe i thanë:”O Prijësi i besimtarëve! Ose të mbash Kalifatin, ose tregëtinë.”
Ebu Bekri i pyeti:”Po si do të jetoj unë dhe familja ime?”
Umeri i tha:”Do të caktojmë një rrogë të mjaftueshme për ty dhe familjen nga Shtëpia e Zekatit.”
Pasi i caktuan një rrogë, Ebu Bekri e la tregëtinë, të cilën e vazhduan fëmijët e tij. Më vonë ai kërkoi që t’ia shtonin rrogën pasi nuk i mjaftonte. E kush e beson se Ebu Bekri ka kërkuar që t’i shtohet rroga?
Kam dëgjuar një predikues ditën e xhuma, i cili e nënçmonte dhe zhvlerësonte dynjanë pa kufi. Unë e pyeta se përse duhej të mbante një hytbe, të mbushur me sharje dhe nënçmim për dynjanë.
Ai u përgjigj:”Dua që njerëzit të ndjekin dispozitat e Kuranit dhe sunetit.”
Unë e pyeta:”Kurani dhe suneti janë gjërat më të respektuara për mua dhe të gjithë ne, por janë ata të dy që na urdhërojnë gjëra të kundërta me ato që na the ti. Kurani dhe suneti na urdhërojnë që këtë botë t’a trajtojmë në mënyrën e duhur. Ne duhet t’a stimulojmë biznesin, derisa fëmijët tanë të bëhen biznesmenët më të mëdhenj në të gjithë botën. Ne duhet t’a stimulojmë prodhimin, derisa fëmijët e tu dhe të mitë të jenë prodhuesit dhe industrialistët më të mëdhenj në botë.”
Nëse do e konceptonim siç duhet jetën e kësaj bote, umeti ynë do të jetonte në luks dhe të mira materiale, duke mos i pasur këto fatkeqësi dhe sprova që kemi sot.
Një ditë, një burrë vajti tek imam Hasen El-basrij dhe i tha:”O imam! Komshiu im nuk e han bakllavën.”
Imam Haseni e pyeti:”E përse nuk e han bakllavën?”
Burri iu përgjigj:”Ai thotë:”Ngaqë nuk arrij dot t’a falenderoj Zotin siç duhet për këtë mirësi!”
Imam Hasen i tha:”Paske komshi një injorant. Po për ujin që e pin çdo ditë, a e falenderon siç duhet Zotin?!”
Mirësitë e Zotit që na ka dhënë, janë të shumta dhe pambarim. Thotë Zoti në Kuranin fisnik rreth këtij fakti:”Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot.” (Ibrahim, 34)
Zoti i madhëruar, para se t’a zbresë Ademin a.s në tokë, e trajnoi për sfidat me të cilat do të përballej në tokë. Në këtë trajnim, Ademi a.s u mësua me fitoren dhe humbjen, krenarinë dhe pikëllimin. Ai mësoi dialogun me gruan dhe si të shkëmbejë me të mendime. Ai i hyri një beteje mes tij, të shoqes dhe armikut të njeriut, shejtanit.
Pasi Ademi a.s hyri në këtë trajnim, Zoti e zbriti atë dhe të shoqen në tokë, pikërisht në planetin ku jetojmë ne sot.
Shohim që Ademi a.s nuk ishte krijuar për në xhenet, por për në tokë. Atëherë, përse u krijua në xhenet, përse ndodhi historia e pemës?
E gjithë kjo, ishte një parapregatitje për Ademin a.s, se si të sillej dhe si t’a trajtonte dynjanë.
Jeta e kësaj bote, është e bukur dhe tërheqëse, por si duhet t’a trajtojmë atë?
Ne kemi nevojë të mësohemi për këtë.
Një ditë, një nënë më tha:”Kam një vajzë një vjeçe e gjysmë dhe dua t’a edukoj me vlerat dhe normat morale më të larta. Çfarë më këshilloni të bëj?”
Unë e pyeta:”A dëshiron t’i numërosh të gjithë moralet një e nga një, apo dëshiron që këtë çështje t’a diskutojmë më shtruar?”
Ajo pyeti:”E si mund t’a bëjmë këtë?”
Unë i thashë:”A e ke të mundur t’a imagjinosh dhe t’a shohësh vajzën tënde njëzet vjeçe?”
Ajo pyeti:”Si t’a bëj këtë?”
Unë i thashë:”Çfarë dëshiron që të bëhet vajza jote?”
Ajo u përgjigj:”E dua të agjërojë, të falet, të mësojë Kuranin dhe të kënaqë Zotin.”
Unë i thashë:”Atëherë ti kërkon që të fitosh kënaqësinë e Zotit, por duhet të pyesësh: Cila është ajo gjë që më çon drejt kënaqësisë së Zotit? Kështu, para se të flasim mbi detajet, duhet të biem dakord mbi pikat e përgjithshme.”
Me fjalët:”Kjo botë është e ëmbël, e hijshme dhe Zoti u ka caktuar mëkëmbës të tij në tokë”, Profeti a.s sikur na këshillon të jemi largpamës dhe të mësojmë si t’a trajtojmë këtë botë.
Ndërkohë që shohim fermat e palmave të gjata dhe të hijshme, të vjen ndërmend Abdurrahman ibnu Auf, një nga më të pasurit e muslimanëve.
Një ditë, ndërkohë që po lexoja Kuran, më lindi një pyetje: Kurani me gjithë historitë e tij domethënëse, a bëjnë thirrje që njeriu të pasurohet, t’a nënshtrojë këtë planet me të mirat e tij materiale, apo bëjnë thirrje për fukarallëk dhe lypje? Në fakt, unë zbulova diçka interesante, duke u përpjekur t’i përgjigjem pyetjes së mësipërme. Në Kuran, përmendet Dhul Karnejni i cili sundonte tokën në kohën e tij. Duke qenë se ishte mbret, padyshim që ishte dhe i pasur dhe komandant i madh.
Së dyti, profeti Daud a.s, merrej me përpunimin e hekurit. Ai ishte mbret dhe sundimtar i fuqishëm.
Së treti, Sulejmani a.s ishte mbret dhe sundonte të gjithë botën. Së katërti, profeti Musa a.s u rrit në shtëpinë e Faraonit, mbretit të Egjyptit. Së pesti, profeti Isa a.s, i kërkoi Zoti të jetë i privilegjuar.
Vallë si duhet t’i kuptojmë këto tekste të Kuranit famëlartë?
Sigurisht, që nga këto tekste kuptojmë madhështinë, fuqinë, pushtetin dhe pasurinë. Njeriu duhet të japë kontributin e tij në ndërtimin e jetës mbi tokë, në shtimin e prodhimit, në përmirësimin e jetësës dhe të shtojë diçka të tepërt, por jo të jetë vetë i tepërt.
Të gjithë këto vlera dhe tema që cekëm, mund të ngrenë një pyetje tjetër: Përse profeti Muhamed a.s jetoi i varfër?
Një herë, Profeti a.s doli në kohën e drekës, ku u takua me Ebu Bekrin dhe Umerin. Ai i pyeti se çfarë i kishte nxjerrë në atë vapë.
Ata u përgjigjën:”Uria.”
Profeti a.s u tha:”Edhe mua uria më ka nxjerrë.”
Tregon gruaja e Profetit a.s, Aisheja:”Kalonin muaj njëri pas tjetrit dhe në shtëpinë tonë, nuk ndizej zjarri.” Dmth nuk gatuhej ushqim në shtëpinë e Profetit a.s.
Në shumë transmetime të tjerë, tregohen vuajtjet, uria dhe fukarallëku i Profetit a.s.
Atëherë, përse jetoi i varfër profeti Muhamed a.s?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, theme: Fukarallëku në të cilin jetoi Profeti a.s, ishte i zgjedhur nga vetë ai. Dmth, ai e zgjodhi vetë një jetë të tillë. Nëse do të dëshironte një jetë luksi, ashtu do të kishte jetuar. Meleku i kërkoi disa herë të zgjedhë mes jetës së luksit si një mbret dhe jetës si fukara, kurse Profeti a.s në çdo herë zgjidhte jetën me vuajtje dhe probleme.
Pasi përmendëm hadithet që tregonin jetesën e vuajtur të Profetit a.s, lind një pyetje tjetër: A ekzistojnë hadithe, ku Profeti a.s i nxit muslimanët të fitojnë pasuri?
Përgjigja është, po. Thotë Profeti a.s në një hadith:”Zoti e don një njeri të devotshëm dhe të pasur.”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Dora që jep, është më e mirë se dora që merr.”
Në këtë mënyrë, Profeti a.s na mëson dhe na jep udhëzimet e duhura si t’a trajtojmë këtë botë me të mirat e saj.
Gjatë jetës së tij mbi tokë, njeriu kalon në pesë stacione:
Stacioni i parë, është koha kur ai është krijuar sa një atom.
Stacioni i dytë, është jeta e tij në barkun e nënës.
Stacioni i tretë, është jeta e tij në këtë botë.
Stacioni i katërt, është jeta e tij në varr.
Stacioni i pestë, është Ditën e Kijametit.
E lusim Zotin e madhëruar që të gjithë ne të jemi në xhenetin më të lartë, atë Firdeus.
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit