-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

“Zotohu dhe lëre”, fushata e sivjetme e OBSH-së për Ditën Botërore pa Duhan

Më të lexuarat

Me rastin e 31 majit Ditës Botërore pa Duhan, Organizata Botërore e Shëndetësisë tërheq vëmendjen ndaj efekteve të dëmshme të duhan-pirjes dhe ekspozimit ndaj tymosjes pasive, si dhe këshillon kundër përdorimit të duhanit në çfarëdo lloj forme.

Nën temën “Zotohu dhe lëre”, fushata e sivjetme e OBSH-së për Ditën Botërore pa Duhan përqendrohet në sigurimin e mjeteve dhe burimeve të nevojshme për personat që duan ta lënë duhanin, në mënyrë që ata të kenë sukses në përpjekjen e tyre.

Duhani është një faktor kryesor risku për sëmundjet jo-ngjitëse, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabeti.

Përfitimet e lënies së duhanit janë pothuajse të menjëhershme. Pas vetëm 20 minutash pa duhan, ulen rrahjet e zemrës, brenda 12 orësh bie në nivel normal monoksidi i karbonit në gjak, brenda 2-12 javësh, përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe rritet funksioni i mushkërive.

Brenda 1-9 muajve zvogëlohen kollitja dhe gulçimi. Brenda 5-15 vjetësh, risku i goditjes në tru bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin. Brenda 10 vjetësh, shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive përgjysmohet krahasuar me atë të duhanpirësve. Brenda 15 vjetësh, risku i sëmundjeve së zemrës bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin.

Sergei Koryak, udhëheqësi i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, tha se forcimi i politikave dhe shërbimeve për lënien e duhanit mund të përmirësojë shëndetin, të shpëtojë jetë dhe të kursejë para.

“Pandemia COVID-19 ka bërë që shumë duhanpirës të thonë se duan ta lënë, por jo të gjithë kanë qasje në mjete që mund t’u ndihmojnë ta bëjnë këtë. Kjo është arsyeja pse OBSH-ja u bën thirrje qeverive që të sigurohen që qytetarët të kenë qasje në shërbime gjithëpërfshirëse për lënien e duhanit, siç janë këshillimet e shkurtra, linjat telefonike falas për lënien e duhanit, shërbimet mobile dhe digjitale për lënien e duhanit, terapitë e zëvendësimit të nikotinës dhe mjete të tjera që janë dëshmuar se ndihmojnë për lënien e duhanit”, tha ai.

Ndryshe, shanset që duhanpirësit ta lënë duhanin me sukses janë 84% më të mëdha kur marrin këshillim intensiv nga mjeku.

Për t’u ndihmuar duhanpirësve që ta lënë duhanin, OBSH-ja dhe partnerët e saj kanë zhvilluar mjete të reja digjitale, siç janë chatbot-i i Sfidës së Lënies së Duhanit (Quit Challenge) dhe punëtorja digjitale shëndetësore me Inteligjencë Artificiale Florence që simulon një punëtor të kujdesit shëndetësor për t’i luftuar dezinformatat rreth COVID-19 dhe duhanit, ofron këshilla të shkurtra për duhanpirësit rreth lënies së duhanit, si dhe i referon duhanpirësit në shërbimet digjitale për lënien e duhanit.

Sfida e Lënies së Duhanit jep këshilla të përditshme dhe inkurajim deri në gjashtë muaj për t’i ndihmuar kujtdo të qëndrojë larg duhanit. Aplikacioni është në dispozicion falas në WhatsApp, Viber, Facebook Messenger dhe WeChat.

Në nivel botëror, rreth 39% e burrave dhe 9% e grave janë duhanpirës. Normat më të larta të duhan-pirjes gjenden aktualisht në Evropë, në nivel prej 26%, ndërkohë që parashikimet tregojnë një rënie prej vetëm 2% deri në vitin 2025 nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime urgjente.

/tetovasot/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit