1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Zhvillimi i Qytetërimit Islam – Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam

Më të lexuarat

Subjekti: Zhvillimi i Qytetërimit Islam
 
Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam
 
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.
 
Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi qoftë për zotërinë tonë Muhamedin, vulën e Profetëve, për familjen e për mbarë shokët e tij.
 
Vendimi nr. 163 (1/18)
Rreth subjektit: Shenjat orientuese në rrugën drejt kthimit të Qytetërimit Islam
 
Asambleja e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, e dalë nga Organizata e Konferencës Islamike, e mbledhur në sesionin e saj të tetëmbëdhjetë në Putraxhaja (Malejzi) nga data 24 – 29 Xhumadil Ahir të vitit 1428 h. / 9-14 Korrik 2007 e.s, pasi mori në shqyrtim studimet e paraqitura pranë Akademisë në lidhje me temën “Shenjat orientuese në rrugën drejt kthimit të Qytetërimit Islam” dhe pasi dëgjoi diskutimet që u zhvilluan rreth kësaj teme dhe pasi riktheu edhe njëherë në kujtesë pararendjen e Islamit në themelimin e shtetit të së drejtës, ku Profeti i madh i Islamit vendosi Dokumentin e Medinës, dokument ky që përcaktonte marrëdhëniet në shoqërinë e parë islame. Asambleja gjithashtu risolli në kujtesë edhe shpalljen botërisht nga ana e Profetit e të drejtave të njeriut në Hutben e tij të Lamtumirës, si dhe duke u bazuar në dritën e teksteve kuranore dhe ato profetike që janë kushtetuta islame, siç është fjala e Allahut të Lartësuar: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën.” (En-nahl: 90) dhe fjalën e Tij: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.” (En-Nisa: 59), Vendosi si më poshtë:
Së pari: Duhet të ecet në rrugën e ngritjes së qytetërimit islam, sepse kjo jep myslimanëve mundësinë të rikthejnë rolin e tyre historik dhe të paraqesin mesazhin human që ata mbartin për tëshpëtuar botën nga errësirat e tiranisë materialiste.
 
Së dyti: Rruga e kurimit të prapambetjes, nga e cila vuan umeti islam, duhet jetë kthimi i sinqertë te feja e drejtë, sepse gjendja e rëndë në të cilën jetojnë myslimanët vjen si shkak i braktisjes së mësimeve islame dhe imitimit të sistemeve pozitiviste.
Së treti: Qasja islame ndaj qytetërimit ngrihet mbi një plan të qartë e të konsoliduar dhe që çliron shoqëritë e vendet islame nga dominimi, varësia dhe prapambetja.
Së katërti: Të kuptuarit e mirë të Islamit, serioziteti në vënien në zbatim të dispozitave të tij, zbatim i plotë dhe i ekuilibruar i tij, janë një domosdoshmëri për suksesin e projektit të rilindjes islame.
Së pesti: Duhet të konsolidohet parimi i Shuras, në aspektin teorik dhe atë praktik, duke vënë kështu në zbatim fjalën e Allahut të Madhëruar: “dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme.” (Al-imran: 159) “dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin” (Esh-shura: 38) si dhe duke u nisur nga fakti se Shura është një nga themelet e forta mbi të cilat ndërtohet shteti i Islamit.
Së gjashti: Legjitimiteti i ndarjes ndërmjet pushteteve: pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe ai gjyqësor, ashtu siç janë stabilizuar pas epokës së shpalljes hyjnore ligjore, dhe kjo duke u mbështetur tek praktika e Profetit (alejhi salatu ue selam) në veprimtarinë e tij të larmishme ndërmjet të qenit sjellës i mesazhit hyjnor, të qenit burrë shteti dhe gjykatës.
Së shtati: Njohja e së drejtës së shtetësisë duke përfshirë këtu edhe jomyslimanët, në përputhje me rregullat ligjore islame të reciprocitetit ndërmjet të drejtave dhe detyrimeve.
Së teti: Pjesëmarrja e gruas në aktivitetet publike, për aq sa nuk cenohen dispozitat e veçanta të ligjit islam për të “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat;” (Et-teube: 71)
Së nënti: Detyrimi për të iniciuar çlirimin nga fenomenet negative në të cilat jetojnë myslimanët, në mënyrë që të bëhet e mundur kapërcimi i sfidave me të cilat ata përballen, siç janë:
a)      Fanatizmi medhehebor, i cili bëhet pengesë përpara lëvizjes ripërtëritëse fetare të kontrolluar e të moderuar.
b)     Ekstremizmi në ide dhe në sjellje, ai që shkakton probleme në shoqëri dhe nga i cilin lindin edhe lëvizjet ekstremiste.
c)      Ateizmi apo afetarizmi i cili refuzon lidhjen në mes fesë dhe jetës.
d)     Njohja e njëanshme (e pjesshme), gjë kjo që e izolon njeriun nga njohja e dimensioneve reale të çështjeve.
e)      Mos njohja e vlerës së kohës dhe pasoja që kjo lë në dështimin dhe prapambetjen e myslimanëve.
 
Asambleja gjithashtu sugjeron si më poshtë se:
a)      Hapi i parë në përpjekjet edukuese konstruktive për formimin e personalitetit të myslimanit, për rikthimin e rolit të qytetërimit islam dhe kontributit të tij në qytetërimin njerëzor duhet të jetë: forcimi i besimit dhe shtimi i veprave të mira.
b)     Duhet theksuar vazhdimisht fakti se qasja islame ndaj qytetërimit ngrihet mbi konsolidimin e vlerave morale islame në shoqëri.
c)      Ne vlerësojmë lartë rrugëtimin e shtetit Malejzianë për vënien në jetë të projektit të tij në ndërtimin e qytetërimit islamit si dhe ftesën e tij për zhvillimin e një konference akademike ndërkombëtare, për të bërë të qartë të vërtetat e qytetërimi islam dhe përmbajtjen e mesazhit të tij të përjetshëm.
Rezultatet e kësaj konference akademike duhet të shihen nga mendimtarët dhe udhëheqësit e vendeve islame.
Allahu e di më së miri
Burimi: http://www.fiqhacademy.org.sa/Malaysia-q18.pdf
Shqip: Lidhja e Hoxhallarëve të Shqiperisë
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit