7.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Zgjedhjet në Mal të Zi – Komuna Tuz pritet të drejtohet nga shqiptarët

Më të lexuarat

Në zgjedhjet që do të mbahen më 3 mars në Mal të Zi, si asnjëherë më parë partitë politike shqiptare kanë themeluar Forumin Shqiptar për Komunën e Tuzit.

Pak postera elektoralë bëjnë thirrje në Tuzin e qetë të shqiptarëve për zgjedhjet e pritshme lokale. Për herë të parë pas 62 vitesh, ky vend do të ketë një udhëheqje komunale te pavarur nga kryeqyteti malazez, Podgorica. Kjo ka sjellë ethe dhe ka ngjallur shpresat e shqiptarëve.

E diela e 3 Marsit pritet të jetë një ditë historike për shqiptarët e Tuzit. Tri partitë politike kryesore që veprojnë në këtë zonë kanë formuar një koalicion parazgjedhor nën moton “Malësia na Bashkon” duke kandiduar me një listë të vetme, e në këtë mënyrë duke rritur shanset që kjo komunë të udhëhiqet nga një shqiptar.

Drejtuesit e partive shqiptare i gjejmë bashkë teksa bisedojnë rreth detajeve të fundit të fushatës. Është e njëjta sallë ku firmosën marrëveshjen prej nga nisi ëndrra se Komuna e Plotë e Tuzit, mund të qeveriset prej tyre.

Ata besojnë se çelësi i bashkimit, do t’i nxjerrë fitimtarë në sfidën për të marrë 17 këshilltarë nga 32 të tillë.

“Në Malësi janë gati 70% shqiptarë, ndërsa në administratën e kësaj komune me vështirësi mund të gjeni dikë që flet shqip. Jemi të bindur se në Malësi pranvera fillon me 3 Mars dhe se për Malësinë vijnë ditë më të mira”, shprehet për Tv Klan kreu i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj.

Fadil Kajoshaj, kreu i Unionit Demokratik të Shqiptarëve thotë se “ka presione të ndryshme nga partitë qytetare që janë kryesore në Mal të Zi.”

“Jemi të bindur që kemi njerëz, kapacitet, që ta zhvillojmë vendin tonë, ta zhvillojmë infrastrukturën, ta zhvillojmë ekonominë, të hapim vende të reja pune, t’i krijojmë kushtet që bizneset, jo vetëm nga Mali i Zi, por dhe nga shteti ame dhe besoj se do t’ia dalim”, shprehet Nik Gjeloshaj, kreu i “Alternatives Shqiptare” në Mal të Zi.

Banorët e Tuzit, të ndodhur përballë mungesave të përditshme, shprehen shpresëplotë se do të jenë më mirë nëse do të udhëhiqen nga shqiptarët. Pasditja na gjen duke udhëtuar drejt fshatit Skorraq, atje ku banorë të zonës dhe një grup i ardhur nga diaspora do të zhvillojnë një takim.

Mes tyre takojmë Nikolaj Sinishtajn. I lindur në Amerikë, por me një gjuhë të pastër shqipe, ai na thotë se është kthyer të japë kontributin e tij në Tuz. Rrushdi Gjokaj, i larguar nga Tuzi prej 1984, e quan një moment të artë që ky komunitet të marrë edhe vëmendjen e shtetit amë, Shqipërisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit