2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Zgjedhjet në Hollandë: jo një test lakmusi, por thjesht erë-tregues

Më të lexuarat

Një huq, dy në rrjetë. Në zgjedhjet e para madhore që kur Britania vendosi të largohej nga Bashkimi Europian dhe që kur Donald Trump u zgjodh president, zgjedhjet e përgjithshme hollandeze u panë gjerësisht si një test lakmusi për fuqinë e lëvizjes kundër-establishmentit dhe populizmin në prah të zgjedhjeve të tjera në Europë të këtij viti.

Nëse fitonte partia e politikanit euroskeptik, anti-Islamit dhe kundër emigrantëve, Gert Wilders, kjo do të kishte qenë dominoja e tretë që binte në një seri që mund të përfshijnë edhe fitoren e Marine Le Pen në Francë, rritjen elektorale për Alternativën për Gjermaninë dhe mundësia e shpërbërjes së Bashkimit Europian.

Në këtë dritë e vendosi fushatën kryeministri hollandez, Mark Rutte duke thënë se pas mërzitive të Brexit dhe Trump, ai i shihte zgjedhjet si një “çerek-finale” në një konkurrim me pesë raunde, në të cilin “gjysmë-finalet janë zgjedhjet franceze dhe finalja zgjedhjet në Gjermani”.

Kjo mënyrë ishte e leverdisshme për Rutte për ta kornizuar betejën kokë më kokë mes qendrës së djathtë që përfaqëson partia e tij dhe partisë së Lirisë së Gert Wilders si një përplasje midis status-kuosë dhe populizmit, vijimësisë dhe kaosit.

Por për disa arsye, ky këndvështrim nuk përputhet me realitetin dhe fitorja e Wilders edhe pse mund të kishte qenë një grusht i fuqishëm simbolik, nuk do të kishte vënë në lëvizje domosdoshmërisht zinxhirin e ngjarjeve që do të kërcënonte mbijetesën e bllokut.

Sipas sistemit hollandez të zgjedhjeve, edhe nëse Partia e Lirisë do të ishte votuar si parti e parë, me siguri që ajo nuk do të kishte akses në qeverisje.

Wilders mund të nxisë krahasime me Trump dhe Brexit- që nga modeli i flokëve e deri tek slloganet e fushatës, por nuk ka qenë kurrë e qartë sesa shumë mund të zbatonte ai nga programi.

Së dyti, holandezët nuk kishin gjasa të votonin për largimin nga BE në një kohë të afërt. Perspektiva e një Nexit është më popullore jashtë vendit, por partitë e tjera veç asaj të Lirisë nuk do ta kishin mbështetur dhe nuk ka asnjë provë që referendumi do të mbështetej edhe nga votuesit.

E djathta esktreme në Francë dhe Gjermani, sigurisht do të kishte marrë hov duke përgëzuar një fitore të Wilders si triumfin e nativizimit dhe lëvizjes populiste anti-establishmentit.

Zgjedhjet  presidenciale franceze, që do të zhvillohen në dy raunde në prill dhe maj, përngjajnë më shumë me votimin për Brexit dhe presidencialet amerikane: përkundër Hollandës, ato do të jenë garë kokë më kokë, “fituesi i merr të gjitha” – dhe francezët po zgjedhin një president, jo parlamentin.

Një fitore e Le Pen mund të dëshmohet të jetë një tronditje sizmike, jo më pak për BE-në sesa edhe për tregjet financiare që druhen nga premtimet e Le Pen: nxjerrjen e Francës nga Eurozona dhe kushtëzimi i marrëdhënieve me BE-në përmes referendumit.

As BE dhe as euro nuk do i mbijetonte kësaj.

Në Gjermani, ngjashëm, avancimi i populistëve të djathtë, që po shfrytëzojnë krizën e refugjatëve në këtë vend, dikur dukej i pandalshëm. Por, mbështetja arriti kulmin me 15 për qind në shtator dhe tashmë ka rënë në 8 për qind.

Në këtë formë, ndërsa Alternativa për Gjermaninë mund të ulet në parlamentin federal për herë të parë, mundësitë e pjesëmarrjes në koalicion janë të pakta – sidomos pasi partitë e mëdha të qendrës kanë refuzuar të punojnë me ta.

Sidoqoftë, nëse ndonjë nga dominotë bie gjatë këtij viti, fundi i rendit liberal të botës mund të mos jetë shumë i largët.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit