17 tetori i këtij viti është caktuar si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, e shumë nga partitë politike tashmë kanë nisur zyrtarizmin e kandidatëve për kryetar komunash.
Por, Lëvizja Vetëvendosje mbetet subjekti i vetëm që ende nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat për kryetar komunash, edhe pse në disa komuna janë përfolur disa emra.
Drejtues i zyrës për media dhe komunikim në LVV, Arlind Manxhuka në një prononcim për Telegrafin ka thënë se LVV ende nuk ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar të komunave.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! ende nuk ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash. Pra, nuk ka iniciuar ndonjë shpallje të kandidimit para kësaj faze”, tha Manxhuka.
Ai theksoi se përzgjedhja e kandidatëve është e rregulluar me statutin e LVV-së.
“Në bazë të tij, përbrenda afateve, në secilën qendër kandidatët do të jenë të lirë të kandidojnë për t’u votuar pastaj në këshillat e qendrave ku kandidojnë”, u shpreh Manxhuka.
Sipas statutit të LVV-së, neni 86 thuhet se: “Kandidatët për Kryetar Komune propozohen ose vetëpropozohen duke i mbledhur 1/5 e nënshkrimeve të anëtarëve të një qendre të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ose duke i mbledhur 1/5 e nënshkrimeve të delegatëve të Këshillit të Qendrës. Kandidati për Kryetar Komune zgjidhet me votim nga Këshilli i Qendrës, pas miratimit të kandidaturave nga Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”.
Kujtojmë se nga LVV si kandidatë të mundshëm për kryetar janë përmendur: Arben Vitia dhe Liburn Aliu për Prishtinën, Mytaher Haskuka, Drita Millaku dhe Hajrulla Çeku për Prizrenin, Agim
Bahtiri për Mitrovicë, Gazmend Agusholli për Pejën dhe Arbëresha Kryeziu-Hyseni, Alban Hyseni dhe Labinota Demi-Murtezi për Gjilanin.
Në zgjedhjet e fundit lokale Vetëvendosje kishte fituar në Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë, ndërsa Shpejtim Bulliqi kishte fituar mandatin në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.