Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Zëvendësministrit të Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu për të vizituar të dënuarit për ngjarjet e Kumanovës, i njohur ndryshe si rasti “Lagjja e Trimave”.
Sipas arsyetimit të Drejtorisë së Burgjeve në Maqedoni të Veriut, vizitën mund ta bëjë vetëm ndonjë konsull i Ambasadës së Kosovës në Shkup, por jo edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
“Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve konsideron se Zëvendësministri i Drejtësisë nuk është përfaqësues konsullor i vendit të tij në Maqedoni, por është përfaqësues politik i Kosovës…Për këtë arsye, duke respektuar ligjin, Drejtoria për Ekzekutim të Sanksioneve ju njofton se nuk mund të pranojmë kërkesën tuaj për vizituar të dënuarit”, thuhet më tej në sqarimin e Drejtorisë së Burgjeve.
Zëvendësministri i Drejtësisë i Kosovës, Blerim Sallahu, më 8 dhjetor kishte paralajmëruar se më 9 dhjetor do të vizitojë Shkupin, si dhe burgun e Idrizovës dhe se do të takohej me drejtuesit e institucionit.
Megjithatë, më pas vizita ishte anuluar për shkak të mungesës së një kërkese zyrtare nga ana e tij.
Rasti “Kumanova”, ka ndodhur më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Kumanovë, kur një grup i armatosur, shumica shtetas të Kosovës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ishin përballur me forcat maqedonase të sigurimit, derisa grupi ishte vendosur në këtë qytet me arsyetimin “për t’i tërhequr vëmendjen qeverisë për mosrespektimin e të drejtave të shqiptarëve”.
Gjatë dy ditë luftimesh ishin vrarë 18 persona, nga të cilët tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur. Ndërkaq, 38 pjesëtarë të grupit ishin arrestuar – tetë prej tyre janë dënuar me burgim të përjetshëm, katër janë liruar, kurse të gjithë të tjetër janë dënuar me 746 vjet burgim.