5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Zëri i mekur i shumicës – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë tregoi edhe një herë faktin se shqiptarët, përtej të gjitha pretendimeve dhe zallamahisë që krijon një grusht njerëzish, e identifikojnë veten në shumicë si myslimanë. Edhe pse ky identifikim, sigurisht, nuk tregon domosdoshmërisht shkallën e përkushtimit fetar, ai mjafton për të treguar se opinionet e pakicës së zhurmshme dhe islamofobe nuk janë aspak tregues i realitetit në terren.

Një nga problemet fetare që kanë shqiptarët si komb është se elitat e tyre politike, intelektuale dhe kulturore janë shumë të kompleksuara në raport me përkatësinë tonë myslimane, deri në atë pikë sa antipatinë e tyre ndaj kësaj përkatësie e përkthejnë në iluzione që nuk përputhen me shifrat faktike. Këtë e favorizon edhe zëri i munguar ose i mekur i kësaj shumice, e cila shpeshherë gjendet në një situatë ngërçi, të cilin elita e dëshiron pikërisht ashtu.

Ka një ndarje të qartë, si me thikë, ndërmjet projeksioneve fetare iluzore të elitave tona laike (dhe jo vetëm) dhe realitetit identitar të shumicës së shqiptarëve. Është e qartë se këto elita i marrin dëshirat e tyre për të vërteta dhe, pasi përballen të zhgënjyera me realitetin, detyrohen të përdorin çdo manovër të mundshme për ta zhbërë atë, qoftë edhe në mënyrë fiktive, ashtu siç ndodhi në Shqipëri me Censin e vitit 2023. Mjafton të shqyrtosh mënyrën se si është formuluar pyetja mbi fenë, në dallim nga Kosova, si edhe anketimet e shumta ndër vite, për të konfirmuar se shifrat e publikuara për fenë në Shqipëri janë të pasakta.

Ajo që duhet të kuptojnë si shumica me zë të mekur, ashtu edhe pakica e zhurmshme dhe jopërfaqësuese, është se nuk do të gjejnë kurrë qetësi nëse identitetin mysliman të shumicës së shqiptarëve e fshehin apo e injorojnë, me shpresën se do të duken dikush tjetër nga ç’janë, ose për të reformatuar një identitet të ri fetar që nuk e zotërojnë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit