8.5 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Zemra mes materiales dhe shpirtërores

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Zemra mes materiales dhe shpirtërores

Sipas sondazheve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqindjet më të mëdha të vetëvrasjeve në botë, vazhdojnë të konstatohen në ish shtetet e Bashkimit Sovjetik, si dhe në disa shtete të pasura evropiane si Franca, Suedia, Zvicra etj… Po çfarë do të thotë një fakt i tillë? Para se të flasim për këtë, duhet të kuptojmë se njeriu nuk ndërmerr një hap kaq tragjik siç është vetëvrasja, veçse pasi të ketë mbërritur në një gjendje të rëndë psikologjike dhe demoralizimi.
Regjistrimi i përqindjeve më të mëdha të vetëvrasjeve në shtetet flamurtare të ateizmit (siç kanë qenë ish shtetet e Bashkimit Sovjetik) si dhe në shtetet e njohura për mirëqenie dhe luks (si Suedia me të ardhurat më të larta për frymë në botë), sinjalizojnë një të vërtetë të padiskutueshme, por që shumë njerëz e kuptojnë me kokëposhtë. Kjo e vërtetë është: Rruga drejt lumturisë dhe jetës së qetë nuk është duke u çliruar nga feja (populli sovjetik), ashtu siç nuk është duke u dhënë pas jetës së qejfit dhe kënaqësive (popujt evropianë). Vetë jeta dhe përvoja e vërtetojnë këtë që themi, edhe pse njerëzit pretendojnë të kundërtën.
Ai që e di çfarë e gëzon dhe lumturon njeriun, është vetëm Ai që e krijoi dhe i dha jetën njeriut dhe në këtë rast është vetë Allahu i lartësuar. Askush tjetër nuk është më i ditur sesa Zoti lidhur me njeriun. Prandaj, njeriu që kërkon lumturinë dhe mirëqenien në këtë botë, duhet ta mësojë rrugën drejt saj, nëpërmjet Atij që e solli në jetë, e krijoi dhe i dha formë. I pa të meta është Allahu fuqiplotë.
Cila është rruga e projektuar nga Zoti, e cila na çon drejt lumturisë?
Ekziston një formulë hyjnore, e cila nëse respektohet nga robi, plotëson dëshirën e tij për një jetë të mirë. Kjo formulë është premtim i Zotit të lartësuar për një jetë të mirë, për ata që  bëjnë vepra të mira dhe janë besimtarë. Thotë Zoti në Kuran:”Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahl, 97)
Ky varg, cekën vetëm dy kushte kryesore të formulës, veprat e mira dhe besimin ”Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar” si dhe pasojën, e cila konsiston në një jetë të mirë në këtë botë, përveç shpërblimit në botën tjetër. ” Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.”
Kështu, pjesa e parë, është kusht dhe kriter për realizimin e pasojës. Thotë Ibnul Kajjim në librin Medarixhu Salikin:”Jetën e mirë, Zoti e ka caktuar për ata që e njohin Zotin, e duan dhe e adhurojnë Atë. Thotë Zoti në Kuran:”Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahl, 97)
Jeta e mirë në vargun e mësipërm, është interpretuar si e tillë: me bindje për Zotin, i kënaqur, me furnizim të bollshëm etj… Në fakt, një jetë e mirë, është jeta e zemrës, lumturia dhe gëzimi i saj, qetësia dhe prehja që të fal besimi, njohja dhe dashuria për Zotin, si dhe kthimi drejt Tij dhe mbështetja tek Ai. Nuk ka jetë më të mirë se një jetë e tillë dhe as begati e mirëqenie më të madhe se ajo.
Ibnu Kethiri citon mendimet e dijetarëve lidhur me interpretimin e “jetës së bukur” të cekur në Kuran dhe thotë:”Jeta e bukur përfshin të gjithë format e rehatllëkut, ngado që të vijë. Sipas Ibnu Abasit dhe disa të tjerëve, jeta e bukur është fitimi i pasurisë në rrugë të ndershme dhe hallall.”
Sipas Ali ibnu Ebi Talib, jeta e bukur është bindja që besimtari tregon ndaj Zotit. Të njëjtin mendim ka dhe Ibnu Abasi, Ikrime dhe Vehb ibnu Munebbih.
Thotë Ali ibnu ebi Talha:”Ajo është lumturia.”
Thotë Hasen, Muxhahid dhe Katade:”Jeta e bukur për secilin prej nesh nuk mund të jetë veçse në xhenet.”
Thotë Dahhak:”Jeta e bukur është rizku hallall dhe adhurimi i Zotit në këtë botë. Ajo simbolizon veprat e mira dhe prehjen që ato të falin.”
Në fakt, jeta e bukur i përfshin të gjithë kategoritë që cekëm më lart.
Thotë Shenkitij në Advaul Bejan:”Ajeti përmban një sinjal të fuqishëm, që qëllimi me jetën e bukur, është jeta e kësaj bote. Nëse do të supozonim se qëllimi me jetë të bukur, është jeta e xhenetit, vargu do të ishte i tillë:” “Vërtet, Ne do t’i shpërblejmë ata që kanë duruar sipas veprave më të mira që kanë bërë.” (Nahl, 96) në vend të:” Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahl, 97)
Pra, jeta e bukur e premtuar në ajet, do të realizohet në këtë botë. Ajo është një oazë për këdo që beson Zotin dhe vepron punë të mira. Jeta e mirë, nuk është ashtu siç e mendojnë shumë njerëz, zhytja në të mira materiale. Thotë autori i “Nën hijen e Kuranit:”Në jetë, ekzistojnë shumë gjëra të tjera që e bëjnë jetën të këndshme, përveç pasurisë së shumtë. Ndër to, janë lidhjet me Zotin, besimi dhe siguria tek Ai, prehja dhe qetësia që të fal përkujdesi hyjnor, kënaqësia dhe dhembshuria e Tij. Aty hyjnë shëndeti, prehja shpirtërore, të qenit i kënaqur, bereqeti, harmonia familjare dhe dashuria, gëzimi pas çdo vepre të mirë, ndërgjegjja e pastër etj… Pasuria nuk është veçse një element i jetës së bukur. Ajo e kryen funksionin e saj sado pak të jetë, nëse është e lidhur me shpërblimin më të madh, më të dëlirë dhe të përhershëm që e pret tek Zoti. Jeta e mirë në këtë botë, nuk e pakëson aspak shpërblimin e botës tjetër.”
Thënie të atyre që e kanë shijuar jetën e bukur
Ibrahim ibnu Ed’hem. Një ditë, ai ua tha miqve të tij:”Nëse mbretërit dhe soji i tyre do e zbulojnë lumturinë dhe kënaqësinë që përjetojmë, do na e rrëmbenin me shpata nëse do u mundësohej.”
Thotë Ibnul Xheuzij në librin Sajdul Hatir duke komentuar thënien e mësipërme:”Fjala e tij është e vërtetë, sepse mbreti kur ha diçka, e ha plot frikë se mos dikush e ka helmuar. Kur shtrihet të flejë, ai fle si lepur i trazuar nga frika se mos dikush orvatet ta vrasë. Ai jeton brenda hekurave, pa iu dhënë mundësia të shëtisë i lirë. Por edhe nëse guxon dhe del, ndihet në siklet dhe në panik edhe nga njerëzit më të afërt. Kënaqësitë e tij, janë akull të ftohta. Ai nuk shijon dot as ushqimin dhe asnjë kënaqësi tjetër. Kur i serviren ushqimet më të mira, i ikën oreksi dhe i humbet dëshira për të ngrënë. Kur i ofrohen skllavet më të bukura, ligështohet dhe i humbet fuqia. Ai që ushqehet edhe pse është i ngopur, nuk e shijon ushqimin. Ai që shtrihet me gruan apo skllavet pa e ndjerë të nevojshme, nuk e shijon kënaqësinë, ashtu siç e shijon beqari kur martohet dhe i urituri kur i ofrohet ushqim. I varfëri e hedh veten në një qoshe rruge dhe fle për shtatë palë qejfe, krejt i qetë dhe i sigurt, gjë e cila u mungon mbretërve. Betohem në Zotin se nuk njoh tjetër kënd që ka jetuar krenar, me ballin lart dhe i kënaqur, përveç dijetarëve të sinqertë, si Hasani, imam Ahmedi, Sufjani etj… Kënaqësia dhe ëmbëlsia që të falin dijet, e kapërcen çdo lloj kënaqësie tjetër.”
Imami Ibnu Tejmije. Nxënësi i tij i zellshëm Ibnul Kajjim na rrëfen disa momente nga jeta e tij:”E kam dëgjuar një ditë të thotë:”Në këtë jetë, ekziston një xhenet. Kushdo që nuk e shijon atë, nuk do e shijojë xhenetin e botës tjetër.”
Një herë më tha:”E çfarë mund të më  bëjnë armiqtë mua?! Unë e kam xhenetin tim në kraharor. Kudo që shkoj, ai vjen me mua dhe nuk më ndahet. Burgosjen time, e konsideroj si rast për tu veçuar me Zotin. Vrasjen e konsideroj martirizim dhe syrgjynosjen si turizëm.”
Gjatë ditëve të burgut në kala, më thoshte:”Nëse do jepja flori sadaka sa gjysma e kësaj qelie si mirënjohje për këtë mirësi, nuk do të mjaftonte. Unë nuk mund ti shpërblej për të mirën që më kanë bërë.”
Kur binte në sexhde gjatë ditëve të burgut, ai thoshte:”O Allah! Më ndihmo të përkujtoj, të falënderoj dhe adhuroj sa më shumë.”
Një herë më tha:”I burgosur është ai që e ka burgosur zemrën në këtë botë, larg Zotit. Sakaq rob i vërtetë, është ai të cilin e ka robëruar epshi.”
Kur hyri në kala dhe pa muret e saj, citoi ajetin e Kuranit:”Dhe, ndërmjet tyre, do të vendoset një mur me portë: brenda saj ka mëshirë, kurse jashtë saj ka dënim.” (Hadid, 13)
Thotë Ibnul Kajjim:”Nuk kam parë njeri të bëjë jetesë më të mirë, me gjithë kushtet e vështira dhe papasurinë, burgimin, shantazhet dhe vuajtjet. Megjithatë, ai vazhdonte ta shijojë jetën, ishte zemërgjerë, zemërmadh, shpirtgjerë dhe buzëqeshja nuk i shqitej nga fytyra. Sa herë që ndiheshim të frikësuar dhe të kërcënuar, shkonim tek ai, prej të cilit dëgjonim fjalë të ngrohta të cilat na e largonin panikun, madje na falnin vendosmëri dhe qetësi. I pa të meta është Ai që robërve të mirë ua fal xhenetin e kësaj bote, para xhenetit të botës tjetër.” (Elvabil Essajib)
Një njeri i mirë dhe i ditur thotë:”Në disa çaste, zemra ime përjeton ndjenja të tilla, saqë them: Sikur banorët e xhenetit të mos kenë kënaqësi tjetër përveç kësaj që ndjej unë, do u mjaftonte.”
Një njeri me shpirt të madh thotë:”Të mjerë janë njerëzit e kësaj bote. Ata shkëputen nga kjo botë, pa shijuar pjesën më të mirë të saj.” Dikush e pyeti:”E çfarë qenka ajo?!” Ai u përgjigj:”Dashuria për Zotin, malli për ta parë Atë, takimi me Zotin, kthimi drejt Tij dhe distancimi nga çdo gjë tjetër.” (Medarixh Salikin)
Dikujt mund ti duket e pamundur ta arrijë këtë gradë dhe shkallë të lartë “mirëqenieje”, duke thënë se ata i përkasin brezit të dijetarëve dhe njerëzve të dashur të Zotit etj…
Në fakt, ky është një botëkuptim i gabuar, sepse Zoti nuk ia ka premtuar këtë begati vetëm disa njerëzve, numri i të cilëve është sa gishtat e dorës. Nën fakt, kushdo që realizon dy kushtet e përmendura në ajetin e cituar në fillim, mund të jetojnë një jetë të bukur. Thotë Zoti në Kuran:”Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahl, 97)
E lusim Zotin të na japë nga mirësitë dhe begatitë e Tij të pafund!

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit