2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Zemra boshe e nënës së Musait a.s

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Zemra boshe e nënës së Musait a.s

Hyrje
 
Vdekja e fëmijëve është caktim i Zotit të madhëruar. Duke qenë se vdekja është një realitet i pashmangshëm dhe që nuk fal askënd, familja – dhe sidomos nëna – e ndjen më shumë humbjen dhe vdekjen e ndonjërit nga fëmijët. Me gjithë hidhërimin dhe pikëllimin për një farë kohe, në fund të gjithë i dorëzohen vullnetit të Zotit dhe fillojnë të ambjentohen me realitetin e ri.
Kurse humbja e fëmijës, shkëputja e çdo lidhjeje me të dhe mosnjohja e fatit të tij, është nga fatkeqësitë më të rënda për prindërit. Ata nuk e dinë as të gjallë që të shpresojnë në kthimin e tij dhe as të vdekur që t’a mbledhin mendjen.
Sa më shumë të jetë e lidhur nëna me fëmijën, aq më të rëndë dhe të vështirë e ka ndarjen me të. Këtë do e shohim më mirë në historinë e nënës së Musait a.s, kur e urdhëroi Zoti t’a hedhë foshnjen e saj të dashur në lum. Duke trajtuar këtë histori, do të përmendim dhe shpërblimin e prindërve në rast se një fëmijë u ndahet nga jeta. Ashtu siç do të përmendim vullnetin e çeliktë të nënës së Musait a.s, treguesit dhe forma me të cilat forcohet vullneti.
 
Nëna e Musait a.s.
 
Thotë Zoti i madhëruar në suren Kasas:”Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët.” (Kasas, 10)
Thotë Abdullah ibnu Abasi mbi komentin e këtij ajeti:”Zemra e saj u boshtatis nga çdo gjë tjetër të kësaj bote, përveç Musait a.s. Për shkak të dhimbjes dhe hidhërimit ajo gati sa nuk e publikoi hallin e saj. Ishte Zoti i madhëruar Ai që i dha forcë t’a përmbajë veten.” (Ibnu Kethir 3/506)
Zemra e saj ndihej aq boshe dhe e pikëlluar, saqë për pak do u tregonte familjes mbretërore që djali që kishin gjetur ishte i saj. Ishte besimi dhe forca që i dha Zoti ai që e përmbajti. Është besimi ai që të ndalon nga të bërit keq dhe të shtyn drejt veprave të mira. Është e vërtetë që ky është djali yt dhe ti je shumë e dhënë pas tij, por nëse këtë do ia tregosh Faraonit dhe suitës së tij, do e vrasin menjëherë. Por Zoti ka vendosur diçka tjetër dhe nuk dëshiron që djali yt të vritet.
Duket qartë që nëna e Musait a.s, edhe pas forcës dhe kurajos nga ana e Zotit, e kishte të vështirë t’a hedhë të porsalindurin e saj në lum. Në mendjen e saj silleshin mendime nga më të ndryshmet. Foshnja i saj i porsalindur, ishte i rrezikuar në atë arkë në mes të lumit dhe mund të mbytej kurdo. Për këtë, Zoti e qetësoi me fjalët:”…hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim.” (Kasas, 7)
Mos u frikëso për të ardhmen e djalit tënd, pasi do e çojmë në një familje e cila do e edukojmë më mirë se ç’mund t’a edukosh ti në atë shtëpi të varfër. Ai do të edukohet në pallatin e mbretërve të Egjyptit. Gjithashtu nuk ka përse të dëshpërohesh, pasi kompensimi do të jetë më i madh se humbja. Ji e qetë, pasi djali yt do të jetojë në luks dhe do të edukohet siç duhet, pasi është nën përkujdesjen e vetë Zotit të madhëruar. Fakti që do të jetë larg teje, mos të të dëshpërojë, pasi kjo ndarje do të të shpërblehet dhe kompensohet. Me anë të djalit tënd, Zoti do i japë fund pushtetit të dhunshëm të Faraonit. Me anë të djalit tënd, Zoti do risjellë jetën sipas dispozitave të Tij mbi tokë.
Ajo që ndodhi më pas, është se  Faraoni caktoi nënën e Musait a.s si gjidhënëse të tij. Kështu, u realizua premtimi i Zotit:” Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë”
Zoti ia ktheu nënës foshnjen të cilën e kishte hedhur në lumë, në një formë e cila nuk i shkon askujt në mendje. Me t’a marrë familja e Faraonit Musanë foshnje, filluan t’i ofrojnë disa gjidhënëse, por ai i refuzoi të gjitha. Kjo gjendje vazhdoi derisa i sollën nënën e tij (pa e ditur që është e ëma), tek e cila pranoi të pijë qumësht. Kështu, Zoti ia ktheu nënës djalin e saj me qëllim që t’a gëzojë, t’i largojë mërzinë dhe që të ketë besim në premtimet e Zotit.
 
Tekste që flasin mbi shpërblimin në rast të humbjes së fëmijës
 
Transmeton Abdullah ibnu Mesudi – Zoti qoftë i kënaqur me të – se Profeti a.s ka thënë:”Nuk ka një çift musliman që u vdesin tre fëmijë që nuk kanë mbushur moshën e pjekurisë, veçse do të jenë mburojë për prindërit nga zjarri.”
Ebu Dherri ndërhyri dhe e pyeti:”O i dërguar i Allahut! Mua më kanë vdekur vetëm dy fëmijë!”
Profeti a.s iu përgjigj:”Edhe dy po të jenë.”
Ubej ibnu Kab Ebu Mundhir i tha:”Kurse mua më ka vdekur vetëm një.”
Dikush ia transmetoi këtë Profetit a.s dhe ai tha:”Një shpërblim i tillë arrihet nëse bëhet durim në goditjen e parë.” (Musned imam Ahmed 1/375 hadithi nr 3554)
Transmeton Ebu Hurejre  – Zoti qoftë i kënaqur me të – se Profeti a.s ka thënë:”Thotë Zoti i madhëruar:”Robi im besimtar nuk ka shpërblim tjetër veç xhenetit, nëse duron kur i vdes një i dashur i tij.” (Buhariu  5/2361, hadithi nr 6060)
Transmeton Muadh ibnu Xhebel – Zoti qoftë i kënaqur me të – se Profeti a.s ka thënë:”Betohem në Atë që ka shpirtin tim në dorë! Embrioni do e tërheqë nënën e tij për kërthize drejt xhenetit, nëse ka duruar dhe shpresuar shpërblimin e Zotit.” (Ibnu Maxhe 1/513, hadithi nr 1609)
Transmeton Ebu Hurejre  – Zoti qoftë i kënaqur me të – se Profeti a.s ka thënë:”Kur një robi të mirë i vdes fëmija, Zoti i pyet melekët:”A e morët fëmijën e robit Tim?” “Po, o Zot”–i përgjigjen melekët.
“A e morët frutin e zemrës së tij?” –i pyet përsëri Zoti.
“Po, o Zot”–i thonë melekët.
“Po çfarë tha robi Im?” –pyet Zoti.
Melekët i përgjigjen:“Të falenderoi Ty, o Zot dhe tha që të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi”.
Atëhere do t’u thotë Zoti: “I ndërtoni atij një shtëpi në xhennet dhe quajeni shtëpia e falenderimit.” (Tirmidhij, 3/341, hadithi nr 1021)
 
Libër i dobishëm
 
Një libër i dobishëm që vlen për raste të tillë është “Berdul Ekbad inde fakdil eulad” (Çarja e mëlçisë, nga humbja e fëmisë). Autori i librit është Muhamed ibnu Abdulla që ndryshet njihet me emrin Ibnu Nasirudin Dimeshkij. Në këtë libër, autori ka koleksionuar shumë tekste dhe histori, të cilat u japin zemër prindërve në rast vdekjeje ose humbje të fëmijës.
 
Humbja e fëmijëve tek kafshët
 
Mëshira e nënës për fëmijë, i kalon kufinjtë e njerëzores. Atë e hasim fuqishëm edhe në botën e kafshëve. Thotë Abdullah ibnu Mesudi – Zoti qoftë i kënaqur me të –:
“Ishim me të dërguarin e Zotit a.s gjatë një udhëtimi. Ndërkohë që ai u ndal për nevojat e tij, ne pamë një zog me dy zogj të vegjël. Ne ia morëm dy zogjtë e vegjël dhe nëna e tyre filloi të fluturojë sipër nesh e shqetësuar. Kur u kthye Profeti a.s dhe e pa zogun e shqetësuar tha:”Kush e ka frikësuar dhe i ka marrë të vegjëlit?! Kthejani menjëherë zogjtë e saj!” (Sunen Ebu Daud 2/61, hadithi nr 2675)
 
Ku nevojitet vullneti dhe forca?
 
Kur njeriu tundohet nga bukuria e femrës, pasuria dhe fëmijët – Luksi dhe rehatia – Fatkeqësitë – Vesveset e shejtanit – Sprova e postit.
 
Treguesit e vullnetit të fortë
 
1 – Të qënit nismëtar për vepra të mira. Transmeton Eub Hurejre – Zoti qoftë i kënaqur me të – se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Shpejtoni në shtatë gjëra… ! Mos prisni fukarallëk hutues, pasuri shthurrëse, sëmundje shkatërruese, pleqëri me përçartje, vdekje të gatshme, dexhallin, një të keqe të pritshme, apo Ditën e Kijametit që është më e hidhur.” (Tirmidhij 4/552 hadithi nr 2306)
2 – Optimizmi për një të ardhme më të ndritur. Kjo, pasi pesimizmi e ngadalëson gjithmonë aktivitetin.
3 – Pritja e ngjarjeve me durim dhe kurajo. Thotë Profeti a.s:”Kërko ndihmë nga Zoti dhe mos i shih gjërat të pamundura! Nëse të ndodh diçka e papritur, thuaj:”Ishte caktim i Zotit që vendos për gjithçka! Dhe mos thuaj:”Nëse do kisha vepruar kështu e ashtu do ndodhte kështu e ashtu. Pasi sikur, hap portën e shejtanit.” (Muslim 4/2052 hadithi nr 2664)
4 – Vetëpërmbajtja në rast zemërimi. Thotë Profeti a.s:”I fuqishëm nuk është ai që ka fizik të fuqishëm, por ai që përmban veten në rast gjaknxehtësie.” (Buhari 5/2267 hadithi nr 5763)
Thotë Aisheja:”Profeti a.s kurrë nuk është hakmarrë për veten e tij, veçse kur shkileshin urdhërat e Zotit.” (Buhari 6/2491 hadithi nr 6404)
Kurse Lukmani i urtë e këshillonte djalin e tij me fjalët:”…dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve!” (Lukman, 17)
Këto ishin disa tregues të vullnetit të fortë tek njeriu. (Moralet islame, Abdurrahman Habneke, 2/121-168)
 
Si t’a forcojmë vullnetin?
 
1 – Duke forcuar besimin në Zotin, cilësitë dhe caktimin e Tij.
2 – Duke e praktikuar.
3 – Duke kryer adhurime të cilat kërkojnë mund dhe durim, si namazi (i cili ndalon nga veprat e liga) dhe agjërimi (që forcon vullnetin).
 
Një ndodhi mbi trimërinë e shtirur
 
Një bashkëshort e pregatiste veten që para se t’i vdesë e shoqja e sëmurë. Megjithatë, kur i vdiq u shokua. Ai u përpoq t’a mbajë veten sidomos para tre fëmijëve. Ata e ndjenin boshllëkun që linte vdekja e nënës, prandaj nuk kishte përse t’ua shtonte dhimbjen dhe pikëllimin, duke e parë babanë të tronditur.
Ai u përpoq t’i qetësojë dhe i siguroi se asgjë nuk do të ndryshojë. Duke mos dashur që asnjë nga familjarët e tjerë të ndërhyjë në jetën e tyre, mori edhe pushimet derisa t’a kalonin këtë gjendje. Më pas, iu kthye punës duke dashur t’u tregojë fëmijëve se gjërat janë siç kanë qenë dhe duke menduar se gjithçka është në rregull. Por ajo që ndodhi është se ra në një gjendje depresioni të thellë dhe u detyrua të kalojë disa kohë në spital derisa të qetësohej. Kjo gjendje ia shtoi merakun dhe stresin për fëmijët akoma më shumë. Vetëm fal ndërhyrjes së nënës së tij, e cila filloi të kujdeset për fëmijët dhe banonte në shtëpinë e tyre, ky prind filloi t’a marrë veten.
Ky baba mori një mësim të mirë me këtë rast: Ai nuk duhej të hiqej si trim dhe i paepur në raste fatkeqësish. Ai nuk ka përse të jetë baba dhe nënë në të njëjtën kohë. Është e drejtë e çdo njeriu që t’a shprehë hidhërimin dhe mërzinë për një farë kohe. Ai duhet t’i japë kohë si vetes ashtu dhe fëmijëve që të mësohen me kushtet dhe situatën e re. Ashtu siç duhet të përpiqet të ndryshojë programin ditor të vetes dhe fëmijëve, me qëllim që të mos e ndjejnë mungesën e nënës shumë. Një kontribut të veçantë në këtë kontekst, do të jepte vizita e gjyshit dhe gjyshes së fëmijëve herë pas here. Kjo, derisa të kalohet situata e tensionuar dhe e ngarkuar me hidhërim dhe stres.
 
Përfundim
 
Mësimi më i rëndësishëm që nxjerrim nga historia e Musait a.s dhe nënës së tij, është rëndësia e vullnetit të çeliktë. Edhe pse ndjenjat prindërore janë të pathyeshme, ndjenja të cilat nuk krahasohen me gjë tjetër në këtë botë, njeriu – baba qoftë apo nënë – duhet të mos nxitet nga ndjenjat dhe emocionet, drejt veprave të cilat mund t’a dëmtojnë atë ose fëmijët në të ardhmen.
Vullneti është arma e njeriut, me të cilën arrin të triumfojë ndaj presioneve dhe problemeve të shumta familjare. Vullneti është një mirësi dhe begati e dhënë nga Zoti, nëse dimë t’a shfrytëzojmë siç duhet.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit