0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Zekerija a.s dhe pamundësia për të lindur

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Zekerija a.s dhe pamundësia për të lindur

Hyrje
 
Pamundësia për të lindur fëmijë, që prek njërin nga dy bashkëshortët, është nga caktimi i Zotit të madhëruar. Thotë Zoti në Kuran:”I Allahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë. Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza; e, kë të dojë e lë pa fëmijë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm.” (Shura, 49-50)
Edhe pse të mos kesh mundësi të lindësh fëmijë është ndër fatkeqësitë dhe provat më të rënda, muslimani duhet të durojë, të ndjejë dhe sjellë ndërmend shpërblimin e Zotit.
Më poshtë, ne do të flasim mbi pamundësinë për të lindur, të konkretizuar në historinë e profetit Zekerija a.s, duke përmendur pasojat psikologjike që lë tek bashkëshortët, urtësinë dhe mënyrën e trajtimit të kësaj sprove.
 
Zekerija a.s dhe bashkëshortja e tij sterile
 
“Kaf, Ha, Ja, Ajn, Sad. Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij – Zekerijas. Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë (duke thënë): “O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im! Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!”  “O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë”.  Ai tha: “O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur gruaja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!” I tha: “Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje”. (Zekerija) tha: “O Zoti im, më jep ndonjë shenjë!” Ai tha: “Shenja jote do të jetë se nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri net, ndonëse do të jesh i shëndoshë.” (Merjem, 1-10)
Ai e luste dhe i përgjërohej Zotit larg syve dhe veshëve të njerëzve. Ai ishte veçuar në një vend dhe i përshpirtej Zotit me sinqeritet dhe zemër të pastër. Atij i qante hallin që i kishte rënë, hall që i rëndonte mbi supe dhe i turbullonte zemrën. Ai thërriste dhe lutej gjithë përkushtim “Zoti im!”, duke mos përdorur as pasthirrmën “O”.
Kjo, edhe pse e dinte që Zoti i tij e dëgjon pa e thirrur dhe pa iu lutur. Ishte halli ai që e bënte të ndihet më i qetë teksa ankohej dhe e shprehte të keqen. Zoti është i Gjithëmëshirshëm me robët e Tij, u përgjigjet kërkesave dhe lutjeve të tyre. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:” Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir, 60)
Thotë Shenkitij rreth kuptimit të ajetit:”Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit.”
Unë druhem se mos të afërmit e mi, kushërinjtë dhe njerëzit e gjakut të humbasin fenë pas meje, duke mos pasur asnjë njeri që do e mbajë fenë e Zotit. Prandaj më jep një fëmijë, i cili do të trashëgojë dhe mbajë të gjallë fenë ashtu siç duhet. ” (Advaul Bejan, 4/206)
Përkujdesja dhe dhembshuria e Zotit, demonstrohet fuqishëm në ato çaste kur ia pranoi lutjen Zekerijas a.s. Në ato çaste, Zoti i tha:“O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë”. 
Ishte vetë Zoti i madhëruar Ai që e zgjodhi këtë emër për djalin e Zekerijas a.s. Jahja është një emër i rallë dhe i panjohur më parë.
Kështu, sihariqi nuk konkludonte thjesht në lindjen e një djali, por edhe se ky djalë do të besonte në fjalën e Zotit (profeti Isa a.s). Isai a.s njihet ndryshe si “fjala e Zotit” pasi u krijua dhe u formua në barkun e nënës së tij, me fjalën e Zotit “Bëhu dhe u bë”. Ai u krijua pa baba dhe do të jetonte si fisnik, i distancuar nga gjynahet, i ndershëm dhe profet.
Kurtubiu sjell disa mendime të ndryshme mbi arsyen përse u quajt Jahja me këtë emër.
Thotë Katade:”Është quajtur Jahja, pasi me anë të tij Zoti do të ngjallte besimin dhe profecinë.”
Disa dijetarë të tjerë thonë:”Iu vu ky emër, pasi Zoti ngjalli njerëzit me udhëzim hyjnor.”
Mukatil thotë:”Emri i tij rrjedh nga emri i Zotit El-hajj.” Gjithashtu, thuhet se me anë të  Jahjas, Zoti aktivizoi mitrën e nënës së tij.” (Tefsiri i Kurtubiut, 4/59)
Thotë Ibnu Abasi dhe Dahhak:”Ditën që Zekerija u përgëzua me djalë, ishte njëqind e njëzet vjeç. Kurse e shoqja ishte nëntëdhjetë e tetë vjeçe.” (Tefsiri i Kurtubiut, 4/79)
Zekerija a.s u çudit për këtë sihariq dhe gëzua pa masë. Ai e luste Zotin që t’i japë pasardhës të hajrit, edhe pse e dinte se është i shtyrë në moshë dhe i janë thinjur flokët. Ai gjithashtu e dinte se gruaja e tij ishte sterile që kur kishte qenë e re. Megjithatë, ai e luste Zoti dhe ishte këmbëngulës. Me gjithë moshën e shtyrë, flokët e thinjur, trupin e lodhur, kockat e dobësuara etj… ai vazhdonte t’i përgjërohet Zotit që t’i dhurojë një djalë. Edhe pse e dinte që ishte e pamundur të lindë, ai këmbënguli dhe u lut me përkushtim. Thuhet se ai u drejtohej njerëzve me fjalët:”A e shihni gjendjen dhe situatën time? A i shihni mirësitë e Zotit tek unë? A mund të ketë gjë që e pengon vullnetin e këtij Zoti Bujar dhe të Plotfuqishëm?!”
Kur mori sihariqin për djalin, ai i tha Zotit:”Ai tha: “O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur bashkëshortja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!”
Ai ishte një i moshuar dhe i dobët me një grua sterile. Si do i lindte fëmija në këto kushte? Edhe pse Zekerija ishte i sigurtë në premtimin e Zotit, ai dëshironte të qetësohej. Në këto kushte, i vjen përgjigja tjetër:“Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje”.
Zoti që e ka bërë bashkëshorten tënde sterile, e ka në dorë që t’ia kthejë aftësinë për të lindur sërish. Zekerija i tha:”(Zekerija) tha: “O Zoti im, më jep ndonjë shenjë!” Ai tha: “Shenja jote do të jetë se nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri net, ndonëse do të jesh i shëndoshë.”
Përse kërkonte Zekerija një shenjë për djalin? Ai nuk kishte asnjë dyshim në premtimin e Zotit, por kërkonte një shenjë që të bindej se djali i tij kishte marrë formë në barkun e gruas së tij. Me fjalët e mësipërme, Zekerija sikur i thoshte:”O Zot! Mos më lër t’a kuptoj këtë nëpërmjet shenjave të jashtme. Unë dua të jetoj në kuadër të falenderimeve dhe mirënjohjes për këtë mirësi. Që në çastet kur të ndodhë fekondimi, unë dua të të falenderoj për këtë mirësi. Unë kam frikë se mos kjo mirësi më gjen të angazhuar me diçka tjetër dhe jo duke të të falenderuar ty.
Kështu, shohim që Zekerija nuk kërkonte shenja që të bindet për aftësitë dhe forcën e Zotit. Ai i kërkonte shenjat me qëllim që të fillojë t’a falenderojë Zotin që në çastet e para të fekondimit.
 
Dallimi mes fjalës “grua” dhe “bashkëshorte” në Kuran
 
E veçantë është se Kurani famëlartë bën dallim mes fjalës grua dhe bashkëshorte. Kur përmendi të shoqen e Zekerijas a.s, para se të lindë e quajti atë grua. “O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur gruaja ime është beronjë”
Kurse kur e përmendi pasi mbeti shtatzënë, e quajti bashkëshorte. “Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë bashkëshorten të aftë (për lindje).” (Enbija, 90)
Kështu, Kurani e quan një femër të martuar por pa fëmijë, grua të burrit. Nëse ajo nuk lind, quhet grua e burrit për arsye biologjike. Kurse nëse është jobesimtare, quhet gjithashtu grua e burrit, por në këtë rast për arsye spirituale. Kurani famëlartë, i ka quajtur gra dhe jo bashkëshorte, gruan e Nuhut a.s, Lutit a.s dhe të Faraonit.
Nëse gruaja lind dhe është besimtare, ajo quhet bashkëshorte, pasi ekziston harmonia dhe mirëkuptimi mes tyre.
Kur gruaja e Zekerias u bë e aftë për të lindur, tashmë nuk ishte vetëm një grua, por edhe bashkëshorte. Kjo, pasi për bashkëshortësi nevojitet njëfarë harmonie shpirtërore por edhe shpirtërore. Gruaja e Zekerias a.s tashmë ishte e aftë për të mbetur shtatzënë dhe nuk ishte thjesht një grua. Ajo tashmë ishte bashkëshorte me kuptimin e plotë të fjalës.
Pamundësia për të lindur dhe pasojat psikologjike.
 
Pamundësia për të lindur, mund të shkaktojë probleme të rënda në jetën familjare. Këto probleme mund të arrijnë deri në divorc mes bashkëshortëve, ose që burri të martohet dhe me një tjetër.
Bashkëshorti, ose bashkëshortja që është steril, mund të ndihet i/e privuar dhe në një nivel më të ulët se të tjerët që nuk e kanë këtë problem, gjë e cila krijon komplekse psikologjikë tek ai/ajo. Disa ia atribojnë sterilitetin jetës së shfrenuar seksuale para martesës, disa të tjerë ia atribojnë abuzimit me masturbimin dhe e shohin pamundësinë për të lindur si ndëshkim nga ana e Zotit.
Kjo ndjenjë mëkati, mund t’a bëjë të sillet në mënyrë të pakontrolluar dhe perverse me të shoqen, duke e kthyer pamundësinë për të lindur në sjellje të dhunshme ndaj saj.
Pamundësia për të lindur, mund t’a bëjë bashkëshorten të sertë dhe të dhunshme ndaj bashkëshortit të saj steril. Ajo mund t’i kërkojë t’i sigurojë të ardhmen, mund t’i kërkojë t’i blejë prona të patundshme, pasuri etj… Në një rast të tillë, marrëdhëniet mes tyre acarohen dhe bëhen konfliktuale.
Thotë Helen Doitch:”Burri dhe gruaja, kur zbulojnë se tjetri është steril,  stimulon egomaninë dhe agresivitetin. Një grua, kur e zbulon se është sterile, mund të bëhet egoiste dhe agresive kundër të shoqit, komshinjve dhe familjarëve.” (Meusua nefsije xhinsije, autor Abdul Munim Hanefij faqe 267)
 
Urtësia e impotencës (drejtësia)
 
–         Rrit dhe rrënjëson nivelin e dialogut mes dy bashkëshortëve.
–         Redukton temat konfliktuale dhe e kufizon vetëm në çështje të caktuara.
–         Shton produktivitetin në punë dhe në jetën e përditshme.
–         I bën bashkëshortët të rrisin besimin dhe të mbështeten tek forcat e tyre, sidomos në vitet e para të jetës bashkëshortore.
 
Si t’a trajtojmë problemin e impotencës?
 
1 – Familjet që vuajnë nga pamundësia për të lindur fëmijë, duhet të bisedojnë mbi çështje me tematikë të ndryshme. Ashtu siç duhet të ndjekin metodat e reja të kurimit të kësaj sëmundjeje. Diçka e tillë, padyshim ndikon në shtimin e shpresës për t’u kuruar.
2 – Mos u bezdis nga pyetjet e njerëzve të afërt.
3 – Largoji mendimet e këqija të cilat e shkatërrojnë të ardhmen dhe të tashmen tënde. Mos e konsidero lindjen e fëmijëve, dëshminë e vetme për të qenë grua e përsosur dhe perfekte. Përsosmëria i takon vetëm Zotit të madhëruar.
4 – Nuk është keq që t’i hapeni njëri tjetrit, në raste kur ndiheni keq.
5 – Ruajin sekretet e njëri-tjetrit dhe përpjekjet që bëni për t’u kuruar. Kjo, me qëllim që të shmangni ndërhyrjet e të tjerëve.
6 – Shfrytëzoni kohën e lirë për të bërë diçka pozitive, në vend që të vrisni kohën duke menduar keq.
7 – Shpresë…shpresë… shpresë… Jeta bëhet e bukur vetëm me shpresë dhe e vështirë me dëshpërim dhe humbje shpresash. Sa e sa raste ka pasur kur doktorët i kanë prerë shpresat për të pasur fëmijë, por Zoti i madhëruar ka hapur dyert e mëshirës dhe u ka dhënë fëmijë?
8 – Disa punë, i kryeni bashkërisht, gjë e cila i forcon lidhjet bashëshortore.
9 – Lutu sa më shumë me lutjen që u lut vetë Zekerija a.s “(Kujtoje) Zekerijan, kur iu lut Zotit të vet: “O Zoti im, mos më lër vetëm (pa fëmijë), e Ti je trashëgimtari më i mirë.” (Enbija, 89)
10 – Vendimet tuaja rreth të ardhmes tuaj bashkëshortore, le të burojnë nga zemra. Nëse gruaja vendos të divorcohet nga i shoqi, fillimisht le të krahasojë mes avantazheve dhe disavantazheve të një vendimi të tillë. E njëjta gjë vlen dhe për burrin. Bashkëshortët që kanë marrë vendime të tilla pa u bindur fillimisht, janë penduar më vonë, pasi mendonin se fëmijët janë baza e vazhdueshmërisë së një martese të lumtur. Rreth pamundësisë për të lindur dhe divorcit, thotë Thekil Shemrij:”Nëse gruaja kërkon divorcin për shkak se i shoqi është impotent dhe nuk ka mundësi t’i japë fëmijë, kjo kërkesë shihet nga dy këndvështrime:
– I pari, nga këndvështrimi legjislativ islam (fikh): Gruaja gëzon të drejtën që të kërkojë divorcin, pasi i shoqi nuk është i aftë për t’i dhënë fëmijë, gjë e cila është e drejtë e saj. Kjo është një e drejtë e natyrshme e çdo femre dhe nëse e kërkon këtë të drejtë, askush s’ka përse t’ia mohojë. Gjithashtu, nëse nuk e kërkon këtë të drejtë, është përsëri e drejta e saj.
– Kënvështrimi i dytë, ka të bëjë me anën proçeduriale në gjykatë: Çdo shtet ka një proçedurë të caktuar për çështje të tilla. Këto proçedura ndryshojnë nga një shtet në tjetrin, përsa i përket kohës që i duhet gjykatës për të dhënë vendimin përfundimtar. Në rast se të dy bashkëshortët kanë rënë dakort për t’u divorcuar, gjykata i lehtëson proçedurat dhe i divorcon në kohën më të shkurtër të mundshme. Por nëse njëri prej tyre e refuzon kërkesën e palës që kërkon divorc, gjykata ndjek proçedura të tjera sipas të cilave studiohet jeta e këtij çifti. Nëse vazhdueshmëria e martesës është e dëmshme për njërën palë, kërkohen fakte dhe argumente që të miratohet divorci që e largon dëmin. Nëse faktohet se dëmi dhe vërtetohet se bashkëshortja është e dëmtuar nga kjo martesë, respektohet rregulli i fikhut që thotë:”Dëmi mund të eleminohet.” Ose “Nuk duhet të ketë palë dëmtuese dhe as të dëmtuar”. Duke u bazuar mbi këtë, gjykatësi jep vendimin përfundimtar për divorcin mes çiftit.” (Artikull me temë:”Impotenca dhe divorci. Shejh Thekil Shemrij, revista Al-farha, numri 23 gusht 1998)
 
Ilaçi profetik i impotencës
 
Transmeton Xhabir ibnu Abdilah – Zoti qoftë i kënaqur me të – se një burrë nga banorët e Medines vajti tek Profeti a.s dhe i tha:”O i dërguar i Allahut! Për Zotin deri tani nuk më ka lindur asnjë fëmijë.”
Profeti a.s iu përgjigj:”A bën shumë istigfar dhe a jep sadaka që të të lindin fëmijë?!”
Atëherë filloi ky burrë të bëjë istigfar sa më shumë dhe të japë sadaka. Si rezultat, atij i lindën nëntë fëmijë.” (Sherhu Musned Ebu Hanife, faqe 587)
Ministria e Vakëfeve dhe çështjeve islame në Kuvajt, ka lëshuar një fetva sipas të cilës u lejohet dy bashkëshortëve që e kanë të pamundur lindjen e fëmijëve në rrugë natyrale, të lindin fëmijë me anë të fekondimit artificial. Kjo, me kusht që të përdoren spermatozoidet e bashkëshortit dhe jo të ndonjë mashkulli tjetër dhe të fekondohen me vezoren e bashkëshortes së tij. Një fetva tjetër e lejon dhe ruajtjen e spermës të ngrirë në frigorifer, të një mashkulli i cili për shkak të një kure apo operacioni, mund të mbetet steril, gjë e cila e pengon të krijojë një familje në të ardhmen dhe të ketë fëmijët e tij. (Revista Al-farha numri 23 gusht 1998, faqe 29)
 
Përfundim
 
I gjithë universi, është pronë e Zotit të madhëruar dhe Ai ka të drejtë të sillet si pronar dhe Sundues i gjithëpushtetshëm. E kush jemi ne para madhështisë, dijes dhe urtësisë së Zotit që të themi: Përse ka dashur Zoti që unë/ne të mos kemi mundësi të lindim fëmijë?!
Një pyetje e tillë nuk mund të dalë nga goja dhe zemra e një besimtari. Një besimtar është i bindur dhe i sigurtë në caktimin e Zotit. Një besim dhe bindje e tillë, e bën atë t’i dorëzohet plotësisht vullnetit të Zotit, madje t’a pranojë atë me kënaqësi. Vetë i dërguari i Zotit a.s, ishte shumë i lidhur dhe e donte shumë bashkëshorten e tij dhe nënën e besimtarëve, Aishen. Të gjithë gratë e tjera me të cilat u martua Profeti a.s, ishin të veja ose të divorcuara. Kurse Aisheja ishte gruaja e vetme beqare me të cilën u martua Profeti a.s. Si Profeti a.s ashtu edhe Aisheja, dëshironin të kishin fëmijë dhe pasardhës me njëri-tjetrin. Por Zoti nuk e deshi diçka të tillë. Megjithatë, as Profeti a.s nuk e braktisi Aishen dhe as ajo nuk e braktisi Profetin a.s. Madje, asnjëri nuk ndihej konfuz dhe në siklet për faktin se nuk lindin. Marrëdhëniet bashkëshortore dhe familjare mes tyre ishin më të mirat e mundshme. Ata jetonin të lumtur me njëri-tjetrin, gjë e cila dukej në marrëdhëniet mes tyre. Një tregues i kësaj lumturie dhe dashurie të ndërsjelltë, ishte se Profeti a.s e thërriste me përkëdheli. Edhe pse nuk kishin fëmijë, ai shpesh herë e thërriste nëna e Abdullahut. Me këtë, sikur ia kompensonte vuajtjet dhe mangësinë e fëmijës dhe sikur i thoshte se ndihet sikur të ketë fëmijë me të. Përse të mos e kemi të dërguarin e Zotit, modelin dhe shembullin më të mirë në jetën tonë bashkëshortore dhe familjare?
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit