9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Zëdhënësi i DASh-it: Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, mund ta përshkallëzojë më tutje situatën

Më të lexuarat

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha të martën se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Në konferencën e përditshme me gazetarë zoti Price tha se Shtetet e Bashkuara pajtohen me vlerësimin e Bashkimit Evropian se zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës janë shqetësuese.

“Ato vënë në rrezik përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Largimi i serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për ta përshkallëzuar më tutje situatën në terren. Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqe dhe qëndrueshmëri”, tha zoti Price.

Punonjësit serbë në veriun e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë vendosën të tërhiqen nga të gjitha institucionet vendase pas mospajtimeve me vendimin e qeverisë qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, duke krijuar një situatë të tensionuar në zonë.

Beogradi zyrtar tha se kthimi i tyre do të varet nga veprimet e mëtejme të Prishtinës.

“Veprimet e retorikat që rrisin mundësinë e dhunës, vetëm se vënë në rrezik të panevojshëm jetët e qytetarëve të pafajshëm dhe të trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Kosova e Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara tashmë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Këtu përfshihet edhe fillimi i negociatave për ta themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi Price.

Qeveria e Kosovës më 1 nëntor filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje prej dhjetë muajsh për të shmangur tensionet dhe për të krijuar hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi franko – gjerman që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit Karen Donfried tha më herët të martën se “ne në administratën e (Joe) Bidenit kemi kërkuar një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit të çështjes së targave, jo një zbatim me faza ose zgjatje të pjesshme. Dhe ne do të vazhdojmë ta vëzhgojmë nga afër këtë situatë. Këto diskutime janë në vazhdim, ndaj nuk dua të parashikoj veprime dhe hapa të veçantë që po diskutojmë apo planifikojmë, por jemi shumë të angazhuar në vëzhgimin e situatës”, tha ajo.

Zonja Donfried tha se rruga përpara është dialogu i lehtësuar nga BE-a dhe nëpërmjet tij Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen e ndërsjellë që hap derën e integrimit evropian.

“Dhe ne kemi propozimin franko-gjerman për një rrugë përpara, të cilin gjithashtu e mirëpritëm sepse menduam se ishte e rëndësishme që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vendoseshin në kuadër më të gjerë strategjik në vend që të vazhdohej me përqendrimin në këto çështje më të ngushta të targave”, tha zonja Donfried.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të hënën se Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin e nismës franko-gjermane duke bërë përpjekje të destabilizojë situatën ne veriun e Kosovës, në një referim i qartë në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili tha se Beogradi e ka refuzuar planin franko – gjerman i cili niset nga pohimi se Kosova është shtet i pavarur./VOA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit