Gjatë pandemisë së COVID-19, shkencëtarët e kuptuan se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që kishin kaluar infeksionin, vazhdonin të përjetonin disa simptome të sëmundjes.
Ky fenomen u quajt “COVID i Gjatë” dhe përfshin një gjendje ku simptomat vazhdojnë për tre muaj ose më shumë pas fillimit të sëmundjes.
Simptomat përfshijnë lodhje, probleme me përqendrimin, dhimbje muskujsh dhe nyjash, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke, çrregullime të gjumit dhe probleme kognitivë si “mjegull në tru”.
Kjo gjendje mund të prekë individë nga të gjitha grupmoshat, pa marrë parasysh seriozitetin e infeksionit fillestar, dhe vlerësohet se zhvillohet nga 5-10 për qind e atyre që janë infektuar.
Po ashtu, të dhënat tregojnë se edhe fëmijët nuk janë të mbrojtur nga “COVID-i i Gjatë”.
Pothuajse 5.8 milionë fëmijë në SHBA janë të prekur nga “COVID-i i Gjatë”. Llogaritë në rrafshin global vlerësohet në disa qindra milionë.
Kërkimi për shkakun e “COVID-it të Gjatë”
Derisa deri tani nuk ishte e qartë se çfarë shkakton këto simptoma të zgjatura, shkencëtarët kanë propozuar disa mekanizma biologjikë për ta shpjeguar “COVID-in e Gjatë”, duke përfshirë disfunksione imunitare dhe inflamatore, disbiozë të mikrobiomës, autoimunitet, disfunksion endotelial, sinjalizim të çrregullt neurologjik, reaktivizim të viruseve të herpesit endogjenë dhe mbijetesën e coronavirusit.
Megjithatë, në një artikull të publikuar në numrin e fundit të revistës Medical Journal of Australia (MJA), një grup shkencëtarësh ka arritur në përfundimin, duke u bazuar në studime të shumta, se shumica, nëse jo të gjitha rastet e “COVID-it të Gjatë”, shkaktohen nga viruse që kanë mbetur të fshehura në trup dhe vazhdojnë të riprodhohen.
Pak kohë pas fillimit të pandemisë, u kuptua se tek disa individë, virusi SARS-CoV-2, ose të paktën mbetjet e tij, mund të qëndrojnë për periudha të gjata në disa indet dhe organe të trupit. Ky fenomen është i njohur si “përhershmëria virale”.
Pavarësisht se tani është e qartë se mbijetesa e fragmenteve të virusit në trupin e disa individëve është e vërtetuar mirë, mbetet e pasqaruar nëse viruse të gjalla mbeten ende në trupat e atyre që kanë kaluar sëmundjen, dhe nëse janë ata që shkaktojnë “COVID-in e Gjatë”.
Përse është e rëndësishme të dimë shkakun?
Autori i punimit të ri në MJA thekson se ky dallim është kyç, pasi virusi i gjallë mund të trajtohet me qasje antivirale specifike në mënyra që fragmente të “vdekur” virale nuk mund.
Përhershmëria virale ka dy pasoja të rëndësishme.
Kur ndodh tek individë me imunitet të dobët, ajo mund të bëhet burim i varianteve të reja dhe të ndryshme, si JN.1.
Ka mundësinë të vazhdojë të shkaktojë simptoma tek shumë individë në popullatën më të gjerë, gjatë një periudhe të gjatë pas sëmundjes akute.
Konfirmimi i tezës për infeksionin e qëndrueshëm
Edhe pse nuk ka asnjë studim që konfirmon në mënyrë të pakundërshtueshme dhe drejtpërdrejtë se virusi i qëndrueshëm është shkaku i “COVID-it të Gjatë”, një sërë studimesh të kohëve të fundit fort mbështesin një përfundim të tillë.
Për shembull, një studim i publikuar në shkurt në revistën Nature tregoi se një numër i madh i njerëzve me simptoma të lehta të COVID-19 regjistruan një periudhë të zgjatur të nxjerrjes së materialit gjenetik të virusit, të ashtuquajturën RNA virale, nga rrugët e frymëmarrjes. Ata që kishin nxjerrje të qëndrueshme të kësaj RNA-je virale, që praktikisht nënkupton praninë e virusit të gjallë, kishin një rrezik 50 për qind më të lartë për zhvillimin e “COVID-it të Gjatë”.
Disa studime të tjera zbuluan RNA virale që po riprodhohej dhe proteina në lëngun e gjakut të pacientëve edhe vite pas infeksionit të parë, që është një shenjë se virusi mund të po riprodhohej për periudha të gjata në disa rezerva të fshehura brenda trupit, të cilat mund të përfshinin qelizat e gjakut.
Një studim i botuar në revistën The Lancet Infectious Diseases zbuloi RNA të virusit në dhjetë vende të ndryshme në indet dhe mostrat e gjakut gjatë periudhës prej 1 deri në 4 muaj pas infeksionit akut. Ky studim e konfirmoi se rreziku i “COVID-it të Gjatë” katër muaj pas infeksionit ishte më i lartë për ata që kishin RNA virale pozitive për një periudhë të qëndrueshme.
Po ky studim dha gjithashtu disa tregues mbi vendndodhjen ku mund të qëndronte virusi në trup. Trakti gastrointestinal doli si një nga zonat kyçe.
Më në fund, një studim i fundit i publikuar në revistën Clinical Microbiology and Infection gjithashtu konfirmoi se prania e qëndrueshme e virusit rrit mundësinë për COVID të gjatë.
Shkencëtarët australianë, autorë të një studimi të ri të botuar në AMJ, theksuan në një artikull në revistën Conversation se ende nuk ka prova formale që virusi SARS-CoV-2 mund të mbijetojë për vite të tëra në trup duke qenë i aftë për replikim. Ata e interpretojnë këtë mungesë të provave me faktin se është teknikisht e vështirë të izolohesh virusi i gjallë nga rezervoarët brenda trupit ku virusi “fshihet”.
Pavarësisht kësaj, ata mendojnë se tani ka mjaft prova bindëse kumulative që virusi i gjallë shkakton COVID të gjatë, sa që duhet të ndërmerren veprime në bazë të kësaj.
Grupi i studiuesve mendon se, bazuar në njohuritë e tanishme, duhet të përshpejtohet testimi i ilaçeve antivirale të njohura për parandalimin dhe trajtimin e “COVID-it të Gjatë” dhe kërkimi për të tjera të reja.
Për shembull, një nga këto ilaçe të mundshme mund të jetë metformina, një ilaç për diabetin, i cili ka treguar se ka dy efekte pozitive në trajtimin e “COVID-it të Gjatë”.
Konzekvencat e njohurisë për shkakun e “COVID-it të Gjatë”
Ideja e “infeksionit të qëndrueshëm” si një kontribuues ose madje si një shkaktar i “COVID-it të Gjatë” mund të ndihmojë në sqarimin e kësaj gjendjeje përpara publikut të gjerë dhe të rrisë vetëdijen në publik si dhe mes profesionistëve mjekësorë.
Sipas ekipit australian, kjo ide duhet të rrisë vetëdijen në komunitet për rëndësinë e uljes së shkallës së infeksioneve të përsëritura. Ata theksojnë se rreziku i “COVID-it të Gjatë” nuk është vetëm nga infeksioni i parë, por edhe nga çdo infeksion tjetër i mëpasshëm.
Ata kujtojnë se “COVID-i i Gjatë” është i zakonshëm dhe nuk është i kufizuar vetëm për individët me rrezik të lartë për sëmundje akute të rëndë, por ndikon të gjitha grupmoshat.
Një studim i botuar në MJA tregoi se ndikimi më i madh i “COVID-it të Gjatë” u regjistrua tek individët e moshës 30 deri në 49 vjeç.
Një studim i ri i publikuar në revistën The Lancet eClinical Medicine tregoi se vaksinimi ishte i lidhur me një rrezik më të ulët për COVID të gjatë pas 3, 6 dhe 12 muajsh tek fëmijët më të rritur, si dhe me një rrezik më të ulët për infeksione të përsëritura.
Bazuar në të gjitha këto, autorët paraqitën disa rekomandime kyçe.
Për momentin, ata theksojnë se të gjithë duhet të ulim ekspozimin ndaj virusit duke përdorur mjetet e disponueshme;
Sigurimi i ajrit të pastër në hapësira të mbyllura përmes ventilimit të dhomave ose sistemit të ajrit të kondicionuar;
Përdorimi i maskave të cilësisë së lartë në situata kur nuk jemi të sigurt për cilësinë e ajrit në ambiente të mbyllura ose në turmë;
Testimi dhe trajtimi në rastin e një testi pozitiv, dhe të sëmurët gjithashtu duhet të kujdesen për mbrojtjen e të tjerëve duke mbajtur maska, qëndruar në shtëpi dhe ventiluar hapësirat;
Vaksinimi me doza përforcuese. /Telegrafi/