Telefonat celularë të gjashtë mbrojtësve palestinezë të të drejtave të njeriut janë hakuar me softuerin e spiunimit (spyware) “Pegasus” që i përket kompanisë izraelite NSO Group, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit të organizatës së të drejtave të njeriut “Border Line Defenders” me bazë në Irlandë, në telefonat celularë të gjashtë aktivistëve palestinezë u zbulua softueri “Pegasus” që i përkiste kompanisë NSO Group.
Gjithashtu thuhet se softueri është instaluar në telefonat e aktivistëve palestinezë midis korrikut 2020 dhe prillit 2021.
Ndërkaq, theksohet se katër nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, telefonat e të cilëve u gjurmuan, ishin të lidhur me organizatat joqeveritare palestineze, të cilat u futën në “listën terroriste” nga qeveria izraelite muajin e kaluar.
Po ashtu në raport thuhet se nuk dihet se kush e instaloi softuerin në telefonat e aktivistëve palestinezë.
Nga ana tjetër, gazeta Haaretz shkroi se katër nga telefonat në të cilët ishte instaluar programi kishin një numër izraelit dhe se programi “Pegasus” u zbulua për herë të parë në një telefon celular duke përdorur një numër izraelit.
Në lajm gjithashtu theksohet se në lejen e eksportit të dhënë nga Ministria e Mbrojtjes izraelite për NSO Group, numrat izraelitë mund të gjurmohen nga softueri në pronësi të kompanisë vetëm nëse lejohen nga shërbimet izraelite të sigurisë.
Më tej thuhet se katër nga aktivistët palestinezë të shënjestruar nga programi banojnë në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dy tjerë banojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Softueri i spiunimit “Pegasus”, i cili u përmend edhe në vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, është shpesh në agjendën e publikut ndërkombëtar.
Administrata amerikane më 3 nëntor kishte futur në listën e zezë katër kompani, përfshirë NSO Group, me arsyetimin se po ua shisnin softuerin vendeve të huaja. /aa