Arkeologët kanë zbuluar një qytet të harruar në Etiopi që mendohet se daton që nga shekulli i X pas Krishtit.
Gërmimi në rajonin Harlaa të Etiopisë lindore ka zbuluar objekte nga Egjipti, India dhe Kina, duke treguar lidhjet e forta tregtare midis Afrikës Lindore dhe qytetërimeve të tjera.
Një xhami e shekullit të XII në vend tregon ngjashmëri me xhamitë e tjera që gjenden në Tanzani dhe Somaliland.
Arkeologët kanë sugjeruar se xhamia dëshmon se ka pasur lidhje historike midis komuniteteve islamike në kontinentin afrikan, me stilet arkitekturore që shpërndahen nëpër zona të gjera.
“Ky zbulim revolucionon të kuptuarit tonë për tregtinë në një pjesë të Etiopisë të lënë pas dore arkeologjikisht. Ajo që kemi gjetur tregon se kjo zonë ka qenë qendra e tregtisë në atë rajon”, tha arkeologu udhëheqës, profesor Timothy Insoll nga Universiteti i Exeterit.
Nga gërmimet dolën gjithashtu bizhuteri dhe artefakte të tjera nga Madagaskari, Maldivet, Jemeni dhe Kina.
Blloqet e mëdha të gurit të përdorura si materiale ndërtimi në zonë kanë bërë që njerëzit lokalë të besojnë se qyteti është ndërtuar nga gjigandët.
“Ne e kemi përgënjeshtruar qartë këtë, por unë nuk jam i sigurt nëse ata na besojnë plotësisht,” komentoi profesor Insoll.
Eshtrat e rreth 300 njerëzve u gjetën gjithashtu në një varrezë historike, dhe janë duke u bërë analiza për të përcaktuar dietën e tyre, me shpresën që kjo do të zbulojë mënyrën e jetesës dhe qytetërimin e tyre.
Arkeologët po planifikojnë gërmime të mëtejshme vitin e ardhshëm. / © Gazeta Impakt