Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij francez Emmanuel Macron se ai më mirë do të luante hokej mbi akull sesa të takohej me Joe Biden në një telefonatë të fundit “për të shmangur pushtimin e Ukrainës në shkurt”.
Një deklaratë e çuditshme e tij, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, erdhi më 20 shkurt në fund të një bisede, ku lideri francez bëri atë që doli të ishte një përpjekje e pafrytshme për të ndaluar Rusinë që të fillonte agresionin mbi Ukrainë.
Telefonata përfundoi me Macron që i sugjeroi Putinit një samit me Biden.
Putin nuk kundërshtoi, por gjithashtu nuk u shfaq i interesuar për të caktuar një datë, ndërsa këmbënguli që takimi të përgatitej plotësisht.
“Për të qenë i sinqertë, doja të shkoja të luaja hokej mbi akull. Këtu po ju flas nga salla e sportit… Por së pari do të flas me këshilltarët e mi”, citohet të ketë thënë Putin.
Në një vështrim jashtëzakonisht të pazakontë të një telefonate konfidenciale midis krerëve të shteteve, Macron dhe ekipi i tij u filmuan në Elysee duke realizuar thirrjen dhe pamjet tani thuhet se do të transmetohen si pjesa kryesore e një dokumentari që do të transmetohet të enjten në France 2 TV.
“Do të doja që së pari të më jepni pikëpamjen tuaj të situatës dhe ndoshta drejtpërdrejt, siç është zakoni ynë, të më tregoni se cilat janë qëllimet tuaja”, e ka pyetur Macron troç Putinin në fillim të bisedës.
“Çfarë mund te them? Ju vetë e shihni se çfarë po ndodh”, u përgjigj Putin, duke akuzuar Ukrainën për prishjen e marrëveshjeve të Minskut.
Ai (Putini) më pas ka kritikuar presidentin properëndimor të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar në mënyrë të rreme Kievin se po kërkon një armë bërthamore.
“Në fakt, kolegu ynë i dashur Zelensky nuk po bën asgjë për të zbatuar marrëveshjet e Minskut”, pretendoi Putin. “Ai po ju gënjen”, shtoi ai, duke akuzuar gjithashtu Macron se kërkon të rishikojë marrëveshjen në fjalë.
Presidenti rus më pas argumentoi se propozimet e separatistëve në Ukrainën lindore duhet të merren parasysh.
“Por ne nuk na interesojnë propozimet nga separatistët”, ka thënë Macron.
Por, pavarësisht tensionit, Macron gjithashtu kërkoi të luante rolin e ndërmjetësit, duke thënë se do t’i nxiste Zelensky-n që t’i ‘qetësojë të gjithë’ jo vetëm në forcat e armatosura të Ukrainës, por edhe në mediat sociale.
Siç kanë bërë gjithmonë në bisedat e tyre, të dy burrat përdorin formën joformale të ‘ti’ për t’iu drejtuar njëri-tjetrit, bëjnë të ditur mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Macron është vlerësuar se ka mbajtur të hapur një kanal për Putinin, me të cilin ai u përpoq të kultivonte një marrëdhënie deri në atë pikë sa të ftonte shefin e Kremlinit në rezidencën e tij verore në vitin 2019.
Por kritikuesit kanë frikë se dëshira e liderit francez për dialog është shfrytëzuar nga Rusia dhe Kievi është shqetësuar nga këmbëngulja e tij që Rusia të mos lihet e poshtëruar kur lufta të përfundojë.
Dhe Elysee më pas informoi gazetarët se një marrëveshje në parim ishte arritur për një samit midis Bidenit dhe Putinit, por kjo nuk u bë kurrë.
Duke iu referuar telefonatës, thuhet se fjalët e fundit ishin relativisht të përzemërta.
“Faleminderit në çdo rast Vladimir. Ne do të qëndrojmë në kontakt në kohë reale. Kur ka diçka më telefononi”, i ka thënë Macron.
“Unë ju falënderoj zoti president”, i është përgjigjur Putin, duke u ‘rrëshqitur’ papritur në frëngjisht.
Macron do të fliste sërish me Putinin një ditë më vonë, më 21 shkurt.
Por më 24 shkurt, Rusia nisi agresionin, duke ndezur një luftë që vazhdon edhe sot, edhe pse Moska dështoi në qëllimin e saj fillestar të dukshëm për të marrë Kievin.
“Ne nuk e bindëm atë dhe ai filloi agresionin mbi Ukrainë”, u tha Macron krijuesve të filmit. “Mendova se ne mund të gjejmë, përmes besimit dhe diskutimit intelektual, një rrugë me Putinin”, ka insistuar ai. /Telegrafi/