Atë që e ëndërron Shqipëria, e gëzon Namibia…!
Hulumtimi i fundit nga kompania portugeze energjetike Galp ka zbuluar se fushat e Mopanes në det të hapur të Namibisë mund të përmbajnë të paktën 10 miliardë fuçi naftë.
Aksionet e gjigantit portugez të energjisë u hodhën më shumë se 20 për qind pas zbulimit. Kompania thotë se operacionet testuese janë kryer në dy puse që kanë gjetur akumulim të konsiderueshëm të naftës së lehtë (me squfur të ulët) në rezervuarët e rërës së cilësisë së lartë.
Në vitet e fundit, Namibia ka tërhequr interes të madh nga kompanitë ndërkombëtare të naftës që kërkojnë të rrisin prodhimin e tyre. Zbulimi në fushën Mopane është një nga më të mëdhenjtë pas një sërë ekspeditash të suksesshme eksploruese të kryera nga konkurrentët e kompanisë Galp. Kjo mund të ndihmojë në zgjerimin e madh të industrisë së naftës të atij vendi afrikan, shkruan Oil Price.
Ky zbulim mund të krahasohet me më shumë se 11 miliardë fuçi naftë dhe gaz që u zbuluan në Guajana, në Amerikën e Jugut.
Galp zotëron 80 për qind të aksioneve në hulumtim, i cili mbulon një sipërfaqe deri në 10,000 kilometra katrorë, por kompania tashmë ka sinjalizuar se ata po kërkojnë partnerë, sepse ajo që po ndodh është “shumë e madhe edhe për ta”. Galp ndoshta do të shesë një pjesë të biznesit dhe kompania tashmë ka punësuar Bankën e Amerikës për të udhëhequr procesin. Në çdo rast, të ardhurat ka të ngjarë të jenë në miliarda dollarë.
Që diçka serioze po ndodh në Namibi, dëshmon edhe fakti që OPEC-u është përfshirë në të gjithë historinë.
Reuters raporton se Namibia së shpejti mund të marrë një ftesë për t’u anëtarësuar në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës.
Ky zbulim i madh nafte të sjell në mendje shpresën e qeverisë shqiptare për Shpiragun, aty ku Shell po kërkon për sasi të mëdha nafte, të atillë që nëse bëhet realitet, shihet si një kthesë në ekonominë shqiptare. /tesheshi.com/