1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Zbritjet mashtruese

Më të lexuarat

Prej 20, 50 dhe deri 70 për qind zbritje. Ky është mbishkrimi që na uron mirëseardhjen sa herë hyjmë në një dyqan të vogël apo të madh. Disa i quajnë edhe zbritje sezonale, por që në realitet mё shumë kemi të bëjmë me mashtrim sezonal, i cili përsëritet secilin vit.

Disa nga pronarёt e lokaleve thonë se kjo zbritje është reale, por shpeshherë ndodh që çmimet të kamuflohen, ato të vjetrat ndryshohen dhe del se ka zbritje.
Kurse, Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori”, thotë se ky është vetëm mashtrim eklatant për konsumatorёt. Ndërkaq, qytetarët thonë se kanë filluar të mësohen me këtë trik, i cili bëhet sa për të tërhequr sa më shumë konsumatorë, shkruan gazeta “Lajm”.

“Ky veprim është vetëm mashtrim eklatant për konsumatorët. Kjo duhet edhe të kontrollohet nga inspektorati. Për mendimin tim një zbritje e tillë, prej 50 apo 70 për qind është e palogjikshme. Po ashtu, ka raste kur vetëm luhet me çmimin dhe nuk bëhet zbritje fare. Këto veprime nga ana e bizneseve po bëhen çdo vit dhe nuk po parandalohen nga askush”, ka thënë Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori”.
Mirëpo, në anën tjetër, Naim Haziri, punëtor në butikun “Adidas”, ka thënë se gjërat që shiten me çmim në zbritje nuk kanë fare fitim, sipas tij, kjo vjen nga konkurrenca e fortë dhe malli mbetet pa u shitur dhe se me të vërtetë ka zbritje të çmimeve.
Ai ka theksuar se 95 për qind e çmimeve që janë në zbritje janë reale dhe se gjatë zbritjeve sezonale deri në 75 për qind e mallit futet në zbritje, por varet nga pronari se çka do të fusë në zbritje.

“Malli me të vërtetë ka zbritje kur thuhet se ka, por kjo vjen nga konkurrenca e madhe dhe qytetarët nuk janë myshterinj të rregullt të një vendi dhe nuk i vërejnë ato”, është shprehur ai. Edhe, Bardha Topalli, administratore në një dyqan të Prishtinës, thotë se çmimet janë reale, por sipas saj, ulja e çmimeve nuk ka efekt të madh te klientët.
“Nuk do thosha qё ulja e çmimeve e ka efektin 100 për qind. Dhe nuk mendoj se jemi një shoqëri konsumatore që të ndodhё ky efekt. Kurse, sa i përket asaj se a janë reale çmimet kur zbriten, unë mund të them lirisht se kjo gjë te ne bëhet”, shpjegon Topalli. Pavarësisht mosbesimit, këto shifra nё xhamat e dyqaneve tërheqin vëmendjen e njerëzve qё nё tё shumtën e rasteve dalin me një çantë në dorë. Pranvera Metaj, derisa frekuentonte të enjten dyqanet në qendrën tregtare të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, tha se për shumë gjera ku shkruan 50 për qind zbritje, është mashtrim.
“Unë e di saktë për disa gjëra sa kanë kushtuar para një muaji, edhe tash kur po e bëj krahasimin me zbritjen që i kanë bërë, as 10 për qind zbritje”, tregon Pranvera. Edhe Arbënor Morina, qytetar i Prishtinës, thotë se nuk ka zbritje reale të çmimeve, ai këto i sheh vetëm si tërheqje e konsumatorëve, sipas tij, çmimet janë ato të cilat kanë qenë dhe më herët.
Edhe ai tregon rast që ka shikuar diçka për të blerë dhe pas një kohe në atë butik ka pasur zbritje dhe ka hyrë por për të njëjtën gjë që ka shikuar, çmimi ka qenë i njëjtë.
“ Më ka ndodhur mua që të shikoj të njëjtën gjë para dhe pas zbritjes së çmimeve, por çmimi ka qenë i njëjtë për atë që kam dashur ta blej”, ka thënë ai.
Mbishkrimet me çmime dhe reklama tё ndryshme tani janë bërë ‘modë’ në vendin tonë.
Vendosja e këtyre mbishkrimeve ka filluar të marrё përmasa më tё mёdha në vitet e fundit, ku edhe mbishkrimet me çmime zbritёse kanë nisur të shkruhen edhe nëpër gjuhë angleze./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit