0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Zbrazja e xhamive pas Ramazanit është zbrazja e kuptimeve

Më të lexuarat


Gjatë muajit të Ramazanit çdo agjërues është i brengosur nëse urdhërin e Zotit për të agjëruar e zbaton si duhet apo jo ndërsa pas ramazanit ai shqetësohet nëse Zoti ia ka pranuar agjërimin, lutjet, leximin e Kuranit, namazet, sadakanë dhe sakrificat. Pas agjërimit ai është i brengosur nëse është shënuar në listën e banorëve të xhenetit apo jo, dhe mbi të gjitha është apo jo i kënaqur Zoti me veprën e tij?!
Aliu thotë: “Gjatë Ramazanit përpiqeshim të bënim sa më shumë vepra të mira, në përfundim të tij ishim të shqetësuar nëse Zoti i kishte pranuar apo jo”.
Zoti e ka urdhëruar njeriun të agjërojë një muaj në vit, dhe për të ka caktuar një qëllim. Ky synim sigurisht që nuk është enigmatik, vetë Zoti e shpreh qartë atë në Kuran ku thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të jeni të devotshëm.”
Pra objektivi është devocioni, ndërsa heqja dorë vullnetarisht nga ngrënia, pirja dhe kënaqësitë fizike janë veç mjete që shërbejnë për të arritur këtë qëllim. Përderisa devocioni është ruajtje nga të këqijat a gjynahet, edhe agjërimi është ruajtje nga ushqimi i tepërt, fjalët e tepërta. Pra agjërimi është abstenim nga ushqimi, pija, marrëdhëniet intime ndërsa devocioni është abstenim nga ligësitë dhe tundimet.
Nëse pas ramazanit sjellja e njeriut ndryshon, pra përmirësohet, kjo është një shenjë e mirë e cila tregon se agjërimi ka dhënë efektet e duhura sepse ekziston edhe mundësia që dikush del nga muaji i ramazanit njësoj siç u fut në të pa përjetuar asnjë ndryshim. Profeti a.s thotë: “Ka agjërues të cilët nuk do të përfitojnë nga Ramazani asgjë përveç urisë dhe etjes”.
Përse ndodh një gjë e tillë?
Mendoj se kjo gjw vjen si rrjedhojë e kuptimit tw mangwt që ne si shoqëri kemi për agjërimin në veçanti dhe për bazat e tjera të fesë si namazi, zekati etj në përgjithësi. Shumica e atyre që agjërojnë nuk e dinë që urdhëri për të agjëruar është shpallur në Kuran. Pra e dinë që është një adhurim që vetëkuptueshmërisht duhet kryer por nuk dinë të thonë nëse është në Kuran, në cilën Sure të Tij dhe si është formuluar. Shumica nuk kanë dijeni të lidhjes së shkakësisë mes agjërimit dhe devocionit, dhe po ashtu ndoshta nuk e dinë atë që thotë ajeti, pra që devocioni është qëllimi i agjërimit.
Ka edhe më keq, njerëz të cilët agjërojnë për shëndet, pra për fitnes. Ka edhe të tillë që agjërojnë për mbarësi, wshtw mirë të agjërosh, nuk të gjen gjë e keqe prej agjërimit, – dwgjohet tw thonw. Ka edhe të tillë që agjërojnë për kulturë, pra është një lloj trashëgimie kulturore familjare, agjëron se agjëronin familjarët e tij. Të tëra këtyre pretendimeve i përgjigjet Zoti drejtpërdrejtë në Kuran kur thotë: “Agjëro të bëhesh i devotshëm”
Pra Zoti shprehet qartë se urtësia që fshihet pas agjërimit është devocioni. Kjo do të thotë se agjërimi është shteg drejt devocionit, vetëdijes që je në mbikqyrje të vazhdueshme hyjnore, prej devocionit buron frika prej zemërimit të Zotit dhe trishtimi prej dënimit të Tij, si edhe shpresa për shpërblimin e Zotit si rrjedhojë e dashurisë dhe kënaqjes së Tij me veprën tonë, pra çlirim prej egos, shpëtim prej zjarrit dhe fitimin e xhenetit, efekti i këtij kuptimi mbi agjërimin shfaqet në përsosjen e sjelljes së njeriut me njeriun dhe Zotin meqë është në mbikqyrje të vazhdushme prej Tij.
Në qoftë se kush agjëron ka këtë vetëdije për kuptimin e agjërimit dhe e bën brengë të vetën ai do të radhitet mes njerëzve që janë më afër Zotit, sepse vërtet gjatë agjërimit zbrazet barku por ama mbushet shpirti dhe kthjellohet mendja.
Por për fat të keq përvoja dhe realiteti ynë dëshmon të kundërtën. Gjatë muajit të ramazanit xhamitë mbushen me besimtarë të cilët falen, luten dhe agjërojnë, por me përfundimin e tij sa hap e mbyll sytë ato zbrazen. Ata që qenë dje me ne në xhami, u falën përkrah nesh dhe agjëruan përse hoqën kaq lehtë dorë nga namazi?! Dhe ne e dimë që namazi është shtylla më e rëndësishme e kësaj feje pas shehadetit. Është e mundur që dikush që kupton rëndësinë e namazit, kupton pse falet dhe lutet të heqë dorë prej tij?
Unë mendoj që jo? Nqs kjo ndodh dhe për fat të keq ne e konstatojmë një gjë të tillë, kjo besoj e ka një përgjigje, ata nuk e kanë kuptuar kurrë filozofinë e agjërimit dhe namazit, lidhjen e shkakësisë mes tyre dhe devocionit. Sfida jonë është t’i kthehemi kuptimit të fesë sonë me themel vetëm pasi të fitojmë qartësi për vete do të mund të ofrojmë qartësi edhe për shoqërinë, përndryshe fenomene të kësaj natyre si ajo që dëshmuam këto ditë do të përsëriten çdo vit.
Në qoftë se ne vetë nuk e kuptojmë se agjërimi është shteg drejt devocionit, vetëdijes që jemi në mbikqyrje të vazhdueshme hyjnore, dhe udhëhiqemi nga plani suprem i Zotit, dhe kjo gjë të na frymëzojë cdo ditë për vepra të mira dhe abstenim prej ligësive, atëherë nuk mund ta kapërcejmë dot veten dhe aq më pak të kemi një ofertë serioze për shoqërinë, dhe ne nuk mund t’i frymëzojmë dot të tjerët në qoftë se vetë kemi një kuptimi të cunguar dhe të paqartë për fenë tonë. Përndryshe tejmbushja e xhamive gjatë Muajit të Ramazanit dhe zbrazja e tyre me ngut në përfundim të tij do të jetë një shfaqje e përsëritshme edhe në vitet në vazhdim.
Dhe tani në vend se t’u themi njerëzve të falen se është mirë do të duhet t’u lexojmë atyre fjalët e Zotit:

إِنَّنِىٓ أَنَا ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّآ أَنَا۠ فَٱعْبُدْنِى وَأَقِمِ ٱلصَّلَوٰةَ لِذِكْرِىٓ

“Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!”

ٱتْلُ مَآ أُوحِىَ إِلَيْكَ مِنَ ٱلْكِتَٰبِ وَأَقِمِ ٱلصَّلَوٰةَ ۖ إِنَّ ٱلصَّلَوٰةَ تَنْهَىٰ عَنِ ٱلْفَحْشَآءِ وَٱلْمُنكَرِ ۗ وَلَذِكْرُ ٱللَّهِ أَكْبَرُ ۗ وَٱللَّهُ يَعْلَمُ مَا تَصْنَعُونَ

“Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni. “

قُلْ إِنَّ صَلَاتِى وَنُسُكِى وَمَحْيَاىَ وَمَمَاتِى لِلَّهِ رَبِّ ٱلْعَٰلَمِينَ لَا شَرِيكَ لَهُ ۖ وَبِذَٰلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَا أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ

“Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”.

Hoxhë Dorian Dalliu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit