4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Zararet e gjuhës

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Zararet e gjuhës

Gjuha është një nga mirësitë e shumta me të cilat na ka nderuar Zoti. Me qëllim që ajo t’i shërbejë siç duhet misionit për të cilin është krijuar, Zoti e ka obliguar njeriun më një sërë detyrash. Një ndër to është dhe agjërimi i Ramazanit, ku përveçse njeriu privohet nga të ushqyerit, e ndalon dhe frenon veten nga fjalët e ulëta, përgojimi, thashethemet etj… Pra, agjërimi i Ramazanit, është një trajnim njëmujor për gjuhën që të ruajë kontrollin.
Po të lexojmë thëniet e Profetit a.s mbi gjuhën, do e kuptojmë rëndësinë e saj, si dhe rrezikun që mund të vijë prej saj, nëse nuk e frenojmë.
Thotë Profeti a.s në një hadith:”Ajo që i çon më së shumti njerëzit në xhenet, është devotshmëria për Zotin si dhe morali i mirë. Kurse ajo që i çon më së shumti njerëzit në zjarr, janë dy zgavrat.”
Dikush e pyeti:”E çfarë janë këto dy zgavrat o i dërguar i Allahut?!”
Profeti a.s u përgjigj:”Goja dhe organet gjenitale.”
Vajti një burrë tek Profeti a.s dhe i tha:”O i dërguar i Allahut! Më trego një vepër të mirë, që t’i përkushtohem totalisht.”
Profeti a.s iu përgjigj:”Thuaj:”Zoti im është Allahu dhe qëndro në rrugë të drejtë.”
Burri e pyeti:”Cila është ajo gjë të cilës duhet t’i druhem o i dërguar i Allahut?”
Profeti a.s e nxorri gjuhën, e kapi me dorë dhe i tha:”Kësaj duhet t’i druhesh më së shumti.”
Një burrë tjetër, vajti tek Profeti a.s dhe e pyeti:”O i dërguar i Allahut? Si të shpëtoj në dynja dhe në ahiret?”
Profeti a.s iu përgjigj:”Kape me dorë gjuhën dhe mos e lër të dërdëllisë! Bëji vetes vend në shtëpinë tënde dhe vajto për gjynahet e tua!”
Thotë Profeti a.s:”Mysliman është ai që nga gjuha dhe dora e tij nuk vuajnë myslimanët e tjerë.”
“Kush beson në Zotin dhe botën tjetër, le të flasë drejt ose le të heshtë.”
Besimi në Zotin dhe botën tjetër janë gjëra që i përkasin zemrës, por që tregues kanë gjuhën. Është gjuha ajo që e vërteton besimin e vërtetë në Zotin dhe botën tjetër. Gjuha është pasqyra e zemrës së njeriut. Ajo nuk mund të flasë veçse atë që gjendet në zemër. Nëse dëshiron t’i dish lidhjet e tua me Zotin, shih se çfarë flet gjuha jote gjatë gjithë ditës.
Thotë Profeti a.s:”Shumica e gabimeve të njeriut e kanë burimin tek gjuha.”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Kush më garanton atë që ka mes dhëmbëve dhe mes dy këmbëve, i kam garantuar xhenetin.”
“Një burrë mund të nxjerrë një fjalë që zemëron Zotin e madhëruar, fjalë të cilës nuk i kushton vëmendje, por që ajo fjalë e bën të rropatet në zjarrin e xhehenemit për shtatëdhjetë mijë vite.”
Ky burrë që thotë një fjalë të cilës nuk i kushton vëmendje, mund të shajë dikë, mund të përgojojë dikë tjetër, mund të merret me nderin e një gruaje etj…
A e kupton tani sa e rrezikshme është gjuha? Por mund të ndodhë dhe e kundërta, gjë e  cila shprehet në vazhdimin e hadithit të mësipërm:”Një burrë mund të nxjerrë një fjalë që e kënaq Zotin, fjalë të cilës nuk i kushton vëmendje, por që me atë fjalë Zoti e ngre disa shkallë lart në xhenet.”
Të gjithë obligimet më kryesore në islam kryhen me gjuhë. Me anë të gjuhës, një jomysliman mund të bëhet mysliman. Falja e namazit dhe shumë adhurime të tjera kryhen me gjuhë.
Thotë Profeti a.s:”Në çdo ditë që lind dielli, organet e trupit i flasin gjuhës dhe i thonë:”Kij frikë Zotin! Nëse ti i përmbahesh rrugës së drejtë, i përmbahemi dhe ne. Por nëse devijon, kemi devijuar edhe ne.”
Muadh ibnu Xhebel, vajti tek Profeti a.s dhe i tha:”O i dërguar i Allahut! Më trego mbi një vepër e cila më afron me xhenetin dhe më largon nga xhehenemi!”
Profeti a.s iu përgjigj:”Më ke pyetur mbi një çështje të madhe, por që është e lehtë për atë që ia ka lehtësuar Zoti. Të adhurosh Zotin dhe të mos i shoqërosh rivalë, të falësh namazin, të agjërosh Ramazanin, të japësh zekatin dhe të kryesh haxhin.”
Profeti a.s e donte shumë Muadhin dhe më pas i thotë:”O Muadh! A të të flas mbi dyert e mirësisë?”
Muadhi i përgjigjet:”Po o i dërguar i Allahut.”
Profeti a.s i tha:”Agjërimi është mburojë, lëmosha e shuan zemërimin e Zotit ashtu siç shuan uji zjarrin, namazi i burrit në mes të natës “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne.” (Sexhde, 16)
Më pas e pyeti Muadhin:”O Muadh! A të ta tregoj kush është koka e gjithçkaje?”
Muadhi iu përgjigj:”Po o i dërguar i Allahut.”
Profeti a.s i tha:”Koka e gjithçkaje është islami, shtylla që e mban atë është namazi dhe maja më e lartë është xhihadi.”
Pas gjithë kësaj, Profeti a.s e sheh në sy Muadhin dhe i thotë:”Tani a të ta përmbledh gjithçka që përmendëm?”
Muadhi u përgjigj:”Po o i dërguar i Allahut.”
Profeti a.s, duke kapur gjuhën me gishta i tha:”Frenoje këtë! Kush e kontrollon gjuhën e tij, ka kontrolluar dhe poseduar çdo të mirë dhe është udhëzuar drejt çdo të mire.”
Gjuha është krijuar që të flasë dhe nëse ti e frenon nga të folurit gjëra të kota, ajo do të orientohet drejt gjërave të dobishme. Nëse nuk do të flasë haram, do të flasë hallall, përkujtim të Zotit, ftesë në rrugën e Zotit, lexim Kurani etj…
Kur Muadhi e dëgjoi ta këshillojë të frenojë gjuhën, u habit dhe e pyeti:”O i dërguari i Zotit! A thua, do të japim llogari edhe për atë që flasim?”
Profeti a.s mori pamje serioze dhe iu përgjigj:”E çfarë tjetër i tërheq njerëzit për hunde në xhehenem, përveç asaj që korrin me gjuhët e tyre?!”
Thotë Zoti në Kuran:”dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës
të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18)
Secili prej nesh, ka në anën e djathtë një melek që i shënon veprat e mira dhe një tjetër në anën e majtë që i shënon veprat e liga. Si nuk të vjen turp nga këto dy melekë, teksa vepron gjynahe o vëlla? A të ndodh që ta përmbash veten ndërkohë që dëshiron t’i bërtasësh gruas, nga frika se mos të dëgjon komshiu? Përse qenka komshiu më i rëndësishëm se dy melekët? Përse nuk të vjen zor nga dy melekët o motër, teksa merresh me thashetheme me shoqet e tua? Si nuk i vjen turp nga melekët asaj vajze që flet fjalë banale me shokët dhe shoqet?
Nëse çdo ditë flasim pesëdhjetë mijë fjalë, vallë sa prej tyre vendosen në peshoren e veprave të mira, sa në peshoren e veprave të liga dhe sa të tjera janë të padobishme?
 
Dhjetë zararet e gjuhës
 
1 – Zhytja në biseda të kota. Kjo nuk ka të bëjë me përgojimin, ku zakonisht merret në gojë një person. Zhytja në biseda të kota është diçka më e përgjithshme, ajo nuk merret me një individ, por me një racë, komb, fis, popull etj… Njerëzit që zhyten në biseda të kota, merren me zakonet e një populli të caktuar. P.sh, ka gra që qëndrojnë në telefon me orë të tëra, duke rrëfyer se çfarë bëjnë gratë në perëndim, si e kalojnë jetën, çfarë bëjnë në fundjavë etj… Ato flasin për lidhjet jashtëmartesore, për pirjen e alkoolit, për drogën, jetën e natës etj…
Një zarar i tillë, është i ndaluar në sheriatin islam. Kjo, pasi biseda të tilla mund t’i arrijnë palës tjetër dhe preket nga kjo. Kush prej nesh pranon që të shahet dhe të përgojohet populli dhe raca të cilës i përket?
Në një ndalesë të tillë shpesh herë bien edhe fetarët. Duke dashur të nxjerrin në pah të mirat e islamit, ata merren me të këqijat e tjetrit. Ata flasin për rrugët ku jetojnë prostitutat, për drogën, imoralitetin etj… Këto gjëra mund t’ia rrëfejë edhe dikujt me besim të dobët, gjë e cila e josh dhe e bën të udhëtojë thjesht për t’i provuar ato kënaqësi që dëgjoi.
Thotë Profeti a.s:”Njerëzit me më shumë gjynahe Ditën e Kiametit, do të jenë ata që janë zhytur më shumë në biseda të kota në dynja.”
Biseda të tilla janë prezent më shumë tek gratë, të cilat menjëherë pas një dasme apo ceremonie, fillojnë përshkrimin e pjesëmarrësve, veshjet e tyre, llojin e ushqimit, haramet që ekzistonin etj… Diçka e tillë sikur të mos ketë asnjë pasojë tjetër, mjafton që demoralizon dhe ia shton pesimizmin palës që e dëgjon.
Një lloj tjetër bisede e kotë është edhe ajo që ndodh mes një djali dhe një vajze që pëlqehen dhe që kanë marrëdhënie jashtëmartesore. Shpesh herë, gjatë telefonatave ata flasin fjalë të ndyta dhe banale. Nëse një nga familjarët e saj do e dëgjonte teksa nxjerr fjalë të tilla, do i binte qielli kokës nga turpi. Kurse për Zotin dhe melekët që e dëgjojnë dhe e shohin nuk do t’ia dijë. Kur keqbërësit do të sillen për t’u hedhur në zjarr Ditën e Kiametit, melekët do i pyesin se çfarë kanë vepruar që kanë merituar këtë ndëshkim. Thotë Zoti në Kuran:”
“Çfarë ju ka sjellë në Sekar?”Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz dhe as prej atyre që i ushqenin të varfrit. Ne lëshoheshim në biseda të kota me llafazanët.” (Muddethir, 42-45)
 
2 – Marrja me nderin e grave të botës. Diçka e tillë është më e rrezikshme se përgojimi. Nëse merresh me nderin e shoqeve të shkollës o vëlla, dije se je në rrugë të keqe. Nëse përhap mes shokëve që filan studente e ke parë të veprojë e veprojë, pendohu menjëherë dhe frenoje veten herë të tjera. Thotë Zoti në Kuran:”
“Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën; për ata ka dënim të madh.” (Nur, 23) Mos ia lejo vetes kurrë që të merresh me nderin e një gruaje o vëlla dhe oj motër, edhe nëse jeni të sigurt një milion për qind që është e pandershme.
Mbi rastin kur gruaja e Profetit a.s u akuzua padrejtësisht për tradhti bashkëshortore, Zoti thotë:” Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe.” (Nur, 15)
Të akuzosh një femër për çështje nderi dhe të mos sjellësh dëshmitarë, ka si ndëshkim tetëdhjetë goditje me kamxhik. Thotë Zoti në Kuran:”Ata që i akuzojnë gratë e ndershme (për imoralitet), e pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni me tetëdhjetë goditje dhe të mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë.” (Nur, 4)
Mos u merr o motër me nderin e shoqeve të tua, apo të çdo gruaje tjetër. Nëse dëgjon që është botuar një libër mbi skandalet e një gruaje, nuk ke përse ua tregon këtë të tjerëve. Kështu kontribuon në përhapjen e të keqes.
Kur dikush përpiqej t’u tregojë shokëve të Profetit a.s diçka të pamoralshme që e kishte parë, ata i mbyllnin sytë dhe veshët dhe i thonin:”As nuk e kemi parë dhe as duam ta dëgjojmë.”
 
3 – Debatet sfiduese. Të debatosh dhe të dialogësh është diçka e pranueshme, por kur debati arrin në atë pikë ku secila palë kërkon të sfidojë tjetrën , kthehet në debat të papranueshëm.
Thotë Profeti a.s:”Unë i garantoj një shtëpi në mes të xhenetit, atij që lë debatin edhe pse ka të drejtë.”
Në rast se nuk ke të drejtë, normalisht që duhet të distancohesh nga ky debat dhe t’i japësh fund menjëherë. Por edhe nëse ke të drejtë, është mirë të distancohesh, pasi mund të sfidosh palën tjetër dhe e vë me shpatulla për muri me argumente, por kështu humb simpatinë e tij. Është më mirë që t’i fitosh zemrën fillimisht dhe me metoda të tjera, e bind që mendimi yt është i drejtë.
 
4 – Batutat banale që shkëmbejnë njerëzit me njëri-tjetrin. Thotë Profeti a.s:”Zoti e urren një person me gjuhë të ndytë dhe banale.”
Shpesh herë dhe nga njerëz të ndryshëm përdoren barsoleta me qëllim që të bëjnë të tjerët të qeshin. Thotë Profeti a.s:”Ka njerëz që flasin thjesht për të bërë të qeshin të tjerët, por që hidhet në zjarrin e xhehenemit në një distancë që është sa lindja me perëndimin.”
Kurrë mos ia lejo vetes të përdorësh fjalë banale, por as edhe fyese. Mos iu drejto askujt me fjalët “O injorant, o budalla, o gomar…”
Mëso nga profeti Isa a.s, normat e mirësjelljes dhe edukatës, jo vetëm me njerëzit por edhe me kafshët. Një herë, ai ndodhej në shoqërinë e një personi, i cili me të parë një qen i tha:”Ah qen bir qeni!”
Profeti Isa a.s iu kthye dhe i tha:”Mos e thuaj atë fjalë!”
Burri i tha:”E çfarë thashë?! A nuk është qen bir qeni?!”
Profeti Isa a.s i tha:”Gjuhët tona nuk merren me gjëra të tilla. Ti nuk e the atë fjalë, vetëm se si nënvleftësim për këtë krijesë.”
Një herë, Profeti a.s ndodhej me një beduin. Duke parë se deveja e tij nuk po ecte sa duhej, beduini i tha:”Ec moj deve e mallkuar!”
Profeti a.s u kthye nga ai dhe i tha:”Me mua nuk mund të shoqërohet dikush që ka deve të mallkuar.” dhe u largua.
Teurati e përshkruan profetin Muhamed a.s me këto cilësi dhe tipare:”Ai nuk është gojështhurur, as banal, as mallkues as akuzues.”
Sot është bërë e modës mes të rinjve sharjet nga nëna. Thotë Profeti a.s lidhur me këtë:”Mos i shani prindërit tuaj!” Dikush e pyeti i habitur:”E si mund t’i shajmë prindërit o i dërguar i Allahut?!”
Profeti a.s iu përgjigj:”Shan prindërit e dikujt tjetër dhe ai shan prindërit e tu. Kjo është njëlloj sikur i ke sharë vetë prindërit e tu.”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Një ndër gjynahet më të rënda është kur njeriu shan babanë dhe nënën e tij.”
Njerëz të tillë që flasin fjalë banale dhe të ulëta, nuk mund të përfitojnë nga mëshira e Zotit në Ramazan dhe nuk mund ta arrijnë natën e Kadrit.
Nëse dëshiron ta mësosh gjuhën të mos flasë fjalë banale, fillo jep sadaka për çdo fjalë banale që thua në ditë. Të jesh i sigurt se të nesërmen fjalët banale do të pakësohen, gjersa t’i eliminosh tërësisht. Pendohu në këto çaste për çdo fjalë banale që ke përdorur në jetën tënde.
 
5 – Tallja dhe përçmimi. Ndonjëherë, tallja bëhet me një fjalë, herë të tjera me një shkelje syri, herë të tjera duke imituar tjetrin që gaboi në të shprehur, herë të tjera duke imituar belbëzuesit etj…
Thotë Zoti në Kuran:”O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.” (Huxhurat, 11)
“Mjerë për çdo përqeshës – shpifës, që grumbullon pasuri dhe e ruan, duke menduar se ajo pasuri do ta bëjë të pavdekshëm! Jo, aspak! Në të vërtetë, ai do të hidhet në torturën shkatërruese. E kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është tortura shkatërruese? Ajo është zjarri i Allahut i ndezur fort.” (Humeze, 1-6)
Përqeshja, shpifja dhe talljet, zakonisht përdoren nga njerëzit e pasur, të cilët e shohin veten më të mirë se të tjerët, ngaqë i përkasin një shtrese më të privilegjuar.
 
6 – Nxjerrja e sekreteve. Nëse dikush të tregon një sekret të tij apo të dikujt tjetër dhe të kërkon të mos e tregosh, është haram ta nxjerrësh këtë sekret.
Thotë Profeti a.s:”Nëse dikush të tregon diçka dhe hap sytë sa majtas-djathtas (sikur sigurohet që nuk e dëgjon kush) dije se është amanet.”
Kurse në një hadith tjetër thotë:”Nuk ka besim, kush nuk mban amanetin.”
Thotë Profeti a.s:”Nga gjynahet më të rënda, është kur burri i tregon gruas një sekret dhe ajo ia nxjerr atë.”
Ruhu o motër dhe mos i nxirr sekretet e shtëpisë qoftë dhe me nënën tënde, motrën apo këto tjetër. Mos u trego grave të tjera sekretet e shtëpisë dhe ato që ndodhin mes mureve të shtëpisë. Mos i trego kujt mbi gjendjen ekonomike të burrit tënd, as mbi gabimet dhe të metat e tij. T’u tregosh grave të tjera apo kujtdo tjetër mbi të metat e burrit tënd, konsiderohet si gjynah i rëndë.
Por një gjynah edhe më i rëndë se ky, është kur burrat ose gratë, rrëfejnë me shokët/shoqet mbi marrëdhëniet e tyre intime.
Një ditë, Profeti a.s u tha myslimanëve:”Kam frikë se ka burra prej jush që u tregojnë shokëve të tyre mbi atë që ndodh në shtratin bashkëshortor. Kam frikë se ka edhe gra që e bëjnë diçka të tillë.”
Të gjithë sahatet ulën kokat dhe nuk folën. Në çast, ngrihet Esma bintu Zejd dhe thotë:”Po o i dërguar i Allahut. E bëjnë diçka të tillë.”
Profeti a.s thotë:”Shembulli i atyre që e bëjnë një gjë të tillë, është si shembulli i shejtanit i cili shkon në shtrat me një shejtane, ndërkohë që njerëzit i shohin.”
A ka më keq sesa të të shëmbëllejë Profeti a.s me një shejtan që kryen marrëdhënie jashtëmartesore me një shejtane, në praninë e njerëzve?
 
7 – Premtimet e rreme. Thotë Profeti a.s:”Nëse një person ka tre cilësi është krejtësisht hipokrit:….. dhe nëse premton, e thyen premtimin.”
Qëllimi me premtimin e rremë, është kur premton dhe e di se nuk do e mbash këtë premtim. Nëse dyshon ose e di se nuk do e mbash dot premtimin, më mirë mos premto.
 
8 – Futja e armiqësisë mes njerëzve. Thotë Profeti a.s:”Nuk hyn në xhenet një njeri që përhap armiqësi mes njerëzve.”
E ke haram o vëlla dhe oj motër të transmetoni ato që thuhen për njerëzit. Kjo shton urrejtjen dhe nxit armiqësi mes njerëzve. Mos i thuaj shoqes se filania ka thënë kështu e ashtu për ty.
Një herë, Profeti a.s kaloi pranë dy varreve dhe pasi qëndroi u tha shokëve:”Këta të dy ndëshkohen dhe nuk ndëshkohen për diçka të rëndë. Në fakt është diçka e rëndë. Njëri prej tyre nxiste armiqësi mes njerëzve duke transmetuar fjalët e tyre, kurse tjetri nuk fshihej teksa urinonte.”
Ai që nxit armiqësinë mes njerëzve do të ndëshkohet rëndë në varr. Një njeri i tillë padyshim që nuk mund të përfitojë nga ofertat e Zotit gjatë Ramazanit dhe natës së Kadrit.
Vallë sa nga zararet e mësipërme i vepron? Mos u përgjigj se i bën të gjitha! Nëse po, atëherë pendohu në këto çaste dhe kërkoji Zotit falje.
 
9 – Përgojimi. Përkufizimi i përgojimit është: Të flasësh keq për dikë prapa krahëve, edhe pse ai mund të jetë i tillë. Edhe pse dikush mund të jetë i ulët, koprac, dembel etj… e ke të ndaluar ta përgojosh dhe ta bësh objekt bisede.
Një burrë  vajti tek Profeti a.s dhe e pyeti:”O i dërguar i Allahut! Më trego si ndodh përgojimi?”
Profeti a.s iu përgjigj:”Duke folur gjëra që dikush i urren të thuhen.”
Burri e pyeti:”O i dërguar i Allahut! Po nëse ai e ka atë ves për të cilin e përgojoj?”
Profeti a.s u përgjigj:”Nëse ai është ashtu siç e përshkruan, e ke përgojuar. Nëse nuk është i tillë, ke shpifur për të.”
Thotë Zoti në Kuran:”dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (Huxhurat, 12)
Zoti e shëmbëllen dikë që përgojon dikë tjetër, me një person që shkon tek varri i vëllait, e nxjerr prej varri dhe i han mishin.
Një mysliman pasi kishte vepruar një gjynah, u ndëshkua nga Profeti a.s dhe myslimanët. Pasi përfunduan, dikush vajti tek një shoku i tij dhe në afërsi të Profetit a.s i tha:”A e pe si u godit siç goditet qeni?”
Profeti a.s nuk i foli por vazhdoi rrugën bashkë me ta derisa kaluan pranë një gomari të ngordhur i cili kishte filluar të dekompozohej. Profeti a.s qëndroi dhe u drejtua nga dy personat që e shoqëronin dhe u tha:”Hani nga kjo coftinë!”
Dy burrat hapën sytë dhe i thanë:”Si na e kërkon diçka të tillë o i dërguar i Allahut?!”
Profeti a.s u tha:”Hajeni këtë coftinë, ashtu siç hëngrën mishin e vëllait tuaj pak më parë.”
Një herë tjetër, dikush përgojoi një tjetër në praninë e Profetit a.s. Me ta dëgjuar Profeti a.s i tha:”Tani pastroji dhëmbët!”
Burri i habitur i tha:”E përse o i dërguar i Allahut?! Unë nuk kam ngrënë mish që t’i pastroj?”
Profeti a.s ia ktheu:”Po ke ngrënë, madje sapo hëngre mishin e vëllait tënd.”
Dy gra u sëmurën gjatë Ramazanit. Kur e dëgjoi këtë Profeti a.s u dërgoi një enë dhe u kërkoi të villnin brenda saj. Të dyja vollën copa gjaku dhe mishi. Profeti a.s i pyeti:”A keni ngrënë mish?”
Gratë i thanë:”Jo o i dërguar i Allahut.”
Atëherë Profeti a.s tha:”Të vërtetën ka thënë Zoti i madhëruar! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?!”
Kur Enes ibnu Malik dëgjoi se një person e kishte përgojuar, i dërgoi një tepsi me ëmbëlsirë. Kur burri e mori ëmbëlsirën e pyeti mbi arsyen dhe Enesi i tha:”Ti, duke më përgojuar më dhurove kushedi sa të mira. Kështu, unë desha të ta kompensoj për këtë të mirë.”
 
10 – Gënjeshtra. Thotë Profeti a.s:”Gënjeshtra të çon drejt shthurjes, kurse shthurja të çon drejt zjarrit. Ka njerëz që gënjejnë dhe jepen pas gënjeshtrave derisa të njihet tek Zoti si gënjeshtar.”
“Meleku i krahut të majtë distancohet një milje nga gënjeshtari, për shkak të erës së keqe që i vjen.”
Dijetarët myslimanë thonë se gënjeshtra është nga gjynahet më të rënda. Kjo pasi edhe ai vetë fillon t’i besojë gënjeshtrat. Kështu, ai shkatërron të mirën që ndodhet në zemër dhe shkatërron gjithë jetën e tij. Sipas një hadithi të Profetit a.s:”Nga shenjat e Ditës së Kiametit, është përhapja e gënjeshtrës.”
Gënjeshtra është vesi më i urryer tek i dërguari i Zotit a.s dhe tek melekët.
Dikush e pyeti Profetin a.s:”O i dërguar i Allahut! A mund të jetë besimtari frikacak?”
Profeti a.s u përgjigj:”Mund të jetë.”
Burri e pyeti:”Po koprac o i dërguar i Zotit?”
Profeti a.s u përgjigj:”Mund të jetë.”
Burri e pyeti:”Po gënjeshtar, a mund të jetë?”
Profeti a.s u përgjigj:”Jo. Besimtari nuk mund të jetë gënjeshtar.”
Një grua e thirri fëmijën e saj dhe i tha:”Eja se do të jap diçka!”
Profeti a.s që u ndodh aty e pyeti:”A ke çfarë do i japësh?”
Gruaja iu përgjigj:”Po, e kam në dorë.”
Profeti a.s i tha:”Nëse nuk do i jepje gjë, do të shkruhej si gënjeshtër.”
Vajti Esmaja tek i dërguari i Zotit a.s dhe e pyeti:”O i dërguar i Zotit! Ndonjëherë dikush më fton për të ngrënë dhe unë i them:”Nuk më hahet, ndërkohë që mua më hahet! A konsiderohet kjo si gënjeshtër?”
Profeti a.s u përgjigj:”çdo gënjeshtër shkruhet si gënjeshtër sado e vogël qoftë.”
Le të jetë motoja jonë pas kësaj teme: Frenoje gjuhën tënde! E lusim Zotin të na ndihmojë që gjuhën ta përdorim vetëm në gjëra që e kënaqin Atë! Amin!
 
 
 
 
 
 
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit