Dr Selman Aude
A ke provuar tu përcjellësh një informacion, një artikull apo një mësim atyre njerëzve të cilët nuk i njeh?
Doktori, po prezantonte një enë me ujë dhe një tjetër me alkool. Tek të dy enët ai hodhi krimba, për të treguar se ato do të ngordhin në enën e alkoolit. Mesazhi që donte të përcjellë ishte se alkooli është i dëmshëm. Por, njëri nga prezentët, protestoi dhe tha:”Jo, alkooli është i dobishëm, sepse pastron stomakun nga krimbat!”
Një prind u tha fëmijëve të tij:”Zogu i cili ngrihet dhe del herët nga foleja, gjen gjithmonë krimba.” Njëri nga fëmijët iu përgjigj:”Jo babi, krimbi që ngrihet dhe del herët nga foleja e tij, hahet nga zogjtë!”
Shumë të arsimuar kapen pas fjalëve, duke injoruar qëllimet.
Omer ibnu Abdul Aziz, dërgoi tek havarixhët Rexha ibnu Hajevej për të debatuar me ta. Ata e pyetën:”Përse nuk është distancuar Omeri nga zullumqarët?”
Ai u tha:”Çfarë mendoni për Hamanin?”
Ata u përgjigjën:”Një qafir i madh.”
Rexha u tha:”Sa herë në ditë e mallkoni atë?”
Havarixhët u përgjigjën:”Ndoshta se kemi mallkuar…”
Rexha u tha:”Epo përderisa nuk e keni mallkuar edhe pse Zoti e ka damkosur si qafir në Kuran, përse i kërkoni Omerit të mallkojë prindërit, gjyshërit dhe farefisin?!” Këto fjalë ua mbyllën gojën.
Më vonë, dikush e pyeti:”Përse u përmende Hamanin dhe jo vetë faraonin?!”
Rexha u përgjigj:”Kisha frikë se mos e mallkonin realisht faraonin, pasi ka qenë koka e gjithë të këqijave, e kështu do të më mundnin me fjalë. Për këtë, u përmenda Hamanin, sepse është më pak i njohur sesa faraoni dhe nuk mund tu ketë shkuar mendja për ta mallkuar, ngaqë kanë qenë të angazhuar me faraonin më shumë.”
Çdo grupacion, madje çdo njeri ka fjalorin e tij personal. Një fjalë që mua më xhindos, për ty nuk do të thotë asgjë. Njeriu mund ta mohojë diçka në mënyrë të prerë, ndërkohë që gjuha e tij te trupit dhe mimika tregon të kundërtën.
Saktësia në komunikimin e mesazhit dhe mënyra e përcjelljes së informacionit tek të tjerët, ka nevojë për të kuptuar dhe njohuri të gjuhës së shkruar apo verbale. Kjo, e shoqëruar me njohjen e palës tjetër dhe mënyrës për të depërtuar në mendjet e tyre. Kjo kërkon arsye dhe ndërgjegjësim.
Kur Arkimedi zbuloi ligjet e shkencës, u gëzua dhe filloi të thërrasë me të madhe:”E gjeta, e gjeta.”
Habia është një zakon. Kur njeriu zbulon diçka të re dhe të bukur, ai gjendet para një momenti të rrallë në jetën e tij. Është ajo që kemi kërkuar kushedi sa kohë.
Një i ri, nxitoi dhe prezantoi një ide të re, të papjekur mirë, e cila u bë shkak për një fushatë të egër, të cilës nuk i rezistoi dot. Që atëherë, i druhet hedhjes së ideve, sado të forta dhe të studiuara të jenë. Guximi për të ndërmarrë rreziqe, dashuria për aventura dhe hedhja tutje e frikës nga dështimi, janë gjëra që bëhen zakon.
Kush i druhet ngjitjes së malit
Gjithë jetën mbetet gropave të moçalit.
Njerëzit me mendim të drejtë, bëjnë çmos që të dalin nga hapësirat e rehatisë dhe sigurisë, duke përshkruar hapësira të reja, të bazuar në përvojat e tyre të mëparshme dhe duke vlerësuar nëse meriton të rrezikohet apo jo. Personi “S” është karizmatik dhe autoritar, ai është shndërruar në një “kërbaç” për ata që e rrethojnë, kërbaç i cili përndjek idetë hezituese ose të ndrojtura të tyre. Kjo, edhe pse disa nga këto ide janë të drejta dhe që mund të eksperimentohen.
Imam Ebu Hanife, i trajnonte studentët e tij për debate në çështjet e fikut. Shejh Sadij ndiqte të njëjtën metodë. Të menduarit e ndërsjellë mes individëve të komunitetit, grupit apo klasës, forcon bashkëpunimin, pranon diversitetin dhe zhvillon idetë.
Një tregim, një buzëqeshje, një shembull dhe një fjalë e urtë, e rifreskojnë mendjen dhe i falin asaj gjallëri. Njerëzit e aftë e vënë re gjithçka që është e huaj dhe ironizuese në botë. Atyre u pëlqen të ndërhyjnë në gjuhën e folur dhe ta pasurojnë atë me metafora, si dhe ti japin punës doza të nevojshme humori. Sportiviteti dhe dozat e nevojshme të humorit, i zbusim proceset e vështira dhe komplekse të cilat kërkojnë mund.
Shumë njerëz lexojmë më shumë sesa duhet, e megjithatë i përdorin mendjet e tyre më pak sesa duhet, duke rënë pre e të menduarit dembel, siç thoshte Ajnshtajni.
Roli yt s’ka përse të jetë përsëritja e rezultateve të korrura nga të tjerët. Arsimi i vazhdueshëm nuk do të thotë që të përsëritësh t njëjtat gjëra herë pas here, në pritje të rezultateve të ndryshme, por do të thotë përgatitje të reja, përvoja dhe ndryshime. Që këtu, kuptojmë se novatorizmi dhe inteligjenca nuk janë vetëm dhunti, por edhe zakon, i cili falë durimit mund të përftohet. Gatishmëria e përhershme për të mësuar, është produkt i modestisë. Gjëja e parë që Zoti i mësoi Ademit a.s, ishin emrat. Studimet konfirmojnë se mësimi i emrave të sendeve, është mësim i koncepteve, simboleve dhe aftësisë për të menduar.
Unë mendoj se ndër zakonet mendore më të mëdha, është besimi tek Zoti, i cili kur është i sinqertë, emocional dhe i lidhur me jetën, përcakton kuadrin e të menduarit, ofron motivimin e duhur, nxit kureshtjen për dije, garanton përkatësinë e jetës, e mbush njeriun me karburantin e durimit, vendosmërisë dhe insistimit, e shndërron të menduarit edhe adhurim dhe zakon njëkohësisht, ofron ngushëllimin dhe kurajën e nevojshme në kohë dështimi dhe disfate, duke mos e lejuar të shndërrohet në një makth depresionues. Manifesti më i madh i besimit tek Zoti është besimi që i jepet individit tek vetja, përgjegjësitë e vetes, vendimeve, rezultateve dhe gjykimeve. Besimi sjell suksesin dhe me suksesin modestinë para Zotit dhe nevojën për më shumë.
Besimi është një zakon mendor, emocional dhe jetësor. Qoftë i bazuar në dije nga Libri apo tradita profetike, apo i përftuar nga edukimi, në të dy rastet, besimi mbetet sekreti i shpëtimit dhe lumturisë. Ai shfaqet me ngacmuesin dhe stimulin e parë në formë përhumbje dhe thyerje para madhështisë së Zotit.