Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka shprehur bindjen se përmes dialogut do të mund të gjendet zgjidhje për çështjen e minares së Xhamisë së Ali Pashës në Ohër.
Zaev morri pjesë në debatin publik për draft versionin e “Strategjisë kombëtare për zhvillim të konceptit për një shoqëri dhe interkulturalizëm”, ku u pyet për të komentuar kërkesat e banorëve të Ohrit “që kryeministri të mbajë fjalën për xhaminë”. Zaev u shpreh se premtim i përbashkët i të gjitha palëve ka qenë që “të ulemi dhe përmes bisedës të gjejmë zgjidhje për këtë problem”.
“Ohri është shembull për bashkëjetesë. Ohri është shembull tipik i ‘Një shoqërie për të gjithë’ për të cilët flasim sot përmes draft-strategjisë kombëtare. Unë besoj se përmes dialogut do t’i gjejmë zgjidhjet, pasi vetëm përmes dialogut është e mundur që të zgjidhen problemet që ndonjëherë shfaqen, për shkak të ndonjë nevoje përkatëse të një komuniteti përkatës, grupi përkatës në shoqëri”, tha Zaev.
Kryeministri sqaroi se çështja e Xhamisë së Ali Pashës në Ohër është një shembull tipik i një nevoje fetare që paraqitet te një grup i caktuar i qytetarëve. Ai theksoi se bisedimet do të vazhdojnë dhe se patjetër të respektohen institucionet e vendit.
Të hënën, banorë të Ohrit të organizuar nga shoqata “Ndërgjegjja” protestuan kundër ndërtimit të minares së Xhamisë së Ali Pashës në Ohër, duke u shprehur se kryeministri Zaev u kishte premtuar zgjidhjen e problemit.
Lidhur me statusin e disa objekteve fetare në vend, përfshirë edhe Xhaminë e Ali Pashës, Bashkësia Islame e Maqedonisë së Veriut kohë më parë iu përgjigj me shkrim Qeverisë së Maqedonisë së Veriut duke vënë në dukje se “për objektin ekziston dokumentacioni adekuat dhe i vlefshëm ndërtimi me fonde të siguruara nga një donacion i huaj i cili me vështirësi shfrytëzohet për shkak të qëndrimit burokratik të institucioneve kompetente shtetërore”.
Restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës financohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë (Genel Vakiflar Müdürlüğlü)./AA