“Atje nuk jetojnë vetëm vëllezërit tanë kurdë, por edhe grupe të tjera të mëdha etnike. Përgjegjësia për ngjarjet që do të pasojnë bie kryesisht mbi Administratën Rajonale Kurde në veri të Irakut”, tha Yıldırım
KOCAELI (AA) – Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım sot në qytetin Kocaeli tha se kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare të Turqisë, vendi i tij nuk do të ngurrojë të përdorë të gjitha të drejtat që dalin nga marrëveshjet bilaterale dhe ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Yıldırım gjatë fjalimit të tij në Kongresin e Zakonshëm të Partisë AK në Kocaeli të Turqisë foli për referendumin e paligjshëm të Administratës Rajonale Kurde në Veri të Irakut.
Duke vënë dukje se në këtë vend jetojnë grupe të ndryshme etnike si kurdët, arabët, turkmenët, asirët e jezidët, Yıldırım tha se Administrata Rajonale Kurde në veri të Irakut është kryesisht përgjegjëse për ngjarjet që do të pasojnë pas referendumit të paligjshëm në rajon.
“Atje nuk jetojnë vetëm vëllezërit tanë kurdë, por edhe grupe të tjera të mëdha etnike. Përgjegjësia për ngjarjet që do të pasojnë bie kryesisht mbi Administratën Rajonale Kurde në veri të Irakut, e cila, përmes një inati, lakmie dhe qëllimi politik, luan me zjarr pa dëgjuar mendimet e të tjerëve (gupeve tjera etnike në rajon)”, tha Yıldırım.
Duke shprehur se nuk kanë punë me kurdët dhe arabët që jetojnë atje apo në Turqi, kryeministri Yıldırım tha se kanë punë me politikanët me pasione ekstreme, të cilët prishin qetësinë dhe errësojnë të ardhmen e këtyre popujve.
“Gjithkush duhet të dijë, çdo ndryshim në statusin e kufijve jugorë të Turqisë, çdo përpjekje për të krijuar shtete artificiale, është çështje e sigurisë kombëtare të Republikës së Turqisë. Kur është fjala për sigurinë kombëtare të Turqisë, ne nuk do të hezitojmë të përdorim të gjitha të drejtat që dalin nga marrëveshjet bilaterale dhe ndërkombëtare”, tha Yıldırım. Prandaj, të gjitha marrëdhëniet tona në lidhje me rajonin në periudhën e ardhshme do të udhëhiqen me qeverinë qendrore në Bagdad. Irani, Iraku dhe Turqia po punojnë në koordinim për të ndaluar të gjitha lojërat në rajon”, tha kryeministri turk Yıldırım.
Ai po ashtu bëri të ditur se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan do të shkojë në Iran gjatë javës së ardhshme dhe më pas do të mbahet takimi vlerësues mes Turqisë, Irakut dhe Iranit. Ai theksoi se do të bëhet gjithçka që është e nevojshme.
Yıldırım shtoi se përkundër Turqisë, në rajon është e pamundur realizimi i një operacioni, ku shtoi se Turqia do të japë përgjigjen e njëjtë si në operacionin “Mburoja e Eufratit” ndaj DEASH-it, kur do të krijohen kushtet.
Pos tjerash, kryeministri Yıldırım tha se janë në një luftë serioze me PKK-në. “Në 24 orët e fundit janë neutralizuar 30 terroristë. Këta kur humbin fuqinë, bëjnë poshtërsi të të gjitha llojeve. I sulmojnë civilët, ushtarët, policët dhe rojet tona por falë Zotit mund të them lirisht se në luftën kundër terrorizmit sot iniciativa është plotësisht te shteti dhe organizatat terroriste, sidomos PKK po mban shpresat në zhvillimet e fundit në veri të Irakut dhe në Siri. Kanë hyrë brenda një ëndrre të ëmbël se do të bëhen shtet i pavarur dhe në këtë mënyrë edhe këta do të arrijnë në qëllimet e tyre”.
Ai vuri në dukje se siguria e Evropës fillon nga Turqia. Kryeministri Yıldırım tha se “Për këtë arsye Evropa duhet të shikojë çështjen nga kjo pikëpamje dhe në procese të mëtutjeshme duhet t’i lërë anash llogaritjet politike dhe të zhvillojë një bashkëpunim më të ngushtë me Turqinë për zhvillimin dhe sigurinë e paqes afatgjate të rajonit”.
“Ne asnjëherë nuk kemi patur problem me qytetarët e BE-së, me popujt të cilët jetojnë aty. Problemi ynë është me disa udhëheqës evropianë. Për fat të keq kur erdh koha e zgjedhjeve Turqia u bë axhenda e parë e rendit të ditës së tyre. Holanda e bëri këtë, humbi, edhe Gjermania e bëri, edhe ajo humbi. Shpresoj se pas kësaj kjo do të bëhet përvojë dhe më nuk do të merren kështu me Turqinë. Është i domosdoshëm zhvillimi i marrëdhënieve të Evropës me Turqinë”, tha ai.