2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Xhamia që mbajti armatimin e UÇK-së për 5 vjet

Më të lexuarat

Në vitin 1992, imami i xhamisë së fshatit Burojë, Avdyl Krasniqi, së bashku me Hashim Thaçin e Kadri Veselin, fshehën një sasi të konsiderueshme të armatimit në xhaminë e fshatit Burojë të Skenderajt, armatim ky që më pas do t’i jepej ushtarëve të UÇK-së. Rëndësia dhe roli i kësaj xhamie në aspektin fetar e kombëtar, u kujtua sot në 300-vjetorin e themelimit të saj.

Tentimi i parë ishte i pasuksesshëm. E për hapjen e kësaj dere tani duhej gjetur një alternativë. Por, dyert e xhamisë së vjetër të fshatit Burojë, dekada më parë ishin shumë më të sigurta.

Në vitet e 90-ta, ajo ishte vazhdimisht nën mbikëqyrjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo pasi në vitin 1992, imami i kësaj xhamie, Avdyl Krasniqi, së bashku me Hashim Thaçin e Kadri Veselin, brenda saj fshehën një sasi të madhe armatimi.

E që më vonë do të përdorej nga UÇK-ja.

“Kjo është pjesa ku janë vendosur arkivolet, janë heq dërrasat, edhe janë vendos arkivolet me armë. Këtë nuk e kanë ditur 4-5 veta, edhe janë ndërruar 2 me 2 që çdo natë me bo roje deri në vitin 1997” tregoi imam i xhamisë në fshatin Burojë, Fadil Idrizi.

Por, cila ishte sasia e armatimit që krerët e UÇK-së, që tani ndodhën për gjykim në Hagë, e fshehën për 5 vjet në këtë xhami.

Këtë për Tëvë1, e ka treguar imami i ri i kësaj xhamie, Fadil Idrizi.

“47 kallashnikovë, 5 armë M48, bomba dore, dylbi dhe 3 palë radio lidhje”, tha ai.

Ndërkohë në hyrje të kësaj xhamie, të enjten valoi përsëri flamuri i UÇK-së.

E oborri i saj, u mbush edhe një herë me qindra xhematlinjë.

Krejt kjo për ta shënuar 300 – vjetorin e ndërtimit të xhamisë së parë të fshatin Burojë.

Në këtë tubim, u tha se kjo xhami e ndërtuar në vitin 1722, shërbeu edhe si vend ku u mësua shkrim-leximi i gjuhës shqipe.

Por, të pranishmit i entuziazmoi edhe përmendja e një emri të njohur nga Buroja, Hashim Thaçit.

E ishte pikërisht Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit, Hashim Thaçi, që në këtë përvjetor jubilar të ndërtimit të xhamisë, shtroi drekë për qindra persona.

Në pritje të rinovimit të kësaj xhamie, banorët e këtij fshati, e shfrytëzojnë xhaminë e re për kryerjen e adhurimeve ndaj Zotit.

Kronika e gazetarit Fidan Zejnullahu /teve1

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit