2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Xhamia e Vjetër e Tiranës, gurthemeli i hequr i kryeqytetit

Më të lexuarat

Xhamia e Vjetër e Tiranës (Xhamia e Sulejman Pashës)

Xhamia e vjetër e Tiranës mendohet të jetë ndërtuar aty nga mesi i shekullit XVI, prej Sulejman Pashës, djali i një prej familjeve të para të fshatit Mullet, që ndodhet pak kilometra në periferi të Tiranës së sotme. Asokohe Tirana ishte një fshat i vogël me disa stane dhe banesat e përkohshme të barinjve[1] dhe e rrethuar nga fshatra të mëdhenj me tregje e me faltoret e tyre.

Në këtë kohë Tirana nuk kishte lindur ende, “nër këto vise ishin të caktueme zonat e çifligjeve të agallarëve dhe të zotnive t’atëhershëm, të cilët banofshin ndër katundet fqinj”[2] Sulejman Pasha duke qenë se ishte i preferuari i Sulltanit mundi që ti pranohet propozimi për ndërtimin e një qyteti të ri. “mbasi e hapi fjalën ndër fqinj, u muer vendimi qi, ma para së gjithash të ngrifesh një Faltore (xhami), nji hamam (banjo) një shtëpi për imamin dhe nji furrë”[3]

Në përshkrimet historike thuhet se për ta bërë që faltorja të frekuentohej prej banorëve përreth, deri sa të shtoheshin banorët e qytetit të ri, nxori fjalën se për të gjithë ata që do të vinin aty për të bërë lutjet e zakonshme do të merrnin nga furra e bukës një prarurë.[4]

Banorët e fshatrave përreth filluan të zbrisnin në qytetin e Pashës e të ndërtonin banesat e tyre, ku vendin e ndërtimit të shtëpisë dhe një kopsht përpara saj e kishin falas, kështu dalëngadalë filloi të merrte fizionominë e një qytetit të vërtetë. Ndërsa në lidhje me emërtimin “Tiranë” ka disa hipoteza por ajo më e qëndrueshmja deri më sot është se duke qenë se Sulejman Pasha ishte Pasha në Teheran të Persisë, qytet të cilin e donte shumë dhe kështu i vendosi qytetit të ri një emër të ngjashëm me të, pra Tiranë. Kështu Xhamia e Sulejman Pashës do të bëhej epiqendra e një qyteti të ri me merin Tiranë.

Arkitektura e saj ka qenë e veçantë dhe e rrallë për faltoret shqiptare. Revista e asaj kohe “Kultura Islame” e përshkruan kështu këtë fakt:

“Sikur të hedhshim vështrimin tonë për nja pak çasa të kësaj Faltoreje, do të ndeshim në rrymën e artit qi e përshkon, tue fillue prej pikturimit të mureve, punimit të dyerve e penxhereve, deri në mbërthimin e copave të tavanit. Vijëzimi i bukur i rrëshqitjes së brushës nga “ustajë” të nep në ças skicën e punës së një “finezze” t’artit t’asaj kohe , e cila e bamun si një shpirt i dytë i artistit, nxirrte prej botës së tij të mbrendshëme punën e mrekullt nër të gjitha lamët; nxirrte me lëvizjen e gishtave të tj frymën e gjallimin e nji pune e cila nuk kishte me u-çvleftësue asnjë herë. Stili i artit të kësaj xhamie – si shumë të tjera punime kësisojë – siç dihet vjen nga udha e artit Arabo-Moresk, i cili kishte përshkue disa pjesë të rruzullit.

Mjeshtrat qi hudhën brushën për të parën herë nër muret e xhamisë vjetër nuk ishin tjerë përveçse ustallarë të dalun prej këtyne rajoneve, nër të cilat ndotjani, tue marrë me angarina[5] dhe punë godinash nër qytete si me randësi t’asaj kohe, kushte mund për me thith në botën e tij rremin e artistit, e kjo asht kryesorja qi ban njeriun të jetojë disa çasa mahnitjeje dhe të ndigjojë një adhurim për ta, kur me sakrifica ma të mëdhaja, dhe të pa – pasunuem me mjetet e lypuna t’asaj kohe , skalisin punë artistike të pavdekshme!

Në puthitjen e dërrasave të tavanit, në ujdisjen e sylmeve[6] të tij,në vendosjen e në planin e bukur të hekurave, njeriu dallon me njiherë se jeton në lamshin e punës së dalunnga dora e një artisti të vërtetë.

Në pikëpamje t’arkitekturës prap se prap Falëtorja e Sulejman Pashës të nep po at përshtypje: Vendosja e shtyllave, punimi dhe projekti i kubes (mesi i faltoreve), të detyrojnë t’ia hudhish sytë mirë me shikim kritiku të vërtetë; gjithashtu rregullimi i vendshëm i mureve të mafilit, i skalisjes së minares të shinë sikur po shkëmben fjalim me arkitektin e përsosun të kohës.”[7]

Në këtë përshkrim të revistës Kultura Islame dalin në pah vlerat e mëdha arkitektonike e artistike të kësaj xhamie e stilizuar me detaje të hollësishme dhe mbresëlënëse nga mjeshtërit e asaj kohe.

Por ashtu si dhe shumë objekte të tjera të kultit në Shqipëri, Xhamia e vjetër e Tiranës nuk mundi t’i mbijetojë regjimit komunist që u vendos në Shqipëri në vitin 1967, duke i hequr kështu kryeqytetit gurthemelin e tij e duke e lënë atë të çalë.

[1] Revistë: Kultura Islame, nr. 3, viti 1362 hixhri, Më gjurmë të historisë dhe t’artit Mysliman: Faltorja “Sulejman Pashë Mulleti”, ase (Xhamia e vjetër e Tiranës.), f.96

[2] Po aty.

[3] Po aty.

[4] Një lloj buke me miell gruri e ëmbël në atë kohë u shiste një pare (santim), e shtrenjtë për kohën.

[5] Punë të kryera në mënyrë vullnetare.

[6]Lule, zbukurime që I bëheshin tavaneve të xhamive

[7] Kultura Islame, 1362, f. 98

/Drita Islame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit