-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Xhamia e Madhe e Durrësit dhe përplasja me Bashkinë

Më të lexuarat

 

Eduart SHEFKIU

Xhamia e Madhe e Durrësit është një nga ndërtimet mbizotëruese të ansamblit urbanistik të qendrës së qytetit bregdetar.

Xhamia e Madhe u ndërtua në vitin 1938. Pozicioni i zgjedhur topografik me fasadë nga Lindja plotëson ansamblin e ndërtimeve publike në sheshin qendror të qytetit. Në periudhën para viteve 1938 sheshi, qëndra e qytetit ndodheshin pikërisht në lagjen më të populluar e cila atë kohë njihej me emrin lagja “Varosh”. Kjo për shkak të emërtimit të xhamisë kryesore dhe varrezave të saj, të quajtur Xhamia e Varosh. Xhamia Varosh ndodhej pikërisht aty ku sot Bashkia e Durrësit ka miratuar organizimin e një programi “qofte-birre-tallava”. Lagja Varosh ishte lagja më e populluar.

Ezani nga minarja dhe predikimi i Mustafa Varoshit, si imam i kësaj xhamie, qetësonte dhe freskonte shpirtin e qytetarit durrsak një herë e një kohë. Mustafa Varoshi edhe pse në atë kohë ishte imam i xhamisë Varosh pati rolin kryesor në ideimin, debatin juridik, fetar, arkitekturor dhe urbanistik që u zhvillua ne ato vite.

Ne vitet ’30, me shtimin dhe zgjerimin e qytetit, lindi nevoja e ndërtimit të një sheshi, i cili do të ishte edhe qendra e qytetit te Durrësit. Porse që të zbatohej ky plan urbanistik duhej shembur xhamia dhe zhvendosur varreza, e cila ndodhej pikërisht në këtë shesh. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia e Durrësit me konsensusin e dy prej dijetarëve dhe teologëve më të shquar, siç ishin kryemyftiu i Durrësit Ismail Ndroqi dhe Mustafa Varoshi dhanë lejen dhe miratuan shembjen e xhamisë dhe zhvendosjen e varrezës, duke pranuar të ndërtojnë një objekt të ri kulti, të cilin ne e njohim si Xhamia e Madhe – Durrës.

Në ndërtimin e Xhamisë së Madhe kontribuuan të gjithë qytetarët dhe tregtarët e Durrësit. Duke qenë se ndërtimi i Xhamisë së Madhe përkoi me periudhën e qeverisjes së Ahmet Zogut dhe në  kohën e bashkëpunimit italo-shqiptar, arkitektura e Xhamisë së Madhe u përzgjodh me kujdes nga arkitektë italianë, të cilët kanë ndërthurur një formë, e cila ruante pjesërisht tradicionalen islame të integruar në të, shtylla  antikiteti.

Me kalimin e viteve dhe zgjerimin e qytetit, fluksit të madh të qarkullimit rrugor, dashje pa dashje lindi nevoja për ta “modernizuar” sheshin ‘Iliria’ duke e ndryshuar atë në masën 70%. Projekti që ndërmori Bashkia e Durrësit e quajti, rivitalizimi i sheshit ‘ILIRIA”, ose rikualifikim i cili me pas do të shfaqej me një imazh të ri. Nga një hapësirë e madhe e copëtuar, siç ishte shatërvani dhe parkimi i makinave para Pallatit te Kulturës, në një projekti të ri, i cili kishte për qëllim rivlerësimin e identitetit historik me një imazh të ri.  Duke e integruar sheshin në një të tërë.

Kjo ishte ajo që ndodhi me sheshin. Por në fakt, Bashkia e Durrësit, në projektimin e këtij plani,     nuk mori parasysh ansamblin e objekteve qe ndodheshin në të siç ishte, godina e Myftinisë së Durrësit, muri i vjetër turk, si dhe godina që ndodhet ngjitur me Murin e vjetër, i cili në fakt është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Myftinisë së Durrësit. Pra këtë fasadë të madhe ndërtimesh, e cila fillon me godinën e Myftinisë dhe përfundon afër shkallëve të amfiteatrit, Bashkia e Durrësit pothuajse e neglizhoi, për më tepër pa asnjë kriter ligjor dhe pa marrë miratimin e Myftinisë ajo i bashkëngjiti para këmbëve të Xhamisë dhe godinës ngjitur me murin turk, galerinë “Nikolet Vasia”. Projekti i Galerisë i ndërtuar nën këmbët e Xhamisë, nuk e ka patur miratimin e Myftinisë. Në vitin 2010 të gjendur para faktit të kryer, të prishjes së shkallëve të xhamisë dhe fillimit të punimeve për vënien në zbatim të projektit, Myftinia menjëherë, edhe pse me një mungesë të madhe të dokumenteve të saj të pronësisë, paditi gjyqësisht, Bashkinë e Durrësit. Gjykata e Durrësit duke parë provat dhe faktet, menjëherë pezulloi punimet derisa palët të gjenin gjuhën e përbashkët.

Në këtë faze proceduriale, Bashkia e Durresit u “gjunjëzua” para kushteve të Myftinisë, duke pranuar të dëgjojë kërkesat e këtij institucioni, pasi kishte hapur edhe një gropë të madhe, e cila në fakt, sipas vlerësimeve inxhinierike rrezikonte edhe vetë xhaminë. Menjëherë u nënshkrua një marrëveshje, e cila sot është në formën ligjore të quajtur “Titull Ekzekutiv”, pra marrëveshje e certifikuar me vendim gjykate të formës së prerë. Në marrëveshje është parashikuar, se sheshi mbi galeri do të jetë në përdorim dhe posedim të Myftinisë. Në të nuk do lejohen aktivitete politike. Ndërsa galeria do të jetë në posedim të Bashkisë dhe aty nuk do të lejohet zhvillimi i aktiviteteve, të cilat bien ndesh me frymën e besimit, të cilin  Xhamia e Madhe e përcjell. Galeria do të përdoret vetëm për të përçuar vlerat turistike dhe qytetare të qytetit të Durrësit. Myftinia ka të drejtën për ta parablere galerinë, nëse Bashkia do të vendosë ta shesë. Ndërsa për sipërfaqet para godinës që ndodhet ngjitur me murin turk,  që realisht Bashkia i ka kthyer në shkallare, Myftinia e Durresit është akoma në proces gjyqësor për masën e dëmshpërblimit në Gjykatën e Lartë.

Duke e parë të gjithë problematikën në këndvështrimin moral, juridik, institucional Bashkia e Durrësit e ka nëpërkëmbur këtë institucion dhe vazhdon ta nëpërkëmbë, duke mos u treguar aspak korrekte në marrjen parasysh të sensibiliteteve të qytetarëve dhe besimtarëve mysliman. Në një periudhë të shkurtër kohe, e pikërisht të ndodhur dhe në muajin e Madhërueshëm të Ramazanit, pa llogaritur ndjenjat e një komuniteti, i cili është frekuentues i rregullt i objektit më të rëndësishëm fetar, Bashkia publikoi në faqen e saj zyrtare hapjen e galerisë Nënë Tereza.

Në fakt, ky emër i madh humanizmi është vlerësuar dhe vlerësohet çdo ditë nga besimtarët musliman edhe për një arsye më tepër, sepse i përket besimit të krishterë. Harmonia dhe toleranca fetare promovohet çdo ditë në aktivitetet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe të komuniteteve të tjera fetare. Pas gjithë kësaj rezymeje nëpërkëmbje kundrejt xhamisë dhe sensibiliteteve fetare Bashkia e Durrësit me projektin -Muze- është duke treguar se qenkësh kjo, ajo e cila promovon vlerat e dialogut dhe të tolerancës. E për me tepër, nëpërmjet këtij projekti po behet shkak qe ndërmjet besimeve fetare të ketë mosmarrëveshje.

Këtu nuk bëhet fjalë për të vënë në diskutim figurën e Nënë Terezës, sesa bëhet fjalë për selektivitetin që po tregon Bashkia në favor të një figure, e cila i përket një feje tjetër.  Edhe shqetësimi i Myftinisë dhe besimtareve myslimanë lidhur me Muzeun është parë në këtë prizëm që sqaruam me sipër. Për më tepër gjithë këtij indiferentizmi dhe nëpërkëmbje po ti shtojmë dhe projektin “birrë-qofte-tallava” do të shikojmë që realisht nuk kemi të bëjmë me nje harrese ose neglizhence institucionale por për diçka që shkon përtej parashikimeve tona….. /tesheshi.com/

* Ish – Myfti i Durrësit, aktualisht administrator i kësaj Myftinie.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit