Xhamia simbol e kryeqytetit të Shqipërisë që i përket periudhës osmane është hapur për adhurim
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka përfunduar restaurimin e xhamisë historike të Et’hem Beut në Tiranë, ndërkohë xhamia është hapur për besimtarët, raporton Anadolu Agency (AA).
Restaurimi i saj filloi në mars të vitit 2018 dhe tashmë xhamia simbol e kryeqytetit të Shqipërisë që i përket periudhës osmane është hapur për adhurim.
Ezani nga kjo xhami do të thirret përsëri pas ndërprerjes për shkak të restaurimit, ndërsa që në ditët e para të hapjes së saj para disa ditësh ka ngjallur interesin e madh të besimtarëve jo vetëm nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë.
Kjo xhami e cila është monument kulture i kategorisë së parë është pjesë e monumenteve që përbëjnë qendrën historike të Tiranës dhe përbën një kompleks arkitektonik unik së bashku me Kullën e Sahatit.
Përveç Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, TIKA ka realizuar edhe restaurimin e Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Xhamisë Mbret, Xhamisë së Beqarëve dhe Teqesë Halveti në Berat.
Xhamia e Et’hem Beut
Ndërtimi i Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, e cila konsiderohet si një prej monumenteve më të rëndësishme nga periudha osmane, ka filluar më vitin 1793 nga Molla Beu, ndërkaq është përfunduar në vitin 1821 nga i biri i Molla Beut, Et’hem Beu.
Duke shpëtuar nga rrënimi në periudhën e ish-diktatorit Enver Hoxhës, Xhamia e Et’hem Beut ka arritur në ditët e tona dhe cilësohet si një prej monumenteve të rralla të periudhës osmane.
Xhamia është restauruar në vitet 1870 dhe në 1985, megjithatë është mbyllur gjatë periudhës komuniste për disa dekada, për t’u rihapur për adhurim në vitin 1991.
E ndërtuar në një themel drejtkëndor, me një minare dhe një kupolë, xhamia posedon sipërfaqe prej 310 metra katrorë.
Pjesa e brendshme e murit dhe kupolës së xhamisë janë zbukuruar me teknika miniature të zbukurimeve fetare me motive lulesh dhe është shembull i veçantë i një përzierje të artit lokal oriental, barokut dhe linjës kryesore të artit osman.