1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Xhami në vilajetin e Janinës

Më të lexuarat

Të dhënat në lidhje me objektet e kulteve janë marrë nga regjistrat protokollarë të vilajetit të Janinës.

Të gjitha shënimet pa përjashtim në të cilat ceken këto objekte kulti kanë të bëjnë me ankesat e dërguara qendrës së meshihatit në lidhje me personelin fetar në këto zona ose kërkesa me natyrë ekonomike. Më poshtë po paraqesim të dhënat e nxjerra nga këta regjistra:

Xhamia e Vushtës

Vushta ka qenë një kasaba që varej nga kazaja e Pogonit. Sipas dokumentit të datës kanuni I 1315 që gjendet në regjistrin protokollar Mehmet Shaqir efendiu, naibi i mëparshëm i Kërkkilises rrugës tek kthehej për në Pogon kishte ndalur në Vushtë dhe kishte marrë 600 kurushë nga të ardhurat e ambarit të lënë vakëf, që gjendej poshtë mektebit të kasabasë. Ngaqë këto të ardhura i takonin kujdestarëve të xhamisë së Vushtës kërkohej nga qendra ta urdhëronte naibin t’i kthente sa më parë ato para.

Xhamia e Sylejman Pashës

Kjo xhami ndodhej në kasabanë e Beratit. Sylejman pasha rridhte nga familja e vrionëve. Në shkresën e datës temmuz 1324 dërgohet një ankesë në lidhje me myftinë e beratit Mehmet efendinë i cili një herë e një kohë kishte qenë kujdestari i kësaj xhamie, por për të mbuluar të ardhurat e vakfit të kësaj xhamie që i kishte kaluar në pronësi të tijën ai kishte zgjedhur si administrator një tjetër person.

Xhamia e haxhi Mehmet Abasit

Kjo xhami gjendej në kasabanë e Delvinës. Nga burimet mësojmë se është ndërtuar në vitin 1872, por në lidhje me themeluesin e saj nuk ka të dhëna. Në shkresën e datës 29 Haziran 1326 kemi një ankesë në lidhje me myezinin e kësaj xhamie Mehmetin, se nuk paraqitej rregullisht në detyrën e tij si myezin.

Xhamia e fshatit Nikoliç (Nikolic)

Në regjistrin protokollar ky fshat shënohet nën varësinë e Ajdonatit (Paramithisë), por sipas vjetarit të Janinës ai varej nga Margariti dhe kishte 58 shtëpi me 383 banorë.

Në shkresën e datës kanuni sani 1314 shohim një ankesë në lidhje me hafiz Muhidin efendiun i cili akuzohet se ka shpërdoruar për arsye personale të ardhurat vjetore për meremetimin e xhamisë që kapin vlerën 80 lira turke.

Xhamia e xheddi Sinan Çavuşzade Mehmed Beg

Kjo xhami ndodhej në tregun e kasabasë së Gjirokastrës. Në shkresën e datës kanuni evvel 1314 Ismail Haki i Hasan begut kërkonte të jepej gjykimi në lidhje me truallin vakëf të kësaj xhamie që gjendej në këtë treg dhe në lidhje me të cilën disa persona pretendonin kujdestarinë.

Xhamia e Sylejman Beut

Në lidhje me themeluesin e saj Sylejman beun nuk dimë gjë tjetër përveç se ka qenë nga Frashëri. Në një ankesë të banorit të këtij fshati të dërguar me telegraf qendrës shkruhet se Qazim beu nga fshati frashër e ka dëmtuar këtë xhami duke marrë prej saj gurët e vjetër rrethues dhe vjel për llogari personale të ardhurat e kësaj xhamie që mblidheshin nga mulliri i fshatit.

Xhamia e Salih Beut

Kjo xhami ndodhej në Përmet dhe kishte të ardhura vjetore deri në 8000 kurushë, por ato shpërdoroheshin nga kujdestari i xhamisë Mehmet aga shehu.

Xhamia e fshatit Gardhiq

Në vitin 1894 në këtë fshat kishte 156 shtëpi me 780 banorë. Xhamia ndodhej në lagjen Koçana të fshatit. Detyrën e hatipit e kryente Mehmet efendiu. Pasi caktohej në detyrë imami ishte i detyruar ti paraqiste qendrës në Stamboll ilamin që jepte sherija nga e cila varej, në rastin tonë, sherija e Paramithisë në mënyrë që ai të caktohej zyrtarisht.

Xhamia e fshatit İsmarto

Fshati İsmarto varej nga kazaja e Filatit. Në shkresën e datës 14 Haziran 1328 thuhet se në detyrën e imamit këtu është caktuar Shuajb efendiu i biri i Ibrahim agait.

Xhamia e fshatit Golem

Në një shkresë lexojmë ankesën në lidhje me sheh Fevriun, imamin e xhamisë dhe mësuesin e mejtepit se nuk është duke i mësuar fëmijët si duhet. /revistaetika/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit