“Asnjë individ apo institucion nuk guxon të lë në harresë atë çfarë ndodhi në Srebrenicë, por edhe në luftërat tjera, sepse ai që harron të kaluarën, mund t’i përsëritet e njëjta”, tha Xhaferi
SHKUP (AA) – Asnjë individ apo institucion nuk guxon të lë në harresë atë çfarë ndodhi në Srebrenicë, por edhe në luftërat tjera, sepse ai që harron të kaluarën, mund t’i përsëritet e njëjta, deklaroi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi pas takimit në Kuvend me përfaqësuesit e shoqatave boshnjake dhe bashkësisë boshnjake në Maqedoni, me rastin e shënimit të 11 korrikut, Ditës së përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë nga viti 1995, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga vetë fakti se Parlamenti Evropian me një Rezolutë njohu gjenocidin e Srebrenicës mbi popullin boshnjak të kryer në vitin 1995 gjatë luftës së fundit atje, tha Xhaferi, është obligim i Parlamenteve anëtare të Këshillit të Evropës të respektojnë këtë datë, duke e shënuar në forma të ndryshme.
“Meqë në pjesë të ndyshme të botës aktualisht ndodhin raste siç ishte ai me Srebrenicën dhe luftërat tjera gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, dërgojmë porosi se të gjithë ne, edhe si bartës të institucioneve dhe funksioneve publike kemi për obligim të punojmë në parandalimin e mundësive për përsëritje të ndodhive të njëjta”, tha Xhaferi, sipas të cilit, njohja e krimeve, mund të jetë një bazament i shëndoshë për rifillimin e pajtimit mes kombeve.
Safet Crnovrshljanin nga Këshilli për shënimin e 11 korrikut, Ditës së përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, tha se për të shënuar këtë datë, kanë organizuar një marsh përkujtimor që do të mbahet në orët e pasdites, më ç’rast në sheshin “Maqedonia” do të lexohet Deklarata e sivjemë për Srebrenicën.
“Porosia jonë është që kjo që u ka ndodhur boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995, të mos i ndodhë askujt dhe askund”, tha Crnovrshljanin.
Kujtojmë se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në shkurt të vitit 2010 miratoi deklaratë për mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e cila masakrës së Srebrenicës i dha epitetin e gjenocidit, me çka obligohet të shënojë këtë datë në mënyrën e duhur.