13.8 C
Pristina
Friday, September 20, 2024

Wagner-i famëkeq i Putinit: pse quhet kështu?

Më të lexuarat

Një rrëfim nga brenda i mercenarit që shkroi një libër

Për vite, mercenari rus Marat Gabidulin ka vrarë në shërbim të grupit famëkeq Wagner në zonat e luftës në Siri dhe Ukrainë. Por në një moment, misionet ushtarake me të cilat të fuqishmit e Rusisë ngarkuan kompaninë private ushtarake Wagner, e bënë të mendohej.

Ai është luftëtari i parë në ushtrinë hije të presidentit rus Vladimir Putin që zbulon në librin e tij “Wagner – Ushtria Sekrete e Putinit” (Econ Editions), i cili sapo është botuar në gjermanisht, se si Rusia në të vërtetë mbështeti presidentin sirian Bashar al-Assad ose separatistët në Ukrainën lindore.

“Shpëtimi i regjimit të Bashar al-Assad i ka mundësuar Rusisë që të projektohet globalisht si mbrojtëse dhe shpëtimtare e kriminelëve të të gjitha llojeve,” shkruan Gabidulin.

Mercenarët e grupit Wagner luajnë gjithashtu një rol në Sudan, Mali dhe Libi.

Por Putin tha në shkurt: “Sa i përket Wagner-it, unë kam thënë tashmë se shteti rus nuk ka asnjë lidhje me të”. “Kompani të tilla kanë interesa komerciale. Ata negociojnë vetë në terren, pushtetarët i ftojnë në nivel shtetëror dhe i shpërblejnë për punën që kanë bërë”, tha ai duke iu referuar Malit.

“Kuzhinieri i Putinit”

Në të kundërt, kineastet francezë Xenia Bolsakova dhe Alexandra Jouchet, të cilët realizuan një dokumentar të titulluar “Wagner, ushtria hije e Putinit”, dokumentojnë lidhjet e ngushta të grupit me Kremlinin. Ata gjithashtu intervistuan Marat Gabidulinin dhe u mbështën në  librin e tij për shumë informacione bazë.

“Në shumë vende, grupi Wagner udhëton ekskluzivisht në shërbim të Kremlinit. Me dërgimin e mercenarëve, shteti kursen kontributet pensionale dhe rrogat që do t’iu paguante ushtarëve të rregullt të ushtrisë. Dhe gjithashtu u lejon atyre të eliminojnë të vdekurit”, shkruajnë ato.

Drejtuesit e organizatës, e cila në videot e saj propagandistike tregon një portret të kompozitorit gjerman Richard Wagner, janë biznesmeni rus Yevgeny Prigozhin dhe nënkoloneli Dmitry Utkin. Si shenjë e admirimit të tij për muzikën, Utkin mban emrin “Wagner”. Pas karrierës së tij në agjencinë ruse të inteligjencës ushtarake GRU, ai thuhet se themeloi nga viti 2014 e tutje një forcë të reagimit të shpejtë të veteranëve të forcave speciale që mbajnë këtë emër.

“Dmitry Utkin është një admirues i madh i Rajhut të Tretë dhe Adolf Hitlerit,” shkruajnë Bolshakova dhe Jusset. Por Prigozhin është lidhja e drejtpërdrejtë me Kremlinin. Ashtu si Putini, ai, i cili thuhet se kërkohet nga SHBA, vjen nga Shën Petersburg (ish-Leningrad). Ish-krimineli që u bë një nga njerëzit më të fuqishëm në Rusi është produkt i pastër i një bote të krimit të milicëve, spiunëve, njerëzve të shërbimit sekret, bosëve të mafias dhe ish-të dënuarve. Prigozhin shpesh i shërbente Putinit në restorantin e tij, në kohën kur presidenti rus punonte në administratën e qytetit të Shën Petersburgut,  prandaj e quanin “kuzhinier i Putinit”.

Mbrojtja e “punëtorëve të luftës”

Një total prej rreth 5,000 luftëtarësh thuhet se janë aktivë për grupin Ëagner sot. Një prej tyre deri në vitin 2019 ishte vrasësi Gabidulin, i cili merrte deri në 3000 euro në muaj. Në librin e tij mbi tmerret e luftës, i cili duket shumë si një përgjigje nga fronti, ai ankohet për armatimin e dobët, gabimet në zhvillimin e betejave dhe sjelljen ndonjëherë brutale të njerëzve të shthurur të Wagner-it.

Vetë Gabidulin e justifikon botimin e librit me luftën e Putinit kundër Ukrainës, të cilën e konsideron gabim. Ai vetë kurrë nuk ka dashur të luftojë kundër një kombi vëlla. Por lexuesit nuk duhet të presin pendim nga mercenari. Gabidulin e përdor librin për të justifikuar veten. Dhe kërkon njohjen zyrtare të luftëtarëve të Kompanive Private Ushtarake (PMC).

Sipas tij, ushtarët rusë shpesh përvetësuan sukseset e mercenarëve në luftën kundër ISIS në Siri. Mercenarët meritojnë një vend në librat e historisë, argumenton Gabidulin: “Kjo strukturë e re në Rusi do të duhet ende një kohë e gjatë për të provuar se nuk është vetëm një rezervuar që mbledh mercenarë, por një organizatë e përbërë nga profesionistë të vërtetë – punëtorët e luftë”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit