1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

VV: Policia është shndërruar në një institucion të kapur nga pushteti

Më të lexuarat

Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje të mërkurën në një konferencë theksuan se Policia e Kosovës ka kohë që është shndërruar në një institucion të kapur nga pushteti dhe po përdoret ndaj kundërshtarëve politikë të drejtuesve të Qeverisë.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta, tha se Policia e Kosovës ka kohë që është shndërruar në një institucion të kapur nga pushteti dhe po përdoret ndaj kundërshtarëve politikë të drejtuesve të Qeverisë.

“Intervenimet e Policisë, sidomos në 5 muajt e fundit janë kryekëput politike dhe në funksion të mbrojtjes së koalicionit LDK-PDK-Srpska si dhe të projekteve të tij kryesore ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit me Malin e Zi. Policia e Kosovës nuk e lufton krimin dhe korrupsionin, veprime këto që i bën çdo polici në shtetet demokratike, por ka angazhuar gjithë arsenalin e saj në shtypjen e opozitës dhe arrestimin e aktivistëve e deputetëve të saj”, tha Shkreta.

Ai shtoi se instrumentalizimin e Policisë së Kosovës e mundëson fakti që drejtuesit e këtij institucioni janë bashkëpjesëmarrës në krim e korrupsion.

“Ata janë pjesë e grupeve kriminale që drejtohen prej udhëheqësve të kësaj qeverie dhe lehtësojnë zhvillimin e kriminalitetit në vendin tonë. Këtu kemi një foto të Rashit Qalajt, drejtor i Departamentit për Operacione – pra një nga personat kyç në Policinë e Kosovës, i cili është veçanërisht drejtues i operacioneve policore ndaj protestave dhe opozitës – ku ky person shihet krah Elmi Reçicës, njërit nga njerëzit kryesorë të SHIK-ut. Fotoja është bërë gjatë një ndeje miqësore në vilën luksoze të Elmi Reçicës në Shtrazë të Kaçanikut. Rashit Qalaj njihet për afërsinë e tij të ngushtë me Elmi Reçicën dhe Kadri Veselin dhe është e qartë që operacionet policore i kryen në bazë të urdhrave politikë nga këta persona”, theksoi Mirsad Shkreta.

“Në anën tjetër, Policia e Kosovës përveç që po përdoret si mjet i dhunës ndaj opozitës, po përdoret edhe si mjet propagandues në favor pushtetit. Rastin më të freskët e kemi atë të deklarimit të shifrave të rrejshme nga zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani”, tha Shkreta.

“Me një polici të tillë, të kapur nga partitë në pushtet, Kosova po shndërrohet në vend totalitar. Kjo është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet nga populli i Kosovës”, tha në fund Shkreta. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit