7.9 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

VV: Gazetarët e guximshëm ende na japin shpresë

Më të lexuarat

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Lëvizja Vetëvendosje i shpreh mbështetjen gjithë atyre gazetarëve, redaktorëve dhe punonjësve të shtypit në Kosovë që i janë dedikuar me veprën e sakrificën e tyre betejës së pandërprerë për të ndërtuar një shtyp të lirë.
Ky subjekt politik thekson se Kosova, edhe në sferën e shtypit të lirë, renditet ndër vendet e fundit në kontinent dhe kjo, sipas tyre, për shkak të ndërhyrjes brutale të autoriteteve të pushtetit apo të biznesit në linjat profesionale të informimit të publiku.
 
“Në mediat private gazetarët trajtohen si rroba që i vesh e i flak cili të dojë, ndërsa në mediat publike, sindikalistët përjashtohen edhe nga puna. Cilësia e prodhimit mediatik dëmtohet rëndë edhe për shkak të pozitave të nënshtruara të gazetarit e të punonjësit të medias ndaj drejtuesve dhe pronarëve të kompanive private. Gazetarët shpeshherë punojnë pa kontrata, të detyruar t’i nënshtrohen presionit të pushteteve shtetërore apo private, e jo rrallëherë ka qëlluar të cenohen fizikisht e moralisht prej kësaj”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
 
Sindikalizimi i gazetarëve dhe i punonjësve të medias, organizimi i tyre rreth një etike profesionale e rreth deontologjisë së punës, Vetëvendosje thotë se do të mbërrinte të prodhonte lirinë e duhur që mendjet kritike të funksionojnë edhe në shtypin tonë pluralist por jo të pavarur.
 
Lëvizja Vetëvendosje thotë se beson fuqimisht se gazetarët, redaktorët dhe punonjësit e medias duhet të kenë mundësinë të përfshihen në sindikata në mediumet ku ata punojnë duke theksuar se “ata duhet të kenë kontrata e të mos punojnë në të zezë, si dhe, t’u maten dhe t’u paguhen orët që punojnë përmbi orarin e zakonshëm zyrtar”.
 
“Liria e medias është një gur themeli për shoqërinë demokratike, por Kosova nuk është ndërtuar ende demokratikisht. Për këtë arsye mediat detyrohen të bëjnë ‘shërbime’ ndaj pushtetit. Kjo tregon se guri i themelit të demokracisë sonë, mbetet fiktiv”, theksohet më tej në komunikatë.
 
Subjekti opozitar politik, Vetëvendosje, thotë se gazetarët e redaktorët e guximshëm janë ata të cilët “ende na japin shpresë me punën e tyre të palodhshme”.
 
“Media si tërësi është një aktor shoqëror prej së cilit mund të ndikohet shumë diskursi i pushtetit. Media mund të ndihmojë shumë njerëz që gjenden në kushte të pafavorshme përballë jetës dhe mjerimit në Kosovë. Por për ta bërë këtë do të duhej të izoloheshin zëdhënësit e interesave të oligarkëve, të cilët jo rrallë janë pronarë të mediave”, thonë në Vetëvendosje.
 
Vetëvendosje, bashkë me gazetarët, kërkon më shumë transparencë nga të gjithë sektorët me impakt publik. “Kërkojmë transparencë prej qeverisë qendrore e asaj lokale, kërkojmë transparencë për fondet e shoqërisë civile, medias dhe institucioneve fetare, dhe kërkojmë transparencë edhe sa i përket ambasadave e misioneve të huaja në Kosovë”.
 
“Bashkë me punonjësit e medias, në diskutim të vazhdueshëm me ta, duke u informuar dhe duke marrë ide mbi situatën, ne e shohim median si armën kryesore për të luftuar kapjen e shtetit. Por që ta bëjë këtë, media do të duhet të niste paraprakisht një proces të purifikimit të vetvetes prej servilëve e prej njerëzve të blerë prej kushedikujt”, përfundon komunikata e Vetëvendosjes.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit