9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Vulin, Radoiçiq, Veselinoviq,…: Mediat serbe publikojnë emrat e 14 zyrtarëve e biznesmenëve të vendosur në listën e zezë të SHBA-së

Më të lexuarat

Përveç drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) Aleksandar Vulin, i cili u sanksionua së fundmi, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë edhe shtetas të tjerë serbë.

Kështu raportojnë mediat serbe, sipas të cilave, disa prej tyre janë të njohur për publikun e gjerë, si tregtari i armëve Slobodan Teshiq dhe biznesmeni kontrovers Milan Radojiçiq, ndërsa të tjerët pothuajse nuk njihen, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) vendosi sanksione ndaj drejtorit të BIA-s dhe ish-ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin.

Ai dyshohet për aktivitete korruptive, kryesisht në përhapjen e ndikimit malinj rus në Serbi, si dhe përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar, trafik droge dhe shpërdorim të detyrës publike.

Veprimet e tij, siç thuhet në raport, promovuan korrupsionin në institucionet shtetërore në Serbi, dhe me këtë nënkuptojmë keqpërdorimin e pozitës për interesa personale, e që përfshin përfshirjen në tregtinë e narkotikëve.

Vendosja e sanksioneve nga Departamenti Amerikan i Thesarit do të thotë se të gjitha asetet e personave nën sanksione të vendosura në SHBA janë të bllokuara. Në të njëjtën kohë bllokohen edhe kompanitë në pronësi të tyre apo me të cilat janë të lidhura.

Por, përveç Vulinit, vë në pah Nova.rs, në listën e lartpërmendur janë edhe shtetas të tjerë serbë, më saktë gjithsej 14 prej tyre, njëri prej tyre është Sllobodan Teshiq, tregtar armësh.

Teshiq është tregtari më i madh i armëve në Serbi dhe ai ishte i lidhur me dërgesa të dyshimta të armëve, për këtë arsye ai ishte në fokus të publikut ndërkombëtar në disa raste, madje ishte i kërkuar për një kohë nga Interpoli.

Por, pavarësisht se ai është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kompanitë e tij vazhdojnë të eksportojnë armë.

Në këtë listë është edhe Goran Andriq, i cili menaxhon kompaninë “Velkom Trade” Beograd, dhe siç ka njoftuar më herët nga Ministria e Financave të SHBA-së, Andriq është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Slobodan Teshiqit.

Përveç këtyre, lista përfshin shumë të tjerë bashkëpunëtorë të Teshiq, si Nebojsha Sharenac, Nikolla Brkiq, Esad Kapixhiq, dhe Zhelimir Petroviq.

Si bashkëpunëtorë të tij përmenden edhe Sreten Cvjetkoviq, Zoran Petroviq, Milan Subotiq dhe Ljubo Mariçiq, të cilët po ashtu janë nën sanksione.

Gjithashtu, aty gjenden edhe biznesmeni kontrovers Milan Radoiçiq, i cili ishte i lidhur me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Ai është edhe nën sanksionet britanike.

Bashkëpunëtori i tij më i afërt Zvonko Veselinoviqit, si dhe kompanitë e tij janë gjithashtu nën sanksione. Veselinoviq ishte i lidhur edhe me vrasjen e Ivanoviqit, gjithashtu.

Ndërkohë listës “i është bashkuar” edhe Luka Karaxhiq, vëllai i Radovan Karaxhiq, i cili u dënua për krime lufte në luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 1990.

Ndryshe, Radovan Karaxhiq u arrestua në vitin 2008 dhe më vonë u dënua me burgim të përjetshëm për krimet në Srebrenicë.

E ndërsa akuzat ndaj Vulin po vërshojnë këto ditë, ai është ende në postin e kreut të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë.

Për rastin e tij ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili praktikisht ka bërë të ditur se Vulin nuk do të shkarkohet nga posti i kreut të BIA-s.

“Nëse na japin ndonjë informacion të rëndësishëm për këtë, ne do ta ndjekim penalisht Aleksandar Vulinin. Sigurisht që nuk ka asgjë nga këto, e di cila është arsyeja. Arsyeja është Moska dhe qëndrimi i tij ndaj Rusisë. Dhe nëse do të kisha vendosur sanksione kundër Rusisë disa ditë më parë, nuk do të kishte sanksione kundër Vulin”, tha Vuçiq disa ditë më parë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit