Pa ndonjë pajtim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh të enjten në Bruksel.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar para mediave se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Ai tha se megjithatë janë të gatshëm të pranojnë propozimin për Asociacionin.
Vuçiq tha se propozimi që ka marrë nga të dërguarit perëndimorë, i referohet ekskluzivisht formimit të Asociacionit, por se nuk mund të flasë për detajet, sepse marrëveshja është e tillë që të mos flitet.
“Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë”, u tha ai gazetarëve.
Por, theksoi Vuçiq, Serbia “nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës” – hapa që, në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë.
““Serbia ka thënë qartë se dëshiron që të gjitha marrëveshjet të zbatohen, nga ajo bazë e vitit 2013 e deri te ato më vonë në Bruksel dhe Ohër, dhe ne gjithmonë kemi theksuar vetëm një gjë, e cila dihet – ajo është se Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin në OKB dhe as pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.
“Nuk u bë fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrim të ndonjë gjëje”, por “për zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë”, tha presidenti serb.
Ai shtoi se askush në takime nuk i ka përmendur “sanksionet kundër Serbisë”, që do të lidheshin me sulmin në Banjskë./Telegrafi