Platforma e Kosovës për dialog me Serbinë e ka hidhëruar shumë presidentin e këtij vendi Aleksandar Vuçiq.
Ai dje, gjatë tërë ditës, nuk e ka lëshuar nga goja Kosovën dhe shqiptarët e saj dhe gjatë tërë kësaj kohe jo pak herë ka përdorur fjalë fyese kundër klasës politike të Kosovës.
Klasën politike të Kosovës, Vuçiqi e ka quajtur bandë. Madje, ka kërkuar edhe largimin e kësaj klase politike.
“Bandë e Prishtinës, sikter”, ka thënë ai me zemërim dje gjatë një tubimi me elektoratin e vet, njofton agjencia serbe e lajmeve tanjug
Gazeta e Beogradit “Politika” sot në ballinën e vet ka botuar fjalimin e tij me titull “Bandë e Prishtinës, sikter (jashtë) me atë dokument”. Me “dokument“ Vuçiqi, sipas gazetës serbe, i referohet Platformës së Kosovës për dialog me Serbinë, të cilën, ka thënë ai, Serbia nuk do ta pranojë.
Vuçiqi nuk është ndalur me akuza vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ai e ka akuzuar edhe Bashkimin Evropian. “Rrenacakë”, i ka quajtur politikanët e BE-së.
“Ata më patën premtuar se në Kuvendin e Kosovës nuk do të miratohet Platforma”, ka thënë ai.
“Më kanë rrejtur, gënjeshtarët “, ka shfryrë mllefin Vuçiqi.
Për Platformën e miratuar e ka akuzuar edhe Slobodan Petroviqin, liderin e Partisë së Pavarur Liberale.
E ka quajtur “tradhtar”, sepse, ka thënë ai, me votimin e tij Kuvendi ki Kosovës ka bërë 61 vota dhe Platforma për dialog ka kaluar.
“Serbia nuk do ta pranojë këtë Platformë. Serbia nuk është as e vogël dhe as e dobët siç mendojnë në Kosovë dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë”, është kërcënuar në fund Vuçiqi./koha.net