0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Vuçiq kërkon formimin e një ekipi për ta luftuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Më të lexuarat

Në takimin në Beograd, ku mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, Vuçiq u kërkoi të pranishmëve të luftojnë më shumë në politikën e jashtme, përmes bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, Parlamentit dhe Presidencës.

“Ne kemi detyra të vështira dhe të rëndësishme, dhe do të kërkoja nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, pavarësisht se çfarë funksionesh do të kryejnë pas formimit të qeverisë së re, të punojnë me përkushtim në kryerjen e këtyre detyrave”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se janë disa “gjëra të rëndësishme” për të cilat duhet të pajtohen, pa marrë parasysh se brenda një kohe të shkurtër do të formohet Qeveria e re e Serbisë.

Ai tha se Serbia përballet me sfida të vështira, duke përmendur dialogun me Kosovën, si dhe mundësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai kërkoi nga Qeveria ta formojë një ekip dhe t’ua dërgojë të gjithëve një dokument joformal, në të cilin do të paraqitet qëndrimi i Serbisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.

Vuçiq e pranoi, megjithatë, se “shanset tona janë minimale”.

Ai ka kërkuar ndryshim në qasje dhe si argument kryesor kundër pranimit të Kosovës të përmendet se Prishtina nuk e ka themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe jo se “Kosova nuk është shtet”.

Ndërkohë, ai tha se kryetarja e Kuvendit të Serbisë duhet ta vazhdojë punën për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it dhe diskutimet për kushtet e zgjedhjeve lokale në Beograd.

Ai tha se zgjedhjet nuk do të mbahen para 17 majit, pa përfunduar çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në takimin e jashtëzakonshëm ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të sektorit të sigurisë, ushtrisë, policisë dhe drejtorë të ndërmarrjeve publike.
REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit