Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka konfirmuar blerjen e dronëve Bayraktar nga Turqia, lajmin e bëri të ditur mes vizitës së homologut të tij turk në Beograd, Recep Tayyip Erdogan.
Sipas tij, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Turqisë janë ngritur në nivelin më të lartë, sidomos “në historinë moderne të vendeve tona”.
“Nuk më vjen turp të them se duam të blejmë drona Bayraktar, por e gjithë bota i do, kështu që ne qëndruam në radhë. Jemi në pritje dhe shpresoj që vitin e ardhshëm do ta realizojmë. Jemi gati të paguajmë shumë më shumë para se disa dhjetëra miliona të rënë dakord fillimisht”, tha Vuçiq.
“Ne jemi gati të kalojmë në numrin disa qindra milionësh që do të jepnim për Bayraktarët”, shtoi ai.
Gjatë ditës së sotme, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka zhvilluar një vizitë në Beograd ku doli në një konferencë shtypi së bashku me homologun e tij serb, Vuçiq.
Baykar, prodhuesi i dronit Bayraktar TB2, drejtohet nga dy vëllezër – shefi ekzekutiv Haluk Bayraktar dhe vëllai i tij Selçuk, shef i teknologjisë.
Dronët Bayraktar janë përdorur gjerësisht nga Ukraina në konfliktin e saj aktual me Rusinë. /Telegrafi/