Nga: Mustafa Mahmud
Vuajtja nuk njeh shtresë
Beduini që banon në thellësitë e shkretëtirës, ankohet se s’ka ujë për të pirë. Qytetari që banon në një lagje të pasur, ku uji i rubinetës i vjen nga bjeshkët e ftohta, ka ndriçim të mjaftueshëm, kondicioner, televizor dhe dush të ngrohtë, ankohet se vuan nga sheqeri, tensioni dhe vështirësi në frymëmarrje dhe tretjen e ushqimit.
Milioneri banor i Parisit, i cili shijon gjithçka që i shkon në mendje, ankohet se vuan prej depresionit, fobisë nga vendet e mbyllura, dyshimet, pagjumësia dhe stresi.
Ai që Zoti i ka dhënë shëndet, pasuri dhe grua të bukur, ankohet nga dyshimet që i kanë mbërthyer zemrën rreth gruas së tij të bukur, dyshime të cilat nuk e lënë rehat.
Personi i suksesshëm dhe ylli i famshëm, i cili ka fituar të gjithë betejat në shkallët e karrierës, ka dështuar dhe është thyer në betejën me lëndët narkotike. Ai është kthyer në një narkoman të kokainës dhe ka marrë tatëpjetën.
Mbreti që ka në dorë kushedi sa pasuri, toka e shërbëtorë, është shndërruar në një skllav të epsheve, shërbëtor të pasioneve dhe rob të instinkteve kafshërore.
Kampioni i mundjes, vuan dhe ankohet se i është fryrë zemra, për shkak të fryrjes së muskujve.
Të gjithë ne, dalim nga kjo botë me fate të ngjashme, edhe pse në pamje të jashtme dukemi se kemi goxha diferenca. Me gjithë dallimin mes të pasurve dhe të varfërve, në fund të fundit, shohim që vuajtjet dhe lumturia janë tepër të ngjashme për secilin.
Zoti, aq sa jep edhe merr, aq sa privon dhe kompenson, aq sa vështirëson dhe lehtëson. Nëse do të mund të depërtonim në zemrën e tjetrit, do të ndjenim keqardhje të thellë. Aty do të konstatonim peshoren e drejtë të botës së brendshme të secilit, edhe pse në aparencë na duket e padrejtë. Asokohe ndjenja e zilisë, urrejtjes, neverisë dhe mllefit do na venitej.
Gjithçka që shohim, vila e xhevahire, stoli e teknologji, janë thjesht dekor i jashtëm i letrave të lojës. Sakaq, brenda zemrave fshihet dëshpërimi, vuajtjet dhe pikëllimi.
Ziliqarët, dashakeqët dhe të mashtruarit me atë që posedojnë, thjesht i bëjnë qejfin vetes me aparencën, duke harruar dhe neglizhuar realitetin. Nëse hajduti do e perceptonte kështu, nuk do e zgjaste dorën për të vjedhur. Nëse vrasësi do të kishte të njëjtin perceptim, nuk do e zgjaste dorën për të vrarë. Po kështu dhe gënjeshtari.
Nëse do të ishim të ndërgjegjshëm, do e kërkonim dynjanë me krenari dhe dinjitet, do e kërkonim mirëqenien me ndërgjegje dhe do të komunikonim duke e respektuar njëri-tjetrin. Në këtë botë, nuk ka as humbës dhe as fitimtarë, pasi fatet e secilit prej nesh janë të përafërta në botën e brendshme. Ashtu siç ishin të përafërta çastet e lumturisë dhe të vuajtjes, me gjithë diferencat e jashtme.
Vuajtja nuk njeh shtresë, pasi është emërues i përbashkët mes të gjithëve. Secili prej nesh pi nga gota e vuajtjeve, gotë e cila është e barabartë për të gjithë, me gjithë diferencat e paraqitjes dhe të statusit social.
Nuk janë diferencat e jashtme ato që vulosin lumturinë apo vuajtjen e secilit, por janë diferencat në qëndrime. Ka njerëz të cilët qëndrojnë mbi çdo lloj vuajtjeje, duke i kapërcyer dhe interpretuar si rast për të nxjerrë mësim dhe fituar urtësi. Ato janë njerëz që rrezatojnë dritë, ata e konstatojnë drejtësinë dhe bukurinë në çdo gjë, ata e duan Krijuesin në çdo situatë.
Sakaq, ka njerëz të cilët nuk e përtypin dot vuajtjen, të cilën e shohin vetëm të zezë dhe si një krimb që i gërryen pak e nga pak. Këta janë ata njerëz, shpirtzinj, mohues të Krijuesit të tyre dhe rebelë ndaj caktimit të Tij.
Secili prej nesh, ia shtron rrugën destinacionit të tij përfundimtar në botën tjetër, atje ku do të shijohet vuajtja e vërtetë por edhe lumturia e vërtetë. Njerëzit e kënaqur në këtë botë, meritojnë kënaqësinë e botës tjetër. Kurse të pakënaqurit dhe ziliqarët, do të meritojnë dënimin.
Sakaq, kjo dynja nuk është as xhenet as xhehenem, përveç dallimit në aparencë. Secili prej nesh rrufit gotën e tij të vuajtjes dhe secili ndihet i vuajtur dhe i lodhur.
Kjo dynja nuk është gjë tjetër veçse një test, për qëndrimin që mban secili. Njerëzit ndryshojnë në bazë të qëndrimeve dhe shpërblehen në bazë të tyre.
Ana e jashtme, i ngjan një dekori dhe maske që veshin personazhet kryesore, të cilat herë na duken si mbretër dhe herë si varfanjakë, herë si të pasur e herë të privuar. Sakaq, pas perdeve dhe jashtë skenës, në jetën e vërtetë gjithçka është ndryshe.
Dora bujare e Zotit shtrihet edhe tek varfanjakët, të cilëve u ndriçon shpirtin, u jep shpresë jetimëve dhe të vetmuarve, si dhe u fal ëmbëlsinë e nevojshme durimtarëve. E njëjta dorë, shtrihet për të privuar pasanikët nga gjumi, për t’ua ligështuar zemrën dhe shëndetin. Janë këto erërat paralajmëruese, të cilat herë vijnë të nxehta pasi burojnë nga ferri dhe herë të freskëta pasi burojnë nga xheneti. Ato janë rreze të zbehta që paralajmërojnë Ditën e Premtuar, ditën kur të hiqen perdet e të ndahen udhët; njëra drejt lumturisë së përjetshme, kurse tjetra drejt vuajtjes së përjetshme. Atë ditë, nuk do të bëjë dobi pendimi.
Njerëzit e mençur dhe besimtarë ndihen të qetë, pasi e kanë kuptuar këtë dhe i janë dorëzuar Zotit, duke e pranuar caktimin e tij dhe duke i besuar si të drejta absolute ndërhyrjet hyjnore. Kështu, ata janë të qetë si mendërisht ashtu dhe shpirtërisht dhe këto dy qetësi, kanë prodhuar një të tretë, atë fiziken.
Sakaq, gafilët dhe indiferentët, të cilët përbëjnë shumicën, vazhdojnë të vriten me njëri-tjetrin për një kothere bukë, për një femër, për një shumë parash apo për një dynym tokë. Në fakt, ajo që grumbulluan nuk është gjë tjetër veçse shqetësime, gjynahe, etje dhe uri të pangopur.
…