Një fëmijë shtatëvjeçar është vrarë dhe shtatë persona të tjerë janë plagosur në një sulm me thikë që ndodhi në Shkollën Fillore “Preçko” në Zagreb më 20 dhjetor. Në sulm është plagosur rëndë edhe një mësuese, e cila është në rrezik për jetën.
I dyshuari për kryerjen e sulmit është një djalë 19-vjeçar dhe është nën mbikëqyrjen e policisë, kanë bërë të ditur zyrtarët.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së spitalit “Klaiçeva”, Iva Hojsak, tha se në spitalin e tyre janë sjellë dy djem, njëri 11 dhe tjetri 7 vjeç, me plagë të shumta të shkaktuara nga thika, por për fat të mirë të dy janë jashtë rrezikut për jetën.
Video-pamjet e publikuara nga mediat kroate tregojnë fëmijët duke vrapuar jashtë ndërtesës së shkollës, shkruan AP-ja.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, deklaroi se e gjithë Qeveria dhe publiku kroat janë të tronditur nga tragjedia që ndodhi në Zagreb.
“Policia dhe të gjitha shërbimet e tjera, po përpiqen të përcaktojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur në këtë incident të madh”, tha Plenkoviq gjatë hapjes së mbledhjes së Qeverisë.
/REL/