“Nga sulmi humbi jetën drejtori i mbrojtjes civile i Gutës Lindore, Mahmud Kaddo Ebu Hamid, i cili ishte duke shkuar në vendngjarje”
AMASK (AA) – Në sulmin e regjimit sirian në Gutën Lindore të cilën e mban nën rrethim ushtarak në kryeqytetin Damask, kanë humbur jetën 4 civilë duke përfshirë edhe drejtorin e mbrojtjes civile (Helmetat e Bardha), ndërsa janë plagosur 7 të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).
Omer Ebu Ubejde, përgjegjësi për mediat i mbrojtjes civile në lagjen Ajn Terma në Gutën Lindore që gjendet nën kontrollin e opozitarëve, në një deklaratë me shkrim tha se “Forcat e regjimit sulmuan lagjen Misraba në rajonin e Gutës Lindore me 5 mortaja. Nga sulmi humbi jetën drejtori i mbrojtjes civile i Gutës Lindore, Mahmud Kaddo Ebu Hamid, i cili ishte duke shkuar në vendngjarje.”
Ai theksoi se së bashku me drejtorin kanë humbur jetën edhe 3 civilë të tjerë dhe janë plagosur 7 civilë.
Ebu Ubejde tregoi se pavarësisht armëpushimit sulmet e regjimit ndaj Gutës Lindore nuk janë ndalur. Në Gutën Lindore e cila gjendet nën rrethimin e regjimit më shumë se 5 vjet jetojnë rreth 400 mijë persona.
“Helmetat e Bardha” e marrin emrin nga helmetat të cilat përdoren gjatë punimeve të kërkim shpëtimit, ndërsa deri më tani kanë shpëtuar dhjetëra mijëra njerëz dhe në kuadër të kësaj organizate punojnë rreth 3 mijë persona, ndër të cilët edhe gra.
“Helmetat e Bardha” për shkak të punimeve të tyre në Siri ishin kandidat për Çmimin Nobel të Paqes.