-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Vret shokun me plumb pas koke dhe e hedh në rrugë

Më të lexuarat

– Duket e pabesueshme, por është e vërtetë; shoku e thërret që ta shoqërojë me makinë deri në shtëpi dhe më pas e vret rrugës me plumb pas koke. Ngjarja ka ndodhur orëve të vona të së mërkurës në një fshat të Durrësit, ndërsa policia vetëm pas 20 orësh arrin të publikojë emrin e autorit të krimit të rëndë dhe të paprecedent. Nga mënyra se si e transmeton policia ngjarjen, jepet të kuptohet se gjithçka ka qenë e planifikuar nga autori i krimit, edhe pse po sipas policisë, autori është një person me probleme mendore.

Referuar të dhënave që shoqërojnë krimin e rëndë të ndodhur dy netë më parë, saktësohet se viktima dhe autori njiheshin prej shumë kohësh dhe se ishin miq mes tyre, por nuk dihet se çfarë ka ndodhur mes tyre. Më në fund, autori shkon dhe e pret në besë mikun e vetë dhe të familjes së vet. Deri orëve të vona mbrëmë, ai nuk është vënë në pranga, ndërsa policia saktëson se po kërkohet dhe se së shpejti do të arrestohet.

Në fakt ka qenë gruaja e viktimës që ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, e cila ka telefonuar policinë dhe kunatin e saj, pasi Arben Hasa nuk po kthehej në shtëpi. Trupi i pajetë i tij është gjendur rreth orës 02.00 të mëngjesit të djeshëm, ndërsa mbi të mësohet se është qëlluar me pesë plumba. Policia thotë se po kërkohet për këtë vrasje pikërisht Miran Tila, nga Manëz e Durrësit, ndërsa vijohet të punohet për të zbardhur motivin, pasi ende nuk dihet se përse është qëlluar mbi shokun.

Policia për ngjarjen

Diku pas mesnate, një telefonatë në sallën operative të policisë ka lajmëruar se bashkëshorti i saj kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer. Gruaja e merakosur, e cila duket se kishte dijeni në lidhje me debatet që mund të ketë patur i shoqi, sapo burri ka vonuar më shumë se sa duhet ajo është shqetësuar dhe veç policisë ajo mësohet se ka telefonuar edhe vëllanë e të shoqit në Burrel. Ky i fundit është nisur menjëherë në drejtim të Durrësit dhe atje i është bashkuar policisë për të bërë të mundur vijimin e kërkimeve. Pas më shumë se dy orë kërkimesh, Arben Hasa, është gjetur në anë të rrugës i pajetë, pasi mësohet se ka dyshime që ai është munduar të largohet pasi ka marrë plumbin e parë, por autori e ka ndjekur duke e vrarë edhe me katër plumba të tjerë. Pasi është gjetur trupi i pajetë, gruaja ka treguar se në fakt ka qenë Miran Tila, personi që e ka telefonuar Arbenin për ta shoqëruar me automjetin e tij deri në shtëpi se nuk kishte me çfarë të shkonte. Burri në momentin që ka dalë nga shtëpia i ka thënë bashkëshortes se po shkoi të çoj deri në shtëpi Miranin se po vjen nga Tirana me fugon dhe s’ka me çfarë të shkojë në shtëpi. Arbeni mësohet se ka dalë me shapka dhe me rroba shtëpie për të shoqëruar shokun. Ai ka lënë gjithçka në shtëpi, madje edhe telefonin.

Rindërtimi i krimit

Ekspertët e hetimit të Krimeve të Rënda pranë Policisë së Durrësit kanë punuar për orë me radhë mbi ngjarjen e rëndë për të kuptuar jo vetëm shkakun se përse ka ndodhur por edhe mënyrën se si ka ndodhur. Sipas të dhënave të para ka dyshime që Mirani, që sipas të dhënave është baba i një fëmije dhe është i moshës, 43-vjeçare, pasi ka shkuar diku nga gjysma e rrugës e ka qëlluar me një plumb shokun e tij. Ky i fundit ka frenuar. Ka hapur derën dhe ka zbritur  në tokë dhe është nisur të largohet me vrap për t`i shpëtuar vrasësit i cili ka zbritur me kallashnikov dhe e ka ndjekur nga pas.

Sipas të dhënave të policisë, mësohet se më pas i ka dhënë edhe katër plumba, një prej të cilëve pas koke. Miran Tila më pas ka ikur, po s’dihet ende ku dhe deri ku ka mundur të mbërrijë pasi është larguar në këmbë nga vendi i krimit. Policia është tejet e rezervuar në lidhje me motivin e ngjarjes, e cila bëri me dije mbrëmë se ka dyshime se mes shokësh ka patur një konflikt të para disa muajsh, ndërsa Arbeni e ka harruar sherrin me shokun e tij, duket se s`ka ndodhur e njëjta gjë edhe tek Miran Tila, i cili ka kryer edhe krimin e rëndë duke e vrarë në besë shokun e tij.

Policia: Po hetojmë për një sherr banal mes autorit e viktimës

Referuar të dhënave të policisë së Durrësit bëhet me dije se nga hetimet paraprake bëhet fjalë për një sherr banal që ka ndodhur mes tyre rreth katër muaj më parë. Ka dyshime se sherri të ketë ndodhur për femra mes dy burrave, por policia e mohon të jetë e vërtet. Sipas policisë ka dyshime që mund të jetë edhe problem borxhi, pasi viktima, Arben Hasa, nga Burreli, i cili kishte pak vite që kishte ardhur në Manëz të Durrësit, kishte edhe një biznes të vetin.

Megjithatë policia pret që të vërë në pranga 43-vjeçarin të mësojë të vërtetën e ngjarjes së rëndë, ndërsa vëllai i viktimës bëri me dije dje publikisht se nuk është në dijeni të ndonjë sherri të vëllait të tij dhe se kërkon të arrestohet autori i krimit. Vëllai hedh dyshime se në krim kanë marrë pjesë më shumë se një person, ndërsa policia bëri me dije mbrëmë se në fakt autori është një person i mbyllur dhe mjaft problematik. Janë marrë në pyetje familjarët e tij ndërsa, mësohet se familjarët e viktimës bashkë me trupin janë nisur në drejtim të Burrelit, atje edhe ku do t`i jepet lamtumira 39-vjeçarit, prind i një fëmijë, që u vra pabesisht nga shoku i tij.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit