0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Vrasja e fëmijëve në luftë: Drejtësi e papërfunduar  

Më të lexuarat

Hera e fundit që Fadil Muqolli i ka parë katër fëmijët e tij ishte 17 prilli i vitit 1999. Së bashku me nënën e tyre dhe anëtarë të tjerë të familjes, katër fëmijët e Fadilit u vranë nga forcat serbe në Poklek të Vjetër në Drenas.

Njëzet e dy vjet më parë në shtëpinë e familjes Muqolli, u vranë 54 njerëz. Shumica prej tyre ishin gra dhe fëmijë.

“Vajza ka qenë 13 vjeçe, djali i madh 12, djali i dytë 10 vjeç dhe i treti nëntë”, tregon Fadil Muqolli në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Fletore dhe libra të fëmijëve të vrarë gjatë luftës të paraqitura në ekspozitën "“Na Ishte Njëherë Që Kurrë Mos Qoftë”.
Fletore dhe libra të fëmijëve të vrarë gjatë luftës të paraqitura në ekspozitën ““Na Ishte Njëherë Që Kurrë Mos Qoftë”.

Muqolli, tash 53-vjeçar, tregon se në mesin e anëtarëve të tjerë të vrarë, ishte më e vogla e familjes, Liria, që ishte ende foshnje.

“Ndër këta 54 njerëz kanë qenë 24 fëmijë. Të vrarë janë 14 anëtarë të familjes time. Babai, nëna, katër motra, bashkëshortja me katër fëmijë (një vajzë dhe tre djem), gruaja e vëllait me dy vajza. Vajza e vogël e vëllait ka lindur në luftë, Liri e ka pas emrin dhe ka qenë gjashtë muajshe”, thotë Muqolli.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur masakrën e Poklekut Holokausti i Kosovës.

Shtëpia ku u vranë 54 persona, në mesin e tyre edhe 14 anëtarë të familjes Muqolli.
Shtëpia ku u vranë 54 persona, në mesin e tyre edhe 14 anëtarë të familjes Muqolli.

Mirëpo sipas Fadil Muqollit, institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për të dënuar fajtorët e kësaj masakre.

“E di që është ngritur një padi në Beograd në vitin 2015. Askush prej institucioneve, as të EULEX-it, as të UNMIK-ut, as këto tonat asgjë s’kanë bërë”, thotë Muqolli.

Gjatë viteve të luftës në Kosovë më 1998-99 dhe në muajt e parë pas mbarimit të luftës, u vranë 1.024 fëmijë dhe 109 konsiderohen të zhdukur.

Nga këta 1.133 fëmijë, 100 i përkasin komuniteteve të tjera si serbë, romë, ashkali, egjiptas, boshnjakë etj.

Sllavica Janiqijeviq-Popoviq kërkon që përgjegjësit për vrasjen e vëllait të saj të marrin dënimin e merituar.
Sllavica Janiqijeviq-Popoviq kërkon që përgjegjësit për vrasjen e vëllait të saj të marrin dënimin e merituar.

Edhe Sllavica Janiqijeviq-Popoviq që 22 vjet është duke pritur drejtësinë për vëllanë e saj, Novicën, i cili u vra më 23 korrik 1999, kur ishte 17-vjeçar. Bashkë me vëllain, asaj i është vrarë babai dhe dy axhallarët.

“Ajo nuk ishte vrasje, ajo ishte masakër. Vëllai im kishte vetëm 17 vjeç, ishte fëmijë”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Novica Janiqijeviq ishte më i riu në mesin e 14 personave të vrarë në fshatin Grackë e Vjetër të Lipjanit, rreth 20 kilometra larg Prishtinës. Janiqijeviq-Popoviq tha se dhimbja për vëllanë kurrë nuk do t’i largohet, por shpreson që do të gjejë qetësi atëherë kur të zbulohet se kush ia vrau vëllanë.

“Ndoshta do ta kisha më lehtë, por vetëm nëse sinqerisht vendoset drejtësia, jo të jetë një dënim i lehtë dhe pastaj të lirohen, por të jetë një dënim i merituar për atë çfarë kanë bërë, të jetë dënimi i përjetshëm”, tha ajo.

Edhe pse rasti i vrasjes së serbëve ne Grackë të Vjetër u shqyrtua në gjykatat e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, të cilën pastaj e ka trashëguar Prokuroria Speciale e Kosovës, lënda u mbyll më 2017 për shkak, siç thotë ajo, mungesës së provave ndaj personave të akuzuar.

Ajo shpreson se Gjykata Speciale në Hagë të sjellë drejtësi për vrasjen e vëllait të saj.

Fotografitë e fëmijëve të vrarë gjatë luftës të paraqitura në ekspozitë “Na Ishte Njëherë Që Kurrë Mos Qoftë”.
Fotografitë e fëmijëve të vrarë gjatë luftës të paraqitura në ekspozitë “Na Ishte Njëherë Që Kurrë Mos Qoftë”.

Shumë pak të dënuar në Kosovë

Për 22 vjet, rreth 70 persona janë dënuar me aktgjykime të plotfuqishme për krime lufte.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë tha për Radion Evropa e Lirë se dy procese gjyqësore janë mbajtur në Serbi, e që kanë të bëjnë me masakrën që ka ndodhur në Podujevë më 28 mars 1999, ku janë vrarë fëmijë, gra dhe pleq të familjeve Bogujevci dhe Bulliqi. Për këtë masakër janë dënuar pesë persona.

Po ashtu sipas Blakajt, ka qenë një gjykim për krimin masiv që është kryer më 26 mars të vitit 1999 në familjen Berisha në Suharekë, ku edhe aty ka pasur një numër shumë të madh të fëmijëve që janë vrarë.

Sipas Blakajt, institucionet e vendit nuk kanë bërë sa duhet në evidentimin e as në hetimin e këtyre rasteve e aq më pak në ndjekjen penale të atyre që kanë bërë krime, ku fëmijët kanë qenë viktima.

“Në Kosovë nuk e di që ka pasur ndonjë rast gjyqësor ku janë dënuar kryerësit e krimeve ndaj fëmijëve. Kanë qenë tri procese gjyqësore në Serbi që janë zhvilluar, ku janë gjykuar ata që kanë bërë krime lufte e ku viktima kanë qenë në mesin e të rriturve edhe fëmijët”, tha Blakaj.

Sipas tij, qeveria aktuale duhet të angazhohet në rend të parë që të dokumentohen krimet dhe të mblidhen prova për procese gjyqësore, kudo që ka prova të tilla, dhe të bëhet edhe më shumë në përgatitjen e kallëzimeve penale dhe ngritjen e aktakuzave ndaj kryerësve të këtyre krimeve.

Ministria e Drejtësisë shton numrin e prokurorëve për krime lufte

Mungesa e prokurorëve ka qenë një ndër arsyetimet kryesore në Kosovë kur bëhet fjalë për moshetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Deri vonë, për këto lëndë kanë qenë të angazhuar vetëm dy prokurorë.

Genc Nimoni, këshilltar i lartë i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Drejtësisë ka filluar ta konsiderojë me prioritet çështjen e adresimit të krimeve të luftës.

Ai tregoi se Prokurorisë Speciale të Kosovës i janë shtuar katër prokurorë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy përkthyes, të cilët do të merren ekskluzivisht vetëm me krimet e luftës.

“Në kuadër të kësaj, fillimisht kemi filluar me ndryshimet e nevojshme ligjore për të kompletuar dhe mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, në shtimin e kapaciteteve të sistemit prokurorial, në këtë rast të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e gjithashtu kemi filluar edhe në themelimin e mekanizmit për krime të luftës në Kosovë”, tha Nimoni.

Ministria e Drejtësisë ka hapur mundësinë që të gjithë qytetarët e Kosovës që cilët kanë prova materiale lidhur me krimet e luftës, t’i dërgojnë në këtë ministri.

Avokati Arianit Koci, që zakonisht merret me rastet e krimeve të luftës së fundit në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se duhet të ketë një hetim të veçantë për krimet ndaj fëmijëve që janë bërë gjatë agresionit serb në vitin 1998-1999.

Sipas tij, as nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, as nga EULEX-i (Misioni i BE-së për sundimin e ligjit) as nga UNMIK-u (Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë) e as nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, nuk janë hetuar këto krime në mënyrë të veçantë.

“Unë mendoj se këto krime duhet të hetohen dhe gjykohen në mënyrë të veçantë dhe për ta bërë këtë, duhet së pari të rritet numri i prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pastaj në kuadër të prokurorisë duhet të angazhohen në cilësinë e ekspertëve analistët ushtarakë, që mund të shpjegojnë edhe përdorimin joproporcional të forcës të agresorit serb”, tha Koci.

Ish-këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më herët ka deklaruar se Kosova ka trashëguar rreth 1.000 raste te krimeve të luftës nga UNMIK-u dhe EULEX-I, rreth 15 vjet të vjetra. Por, edhe ajo ka theksuar se në drejtësinë e ngadalshme ka ndikuar mungesa e stafit.

Një departament i posaçëm për krime lufte është krijuar në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në maj të vitit 2015.

Fati i të pagjeturve, në mëshirën e arkivave serbe

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë një përgjigje nga prokuroria sesa aktakuza janë ngritur kundër kryerësve të krimeve kundër fëmijëve, por nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13.500 persona, shumica dërmuese shqiptarë, ndërsa 1.600 ende konsiderohen të pagjetur.

Kontribuoi: Sandra Cvetkoviq

[email protected] (Taulant Qenaj)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit