0.1 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Vrasësi i turistëve çekë: Do jepja jetën time në vend të atyre

Më të lexuarat

Sokol Mjacaj, vrasësi i çiftit të turistëve çekë thotë se është penduar për krimin, që sipas tij kishte vetëm synim grabitjen. “Jam penduar. Shumë do të thonë, po ky çfarë thotë. Edhe jetën time do ta jepja. Ajo që ndodhi nuk kthehet mbrapsht…”.

Në një bisedë telefonike nga burgu i Lezhës, ku mbahet i izoluar, ai tregon për “GSH” momentet e krimit të rëndë, kur mori peng Michael Svatos dhe të dashurën e tij Anna Kasinova dhe më pas i vrau, pasi çeku tentoi t’i merrte armën nga dora.

“U mora vetëm një telefon. Gjithçka e imja mbeti aty. Edhe atletja. Shkova i zbathur tek disa të afërm të mi”, tregon Mjacaj. Ai shprehet se do ta presë i qetë verdiktin e drejtësisë.

Sokol, ju akuzoheni për vrasjen e dy turistëve çekë, Michael Svatos e Anna Kosinova, a mund të na rrëfeni se çfarë ndodhi atë ditë në Prekal të Shkodrës?

Qëllimi im ka qenë grabitja e dy turistëve. Jo e atyre, ata ishin krejt rastësisht. Unë u kam dalë para me armë në fshatin Lotaj, kam hipur në makinë me ta, si kam marrë peng. Njëherë hipa në makinë normal. Ai djali më zbriti në tokë. Jam ulur në tokë, i kam drejtuar armën dhe i kam zbritur të dy në tokë. U kam marrë telefonin se donin të komunikonin. Ka ardhur ai djali është ngjitur në makinë, i dhashë çelësat e makinës, pasi ja kisha marrë. Jemi nisur në drejtim të Shkodrës. Nuk u thashë se do t’i grabisja. U thashë do vij me ju deri të Ura e Mesit. Ua shpjegova edhe me shenja, pasi unë nuk di anglisht. Në momentin që kemi hyrë në fshatin Prekal ka vazhduar t’i shtojë shpejtësinë makinës shoferi, i tha të shoqes, vendose rripin e sigurimit. Ai po më verifikonte nga pasqyra. I thashë: Ke ndonjë problem? Jo, më tha në anglisht. I thashë ule shpejtësinë. Duke ecur vetëm kur frenoi dhe më kapi armën. Në atë moment kam qëlluar ndaj tij. Mandej nuk di as vetë sesi ka ndodhur. Vetëm mbaj mend se vajza kishte dy duart në fytyrë. Kaq ishte. Ndodhi.

Takimi me dy turistët ishte rastësor, apo i kishit vëzhguar gjatë ditës dhe kishit bërë plan për t’i grabitur?

Ka qenë krejtësisht rastësore.

Çfarë arritët t’u grabisnit?

Vetëm telefonin, që mu gjet në xhep në momentin e arrestimit. Ua mora që në momentin e parë kur i mora peng, mos të flisnin me policinë apo kënd tjetër. E kam diktuar më vonë që telefonin e kisha në xhep.

Sokol ju e keni kryer krimin i vetëm apo keni pasur dhe bashkëpunëtorë të tjerë?

E kuptoj shumë mirë pyetjen që ma bëre. E vërteta është se jam krejtësisht i vetëm në këtë ngjarje dhe nuk ka pasur dijeni njeri lidhur me krimin.

Pasi kryet vrasjen, si vepruat ku u fshehët?

Kam dalë nga makina. U ngjita në një makinë rasti që drejtohej nga një djalë i ri dhe po ikte në drejtim të Shkodrës. Kam shkuar tek disa njerëzit e mi, në vendin e quajtur Hot i Ri. Më pyetën çfarë ke, se isha zbath. Njërën atlete e kam lënë në makinë, çdo gjë me ngeli atje, vetëm telefonin e tyre kisha me vete në xhep që ua pata marrë që në fshatin Lotaj. Kam qëndruar atë natë te njerëzit e mi. Më pyetën ku isha, përse je bë kështu, pse zbath? E plot pyetje të tjera. U thashë se jam rrëzuar me një motor, por s’ka ndodh asgjë.

Pra, ju nuk jeni shtyrë nga askush për ta kryer vrasjen?

Jo, nga askush. Gjithçka e bëra unë.

Jeni penduar për krimin që keni kryer?

I penduar jam shumë. Ajo çfarë ndodhi nuk kthehet më pas. Të kisha sesi ta ktheja, do isha gati… disa njerëz mendojnë se flet kot ky, por ata…unë e mendoj vetë, do jepja jetën time në vendin e atyre.

Nëse do të keni përballë prindërit e Michaelit e Annës, çfarë do ju thoshit?

Ju kërkoj shumë ndjesë. Ma bëni hallall për çfarë ju kam bërë. Ju kërkoj shumë falje.

Do ta bëni këtë gjë dhe në sallën e gjyqit përpara syve të tyre?

Po.

Sokol ju keni qenë i dënuar edhe më parë për pjesëmarrje në vrasjen e një fëmije. Mund të na thoni se cili ka qenë roli juaj në ngjarje?

Në atë kohë unë kam qenë një fëmijë 15 vjeç. Ai djali që ka vdekur ka qenë shok me mua, vëllain e tij unë e kam pasur shumë të ngushtë. Pavarësisht se edhe personin që është dënuar e kam pas shok. Vrasjen e ka bërë Besnik Kodra. Atij i ngeli në dorë. Nuk kishim plan ta vrisnim. Kemi shkuar që të na tregonte për të mbjellë hashash në atë zonë. Ngjarja ndodhi e tashmë të vërtetën e di gjithë Shqipëria.

Që pas vrasjes së fëmijës ju keni pasur probleme me familjen, por pas vrasjes së turistëve, duket sikur ju kanë braktisur. Ju keni kontakte me familjen, vijnë prindërit t’ju takojnë?

Unë flas në telefon vetëm me vëllain. Ai është larg. Gjendja ekonomike e imja dhe e familjes time dihet si është. Unë flas vetëm në telefon me të. Kanë ardhur dy djemtë e dajës tim më kanë takuar. Asgjë më shumë.

Ju flisni për herë të parë lidhur me këtë ngjarje. Besoj e keni menduar edhe dënimin e rëndë që ju pret, çfarë shpresoni nga drejtësia?

Nuk mund të them asgjë lidhur me këtë. Drejtësia i di vetë vendimet e veta. Kështu që s’mund të them asgjë tjetër.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit