2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

VLERA E KOHËS NË ISLAM

Më të lexuarat

Koha dhe shfrytëzimi i saj janë çelës suksesesh. Besimtari është i thirrur më shumë se kushdo tjetër që ta shfrytëzojë kohën dhe të përfitojë prej saj në mënyrë që jetë i dobishëm në këtë botë dhe i shpëtuar në botën tjetër. Ky punim mëton të hedh dritë mbi vlerën e kohës dhe rëndësinë e saj në Islam, sikur që ofron disa shembuj dhe modele të të parëve se si e kanë shfrytëzuar kohën dhe si kanë përfituar prej saj, dhe tërë këtë që të jetë udhërrëfyes për ne për të përfituar nga koha.



1. KOHA SI BEGATI E SHPËRFILLUR

Të kuptuarit e vlerës së kohës është imazh i kuptimit të fesë dhe imazh i të qenit i bekuar nga Allahu. Pejgamberi ﷺ ka thënë: «Ka dy mirësi që shumica e njerëzve nuk ua dinë vlerën: shëndeti dhe koha e lirë.» [1]Koha në fakt është vetë jeta. Imam Raziu, duke shpjeguar kaptinën El-asr, përmend se kohës i është dhënë kjo pozitë në fe, për shkak të asaj që ndodhë në të: gëzimi dhe hidhërimi, shëndeti dhe sëmundja, pasuria dhe varfëria…Ibn El-Xheuzi duke shpjeguar se si rëndësinë e kohës e kuptojnë vetëm njerëzit e frymëzuar nga Allahu thotë: “Kam parë shumë njerëz që nuk e dinë domethënien e jetës. Prej tyre kam parë njerëz që Zoti iu ka dhënë pasuri ndërsa ata tërë ditën e kalojnë nëpër tregje duke parë kush po hyn e kush po del. Të tillët shohin shumë gjëra të këqija që duhet t’i ndalojnë ndërsa nuk e bëjnë. Kam parë të atillë që e kalojnë kohën duke luajtur shah apo duke marrë në gojë pushtetarë, duke folur për çmime të lira e të shtrenjta, etj. Kur i pashë këta kuptova se Allahu nuk ia ka mundësua ta sheh (kuptojë) vlerën e jetës dhe të çmojë vlerën e kohës së mirë e të begatshme (në të cilën nuk ka probleme) përveç atij që e ka inspiruar për t’i shfrytëzuar ato. Allahu ka thënë:

﴿وَمَا يُلَقَّاهَا إِلَّا ذُو حَظٍّ عَظِيمٍ﴾

“…këtë mund ta arrijnë vetëm ata që janë të pajisur (me virtyte të bukura).” [Fussilet: 35].”[2]

Imam Raziu, në shpjegimin që përmendëm më lartë, në vazhdim merr një shembull interesant për vlerën e kohës dhe rëndësinë e kuptimit të saj, thotë: “Ta zëmë një njeri ka jetuar njëmijë vite dhe nuk është penduar vetëm se në momentet e fundit. Pendimi i garanton përjetësinë në Xhennet…”

Tash paramendo, sikur ky njeri të mos pendohej, përjetësi në zjarr. Për ta kuptuar edhe më drejtë, marrim shembullin e njeriut që vrau njëqind veta.[3] Vdekja e zuri në rrugë pa mos patur mundësinë, përveç pendimit, ta bëjë asnjë punë tjetër të mirë. Melekët nuk ditën si të veprojnë me të. Zgjidhja erdhi nga lart: mateni distancën ndërmjet dy vendeve: vendit, që ka braktisur, e i cili ka qenë i keq, dhe vendit tjetër, të mirë, në të cilin është këshilluar të shkojë, dhe gjykojeni sipas vendit që është më afër tij. E panë se ishte për pak metra më afër vendit të mirë, andaj e gjykuan si besimtar. Pra, shpëtoi.. dijetarët kanë thënë: imagjino sikur ky njeri ta vononte pendimin e tij për vetëm disa minuta dhe të mos nisej atje ku ishte këshilluar, do të kishte vdekje të keqe. Së këndejmi, kuptimi i vlerës së kohës dhe shfrytëzimi i saj janë mirësi që Zoti ia jep robit të Vet.



2. KUR’ANI DHE SUNNETI PËR KOHËN

Duke qenë se koha ka vlerë, Kur’ani dhe Sunneti e kanë trajtuar bukur shumë. Allahu i Madhëruar fillimisht është betuar në kohë[4] gjë kjo që flet për vlerën e saj, derisa Pejgamberi ﷺ na ka ndaluar ta shajmë kohën sepse ajo është vepër e Allahut.[5] Koha është e rëndësishme edhe për zhvillimin e jetës fetare.[6] Duke qenë se koha është vet jeta, atëherë ne jemi të ftuar që ta shfrytëzojmë atë sa më shpejt dhe më shumë që të jetë e mundur. Thirrjet hyjnore për të nxituar në falje dhe në vepra të mira, janë në fakt thirrje për të nxituar në kohë, për ta shfrytëzuar atë, që të mos bëhet vonë,[7] ndryshe do të dëshirojmë ta kthejmë kohën por do të jetë tepër vonë.[8]



3. SI E KANË KUPTUAR TË PARËT TANË KOHËN?

Rrëfimet e të parëve për shfrytëzimin e kohës janë frymëzuese. Nisur nga vlera që i jepnin kohës, ata kujdeseshin shumë për të. Hasan Basriu ka thënë: “Kam takuar njerëz të cilët kanë qenë më kureshtarë për të ruajtur kohën se që jeni ju për të ruajtur paratë tuaja.” Amir bin Kajsit, nga tabiinët, i kishte thënë dikush në rrugë: Eja të bisedojmë pak, ta humbasim kohën. Ai i qe drejtuar: “Po vij, ama më parë ndale diellin që të mos lëviz!” Pra, nëse do të vij me ty ta humbas kohën, ndale kohën mos të ecën, sepse unë nuk kam kohë për të humbur.

Kjo ngase për ta koha ishte vet jeta dhe se, siç është shprehur Hasan Basriu, me kalimin e saj kalon edhe një pjesë e vet njeriut. Së këndejmi, ata konsideronin se janë në një lloj dyluftimi me kohën. Omer bin Abdul Azizi ka thënë: “Dita dhe nata punojnë në ty andaj puno edhe ti në to!” Pra, kalimi i ditës dhe natës nuk është thjesht kalim kohe, është kalim edhe i një pjesë të jetës sate, andaj po nuk nxitove të punosh brenda tyre, ato kalojnë duke të marrë dhe duke të mos dhënë asgjë. Për këtë shkak, transmetohet se Ibn Mes’udi ka thënë: “Nuk jam penduar për diç sikur për një ditë, e cila ka kaluar ndërsa unë nuk kam përfituar asgjë prej saj.” Omeri r.a. ka thënë: “Urrej ta shoh ndonjërin prej jush të kaloj kohën së koti: as i angazhuar me punë të fesë, as i angazhuar me punë të dynjasë.” Një njeri i urtë, siç rrëfehet, ishte pyetur për barrën më të rëndë që bart njeriu ndërsa kishte thënë se është koha e lirë. Imam Shafiu kohën e sjell në formën e një arme, e cila, po nuk e rrëmbeve, të rrëmben. Thotë: I kam shoqëruar sofistët dhe nuk kam përfituar prej tyre vetëm se dy fjalë: ‘Koha është sikur shpata: nëse nuk e pret, të prenë!’ dhe ‘Nëse nefsin nuk e angazhon me të vërtetën, do të të angazhoj ai ty me të kotën.’

Duke qenë se koha ka vlerë të madhe, atëherë shfrytëzimi i saj bëhet në mënyrë të gjithanshme. Për ta kuptuar më drejtë, do të citoj një dijetar mysliman, Ibn Akilin, për të parë se si praktikisht shfrytëzohet koha. Ai ka thënë: “Unë nuk ia lejoj vetes sime ta humbas as edhe një çast nga koha ime. Nëse gjuha ime lodhet duke lexuar dhe diskutuar, nëse sytë më lodhen duke shikuar në libra, atëherë shtrihem për të pushuar dhe duke qëndruar ashtu filloj të meditoj. Kështu, nuk më ndodhë të çohem e të mos e kam idenë se për çfarë do të shkruaj.” Ibn Asakiri, në biografinë e Sulejm bin Ejjub Raziut, përmend: “Më kanë treguar për të se ai e llogariste veten edhe për frymëmarrjet. Nuk linte kohë t’i kalonte pa mos përfituar rrej saj diçka: o shkruante, ose i mësonte të tjerët, o lexonte..” Muhammed bin Thabit Bunani rrëfen: Babi ishte i shtrirë për vdekje ndërsa unë shkova t’ia kujtoj shehadetin. Ndal, më tha, se unë jam në virdin e gjashtë apo shtatë tani.

Për këtë shkak, humbjen e kohës e konsideronin të rëndë. Ibn Kajjimi ka thënë: ‘Humbja e kohës është më e rëndë se vdekja, sepse nëse vdekja të ndan nga dynjaja, humbja e kohës të ndan nga Allahu!’[9]



4. SI TA SHFRYTËZOJMË KOHËN?

Që ta shfrytëzojmë kohën, kemi nevojë për tre gjëra me rëndësi:

1) Nxitimi në punë të mira, pra nuk guxojmë të jemi prej atyre që zvarrisin punët dhe i shtyjnë pafundësisht derisa të vjen vdekja befas e t’i zë.

2) Përzgjedhja e veprave, veçmas atyre që kanë shpërblim të shumëfishuar ose rrjedhës, siç është p.sh. tua mësosh njerëzve diturinë e dobishme.

3) Vazhdimësia në punë të mira sepse, nëse ndodhë shkëputja, atëherë përfundimi mund të jetë i keq ndërsa neve, siç ka thënë Pejgamberi ﷺveprat na vlerësohen sipas mënyrës së përmbylljes së tyre.



5. PENGESA NË RRUGËN E SHFRYTËZIMIT TË KOHËS

Ekzistojnë gjëra të shumta që na pengojnë nga shfrytëzimi i dobishëm i kohës. Ibn Xheuzi përmend ndejat e padobishme në të cilat muhabetet dhe llafet janë përgojim e etiketim. Ai po kështu përmend zvarritjen e punëve për ditët që vijnë, e të cilat nuk e dimë se do t’i arrijmë apo jo.





Përgatiti:
Dr. Sedat ISLAMI






[1] Transmeton Buhariu.

[2] Sajdu-l-Hatir, fq. 241.

[3] Transmeton Muslimi.

[4] Shih kaptinat Asr, Fexhr, Lejl.

[5] Transmeton Muslimi.

[6] Shih ajetin 103 nga kaptina Nisa për faljen e namazit në kohë të caktuar; ajetin 184 nga kaptina Bekare për agjërimin në ditë të caktuara; ajetin 197 nga e njëjta kaptinë për haxhillëkun, i cili kryhet në muaj të caktuar.

[7] Shih ajetin 133 nga kaptina Ali Imran dhe hadithin ‘Shfrytëzo pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para preokupimit me punë dhe jetën para vdekjes.’ Transmeton Hakimi ndërsa Albani e ka konsideruar të saktë.

[8] Shih ajetet 99-100 nga kaptina El-mu’minune dhe hadithin: ‘Jepni lëmoshë para se të mos mund të jepni lëmoshë…’ Hadithin e transmeton Bejhakiu në Essunen el-kubra.

[9] Fevaid, fq. 44.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit