1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

VLERA E DY VARGJEVE TË FUNDIT TË KAPTINËS BEKARE

Më të lexuarat

AmenerresuluVLERA E KËTYRE DY VARGJEVE

Allahu i Lartësuar thotë:

“I Dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të Dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të Dërguarit e Tij dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhrin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë.” Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit jobesimtar!” Bekare: 285-286.

————————————-

Këto dy vargje kanë vlerë të madhe, siç tregon Pejgamberi sal-lAlahu alejhi ve sellemnë fjalët e tij të ndershme. Për vlerën e madhe të këtyre dy vargjeve tregon vendi dhe koha e zbritjes së tyre dhe gjithashtu edhe mënyra se si iu dhanë Muhamedit sal-lAlahu alejhi ve sel-lem. Në të njëjtën kohë, vlerën e tyre e bëjnë edhe më të madhe hadithet që tregojnë shpërblimin për atë që i lexon këto dy citate.

1. Vendi dhe koha kur iu shpallën këto vargje Muhamedit sal-lAlahu alejhi ve sel-lem

Ajo që tregon vlerën e këtyre dy vargjeve është se të Dërguarit të Allahut iu shpallën natën e Miraxhit te Sidretul-Munteha, në një kohë të vlefshme dhe vend të lartë, afër Allahut, qoftë i madhëruar. Nuk ka dyshim se veçimi i këtyre dy citateve, që t’i jepen në këtë vend dhe kohë të ndershme, tregon për vlerën e madhe që kanë ato. Imam Muslimi transmeton në koleksionin e tij autentik nga Abdullah ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut është ngritur në qiell, përfundoi tek Sidretul-Munteha, e cila është në qiellin e gjashtë. Tek ajo përfundon çfarë ngrihet nga toka dhe aty merret e ngrihet larg. Aty ndalet çfarë zbritet nga lart e merret prej aty e zbritet në tokë. Allahu thotë: “Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi.” Nexhm: 16 Tha: “Mbulojë nga ari.” Pastaj shtoi: “Aty iu dhanë Pejgamberit sal-lAlahu alejhi ve sel-lem tri gjëra: pesë kohët e namazit, dy citatet e fundit të sures El Bekare dhe falja e mëkateve të mëdha për atë që nuk i bën shok Allahut nga umeti i tij.”

2. Zbritja e tyre nga një thesar nën Arshin e Allahut të Lartësuar.

Dhënia e këtyre dy citateve Pejgamberit sallAlahu alejhi ve sel-lem nga një thesar i cili gjendet nën Arshin e Allahut, nga i cili nuk i është dhënë askujt asgjë dhe nuk do t’i jepet askujt tjetër ndonjëherë, pa dyshim se tregon për vlerën e madhe të këtyre dy citateve. Transmetohet me zinxhir të saktë nga Hudhejfete ibënul-Jemani, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAlahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Jemi veçuar nga të tjerët me tri gjëra: është bërë toka e tëra për ne vendfalje dhe dheu i saj i pastër, rreshtat e namazlive janë bërë si rreshtat e melaikeve dhe më janë dhënë këto citate, fundi i kaptinës Bekare, nga një thesar nën Arsh, nga i cili nuk i është dhënë askujt para meje dhe as nuk do t’i jepet pas meje.” Pa dyshim se nxjerrja e këtyre dy citateve nga ky thesar, i cili gjendet nën Arshin e Allahut të Lartësuar, tregon për vlerën e madhe që kanë këto dy vargjr dhe për kujdesin e madh që është ushtruar ndaj tyre, duke i veçuar kështu nga citatet e tjera të Kur’anit Fisnik.

3. Zbritja e tyre nga një libër të cilin Allahu i Madhëruar e ka shkruar para se të krijonte qiejt dhe tokën.

Gjithashtu ajo që i veçoi këto dy citate është fakti se ato janë zbritur nga një libër të cilin Allahu e shkroi para se të krijonte qiejt e tokën. Transmetohet nga Nu’man ibën Beshiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sallAlahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Allahu i Madhëruar ka shkruar një libër dy mijë vjet para se të krijonte qiejt e tokën. Zbriti nga ai libër dy citate me të cilat e përmbylli suren El- Bekare. Nuk lexohen në ndonjë shtëpi tri net e të mund t’i afrohet shejtani.”

4. Dërgimi i melekut që nuk kishte zbritur në tokë asnjëherë.

Nga vlerat që gëzojnë këto dy citateve është edhe fakti se Allahu dërgoi një melek nga melaiket e Tij të ndershme, i cili nuk kishte zbritur në tokë kurrë më herët. Ai ka zbritur nga një derë prej dyerve të qiellit, e cila nuk ishte hapur kurrë më herët. I shkoi Muhamedit sal-lAlahu alejhi ve sellem dhe e përgëzoi me to duke i thënë se ato janë dritë që nuk i janë dhënë asnjë Pejgamberi para tij dhe se për çdo shkronjë që lexon do t’i jepet shpërblim. Këtë e mbështesim në atë që transmeton Muslimi nga Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “Derisa ishte Xhibrili ulur tek i Dërguari i Allahut sal-lAlahu alejhi ve sel-lem, dëgjoi një zë lart mbi të, e ngriti kokën dhe tha: “Kjo është një derë e qiellit, u hap sot dhe nuk do të hapet kurrë më përveçse sot.” Pastaj tha: “Përgëzohu me dy dritat që t’u dhanë, të cilat nuk i janë dhënë asnjë Pejgamberi para teje. Ato dy drita janë Fatihatulkitab (Fatiha) dhe fundi i kaptinës Bekare; nuk lexon asnjë shkronjë nga ato që mos të të jepet shpërblimi.” Ky hadith i ndershëm e sqaroi vlerën e këtyre citateve në disa pika:

a) Këto dy citate u përmendën së bashku me Fatihanë, që është surja më e vlefshme e Kur’anit dhe pa dyshim që kjo tregon për vlerën e tyre.

b) Kur u përgëzua Pejgamberi sal-lAlahu alejhi ve sel-lem, u hap një derë qiellore, e cila nuk ishte hapur kurrë më herët. Kjo tregon për veçorinë e asaj që zbritet.

c) Zbritja e melekut nga qielli, detyra e të cilit ishte përgëzimi i të Dërguarit sal-lAlahu alejhi ve sel-lem, tregon vlerën e këtyre dy citateve sepse përgëzimi me diçka tregon vlerën e tij, pozitën e lartë të tij dhe gjithashtu gëzimin e madh që ndien i përgëzuari.

d) Cilësimi i saj dhe i Fatihasë si dy drita është cilësim i madh, që do të thotë se çdonjëra prej tyre i bën dritë lexuesit të saj dhe e udhëzon rrugës së drejtë ashtu siç udhëzon drita me shkëlqimin e saj. Pa dyshim se këto drita e udhëzojnë atë që i lexon këto citate drejt ndjekjes së rrugës së Pejgamberit sal-lAlahu alejhi ve sel-lem dhe rrugës së shokëve të tij, Allahu qoftë i kënaqur me ta, drejt besimit të vërtetë dhe Islamit të sinqertë për Allahun e Madhëruar, drejt nënshtrimit ndaj Tij, kërkimit të faljes së mëkateve dhe dhurimit të mëshirës nga Ai. Këto drita i udhëzojnë njerëzit drejt kthimit tek Allahu në çdo gjendje të tyre.

e) Meleku për to dhe për Fatihanë i tha: “Të janë dhënë ty e nuk i janë dhënë asnjë Pejgamberi para teje.” Kjo do të thotë se nuk i është dhënë shpërblimi i veçantë i tyre, sepse ndryshe nuk do të kishte kuptim, duke qenë se edhe citatet e tjera nuk u janë dhënë Pejgamberëve të tjerë përveç Muhamedit sal-lAlahu alejhi ve sel-lem. Kjo tregon për vlerën e madhe të tyre, që shpërblimet e veçanta që kanë këto dy citate nuk i janë dhënë asnjë Pejgamberi para Muhamedit sal-lAlahu alejhi ve sel-lem.

f ) Fraza “nuk lexon asnjë shkronjë nga to veçse do të të jepet shpërblimi” ka dy kuptime:

1. Nëse fjala harf, shkronjë, ka kuptimin e fjalisë, atëherë kuptimi i hadithit është: Nuk lexon ndonjë fjali nga këto dy citate e të mos të të jepet ajo që përmban kjo fjali. Nëse është lutje, do të kesh përgjigjen e saj dhe nëse është falënderim për Allahun, do të të jepet shpërblimi.

2. Nëse fjala shkronjë ka kuptimin e shkronjave të alfabetit, atëherë kuptimi i hadithit është: Shpërblimet që janë për çdo shkronjë të Kur’anit te këto dy citate janë sigurisht të fituara sepse përndryshe nuk do të kishte ndonjë dallim nga cilido citat tjetër i Kur’anit, pasi, siç e dimë, për çdo shkronjë të Kur’anit shpërblimi është dhjetëfish.

Nuk ka ndonjë pengesë që këto dy kuptime të jenë të sakta.

5. Shpërblimi i lexuesit të këtyre dy citateve.

Për vlerën e këtyre dy citateve tregon edhe hadithi që transmeton Buhariu në koleksionin e tij autentik nga Ebu Mes’ud Ukbete ibën Amër el Ensarij el Bedrij, se i Dërguari i Allahut sallAlahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush i lexon dy citatet e fundit të kaptinës Bekare në një natë, do t’i mjaftojnë.” Lajmërimi i Pejgamberit sal-lAlahu alejhi ve sellem, se kush i lexon këto dy citate në një natë, do t’i mjaftojnë, tregon për vlerën e madhe që gëzojnë këto dy citate. Mirëpo Muhamedi sallAlahu alejhi ve sel-lem nuk ka veçuar se për çfarë i mjaftojnë këto dy citate, por i ka lënë të përgjithshme. Për këtë arsye, shohim se komentuesit e haditheve kanë dhënë mundin e tyre që të tregojnë se cila është ajo gjë që do t’i mjaftojë lexuesit, nëse i lexon këto dy citate. Rezultati i të gjitha mendimeve është se i mjaftojnë duke e ruajtur nga çdo e keqe e shejtanit dhe ndihmësve e pasuesve të tij nga xhinët dhe njerëzit. Gjithashtu i mjafton edhe shpërblimi i përgatitur për lexuesin e tyre dhe pranimi i lutjes së tij. Ato i mjaftojnë edhe në çështje të bindjes sepse përfshijnë besimin dhe veprat në mënyrë të përgjithshme.

Pra, këto dy citate i përmbledhin të gjitha këto, me lejen e Allahut të Madhëruar, e nuk ka kufi për dhuntitë dhe të mirat e Allahut, qoftë i lartësuar.

Marrë nga Revista e Universitetit Islamik të Medinës nr. 132, 1426 h. Shkroi Dr.Imad Ibën Zuhejr Hafidh Profesor në Fakultetin e Kur’anit në UI të Medinës.

Përshtati: Mr, Fidan XHELILI

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit