-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Vlera dhe rëndësia e diturisë

Më të lexuarat

Marrë nga hytbja e shejh Uthejminit, Allahu e mëshiroftë!

Falënderimi i takon Allahut, i Cili e ka bërë njeriun të kuptojë. Kujt ia do Allahu hairin, i mundëson ta kuptojë fenë. E falënderojmë Atë të Cilin e ka ngritur dijetarin mbi të tjerët. Dëshmojmë se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut, i Cili është Një, që ka dëshmuar për Veten e Tij se është Një dhe kanë dëshmuar melaiket e dijetarët prej besimtarëve. Dëshmojmë se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij, i dërguar për udhëzim te të gjithë njerëzit dhe xhinët dhe argument për robërit në përgjithësi. Dërgojmë salavat mbi Pejgamberin dhe familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë ata deri në Ditën e Kiametit.

Kini frikë Allahun dhe bëhuni të kuptueshëm në fenë tuaj, se atij që ia do Allahu hairin, ia mundëson ta kuptojë fenë. Të kuptuarit në fe është ta dish me argumente se çfarë ka zbritur Allahu mbi të Dërguarin e Tij për sa i përket ahkamve dhe se ç’ka të bëjë me shpërblim për atë hukëm dhe ndëshkimin e mospërfilljes së tij. Me këto njohuri do ta adhurosh Allahun. Prej diturisë kanë dobi robërit e Allahut në adhurimin e tyre, në punët e vogla e të mëdha dhe s’ka dyshim se ky është hair i madh. Me të kuptuarit e fesë, Allahu të ngre në shkallë të larta dhe punët e tua do të ecin në këtë jetë dhe pas vdekjes. Me të kuptuarit e fesë do të jesh trashëgimtare e Pejgamberëve, me të kuptuarit e fesë do të të lehtësohet rruga për në xhenet dhe për takimin me Zotin e qiejve e të tokës. Me të kuptuarit e fesë njeriu bëhet ndër dijetarët, të cilët ia kanë frikën Allahut dhe janë më të mirët në adhurimin e Allahut. Kërkuesin e dijes e mbulojnë melaiket me kraharorët e tyre duke ia bërë të dashur atë që është duke kërkuar.
Transmetohet prej Ebu Derdas, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Kush merr rrugë për kërkim të dijes, ia lehtëson Allahu rrugën atij për në xhenet dhe melaiket i vendosin kraharorët e tyre për kërkuesin e dijes duke dashur për atë që është duke bërë. Me të vërtetë për dijetarin kërkon falje çdo gjë që është në qiej dhe tokë, madje edhe peshku në ujë.”
Dallimi mes dijetarit dhe njeriut të thjeshtë është si dallimi mes Hënës dhe yjeve të tjerë dhe se dijetarët janë trashëgimtarë të Pejgamberëve, se me të vërtetë Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgim dinarë e as dërhemë, por dituri.
Dije se nëse ti bëhesh sebep që të punojë dikush me dijen tënde, do të kesh shpërblim për këtë, për çdo vepër të saj, duke mos humbur asgjë ajo. Në Musnedin e Imam Ahmedit transmetohet prej Kabisit, i cili thotë se shkoi te Pejgamberi alejhi selam e ai i tha: “Ç’të pruri ty?” I tha: “Më shkuan vitet, është ligështuar ashti dhe erdha që të më mësosh diçka që më bën dobi tek Allahu.” Pejgamberi alejhi selam i tha: “O Kabis, nuk kam ecur afër çdo guri e peme përveçse kanë kërkuar falje për ty.”
Këto hadithe dhe të ngjashme me to tregojnë rëndësinë e diturisë së sheriatit, mësimin e saj dhe t’ua mësosh të tjerëve. Si të mos jetë rëndësia e diturisë e tillë kur me të ruhet feja e të Dërguarit alejhi selam? Si të mos jetë në këtë vend të lartë kur me këtë arrin çdo të mirë?
Dije, Allahu të mëshiroftë, se nëse je i pranishëm në një ulje të diturisë dhe ke mësuar një mesele, ke punuar me atë dhe ia ke mësuar motrave të tua, me këtë ke bërë një hair të madh dhe të vjen shpërblimi. Është një punë e madhe prania në uljet e diturisë dhe mos mendo se nuk ka rëndësi të madhe. Allahu do t’i llogarisë të gjitha veprat edhe nëse janë të vogla dhe nuk i bëhet padrejtësi aspak askujt.
i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Transmetoni nga unë, edhe nëse është një ajet.”
Kërkoj strehim tek Allahu nga djalli i mallkuar: “Kush është më fjalëmirë se ai që thërret në Allahun dhe punon mirësi dhe thotë unë jam prej muslimanëve.”
Dije se është shtuar padituria dhe është shpërndarë shumë, janë pakuar dijetarët dhe kjo është për të të ardhur keq, por ky umet nuk do të shkëputet prej trashëgimisë së Pejgamberëve e kjo është mirësi e madhe. Për të mos rënë në këtë fatkeqësi, duhet të ndjekim sa më shumë uljet e dijes, ashtu siç ka thënë Pejgamberi alejhi selam: “Aty ku tubohen, bashkohen njerëzit në një shtëpi prej shtëpive të Allahut dhe lexojnë librin e Allahut dhe e mësojnë atë mes tyre, u ka zbritur atyre qetësi e rehati dhe i ka mbuluar mëshira.”
Pejgamberi Muhamed alejhi selam ka thënë: “Kujt ia do Allahu hairin, e bën ta kuptojë fenë.”
O njerëz, lypni dijen dhe hairin, kapuni pas rrugës së xhenetit, lypni dijen që ka lënë trashëgimi Pejgamberi ynë para se të vdiste, që të largohet injoranca prej nesh, punoni për të mësuar dituri, se është krenari në këtë botë dhe shpërblim në ahiret. Kur vdes njeriu, ndërpriten punët e tij, përveç tri: lëmosha e rrjedhshme, dija prej së cilës kanë dobi njerëzit dhe fëmija i mirë që bën dua për të. Selefu salih, Zoti qoftë i kënaqur me ta, e kanë dhënë pasurinë e tyre dhe e kanë harxhuar energjinë e tyre për të fituar dije, që t’i bëjnë umetit dobi dhe kështu i ka ngritur Allahu në dynja dhe ahiret. Xhabir bin Abdullahu ka udhëtuar një muaj për tek Abdullah bin Unejsi për një hadith. Kjo ka qenë gjendja e tyre. Thotë Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Kemi qenë unë dhe komshiu im prej ensarëve jashtë Medinës dhe kemi bërë që të zbresim me radhë në Medinë te Pejgamberi alejhi selam. Nëse kam zbritur unë, i kam prurë atij atë që ka zbritur nga vahji e që ka thënë Pejgamberi alejhi selam e kështu ka vepruar edhe ai.” Kjo ka qenë gjendja e selefit, ata kanë udhëtuar shumë dhe kanë përballuar vështirësi, janë ndërruar me njëri-tjetrin për të arritur dijen prej së cilës është i kënaqur Allahu. Ka ardhur në hadith se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “O Ebu Dherr, nëse mëson një ajet nga libri i Allahut është më hair për ty se të falësh njëqind rekate dhe se të mësosh një kapitull të dijes, punove me të apo nuk punove, është më mirë se të falësh një mijë rekate.”
Ka thënë Imam Ahmedi: “Kërkimi i dijes është vepra më e mirë për atë që ka pastruar nijetin.” Ai ka thënë gjithashtu se dija nuk barazohet me asnjë send.
Nxënia e diturisë ka rrugë të shumta dhe njëra prej tyre është të marrësh një libër me rëndësi, ta lexosh, ta mësosh dhe të pyesësh dijetarët për atë që nuk e kupton. E, kjo është metoda më e lehtë. Mund ta bësh këtë duke qenë në shtëpinë tënde. Metoda e dytë është të jesh i pranishëm në ligjëratat e dijes që jepen nëpër xhami dhe mos ia ço amanetin në vend shejtanit për t’u ndalur nga dituria, se ai i do injorantët. Mos e humbni kohën tuaj me atë që nuk ka dobi, që ta lini atë që është hair për ju. Dëgjoni fjalën e Allahut: “Thuaj a janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?” Dhe ajeti tjetër: “Vërtet ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e tij janë dijetarët.”
Ne si muslimanë duhet të kemi ambicie të larta për kërkimin e kësaj gjëje të lartë, duhet ta kërkojmë diturinë, se ajo është dritë e udhëzim, kurse injoranca është errësirë dhe humbje. Kërkojeni dijen se ajo me iman është ngritje në dynja dhe ahiret. A nuk mjafton fjala e Allahut: “I ngre Allahu ata që besuan dhe ata të cilët u është dhënë dija në grada të larta.”
Kërko diturinë që të thuash të vërtetën para të tjerëve, se gjurmët e diturisë mbesin edhe pas vdekjes tënde. Vallahi dijetarëve të Allahut nuk u kanë humbur gjurmët e tyre dhe kanë qenë të lëvduar nga të tjerët, duke lënë gjurmë në zemrën e besimtarëve dhe përmendja e tyre ka qenë e pandërprerë. Kërko dije duke kërkuar shpërblim vetëm prej Allahut dhe jo që të shpërblehesh në këtë dynja, se vallahi kush e lyp dijen për këtë dynja nuk do ta shijojë erën e xhenetit. Transmetohet nga Ebu Hurejra, se e ka dëgjuar Pejgamberin alejhi selam duke thënë se ndër të parët njerëz që do të llogariten në Ditën e Kiametit është njeriu i rënë shehid. Atij i sillen përpara të mirat që ka bërë, i njeh ato nimete dhe punët e njohin atë. I thuhet se përse e ke bërë këtë, thotë për Allahun. I thotë Allahu: “Gënjeve, se ke luftuar që të të thonë luftëtar. Të është thënë tashmë kjo.” Urdhërohet që të kapet për këmbësh duke e tërhequr me fytyrë për toke derisa të futet në zjarr. E tjetri është njeriu që e ka mësuar dijen dhe ua ka mësuar të tjerëve dhe e ka lexuar Kuranin. I sillen përpara të mirat që ka bërë, i njeh ato nimete dhe punët e njohin atë. I thuhet se përse e ke bërë këtë, thotë për Allahun. I thotë Allahu: “Gënjeve, se ke mësuar që të të thonë dijetar. Ke lexuar Kuranin që të të thonë lexues. Të është thënë tashmë kjo.” Urdhërohet që të kapet për këmbësh duke e tërhequr me fytyrë për toke derisa të futet në zjarr. I treti është njeriu që i janë dhënë të gjitha llojet e pasurisë. Pasuria i sillet përpara, i njeh të mirat që ka bërë dhe punët e njohin atë. E pyet Allahu përse e bëre këtë, thotë për ty. Thotë Allahu: “Gënjeve, se e ke bërë që të të thonë bujar. Të është thënë tashmë kjo.” Urdhërohet që të kapet për këmbësh duke e tërhequr me fytyrë për toke derisa të futet në zjarr.
Kërkoje dijen që të largosh nga vetja injorancën. Allahu ju ka nxjerrë nga barqet e nënave tuaja duke mos ditur ju asgjë dhe ju ka dhënë të dëgjuarit, të parit dhe të folurit, që ta falënderoni Allahun. Dije se nuk merret dituria përveçse me të mësuar, kërkoje atë që të largosh nga robërit e Allahut injorancën, që të shpërndahet dija mes krijesave, se mbi dijetarët qëndron obligimi për shpërndarjen e dijes. Ka thënë Pejgamberi alejhi selam: “Transmetoni nga unë, edhe nëse është një ajet.” Dhe ka thënë Muhamedi salallahu alejhi ue selem: “I tregon ai që është prezent atij që nuk është prezent.”
Kërkoje dijen që të ruash sheriatin e Allahut, se sheriati ruhet me dy gjëra, me shkrim dhe me ruajtjen në gjoks. E kjo është dituria. Kërko dijen që të mbrosh sheriatin e Allahut, se mbrojtja e sheriatit bëhet me besimtarët e tij.
Si ngrihet një bidatxhi ose një mohues i Allahut apo një që i ndryshon cilësitë e Allahut duke thirrur njerëzit në humbje në një popull ku nuk ka dije? A mund ta bëjë të qartë humbjen e tij dikush dhe ta ruajë sheriatin prej armiqve të tij? Si mund të çohet ky i humbur e t’i thërrasë njerëzit në humbjen e tij kur përreth tij ka libra të hakut, të udhëzimit? Ç’do të bëhet, a do të ketë sukses ky njeri? Jo, vallahi! Edhe një libër i vogël do të bënte të qartë humbjen e tij, do ta përulte armiqësinë e tij. Si të bëjë thirrje në bidatin e tij ky i humbur në mesin e dijetarëve? Do të ngrihen dijetarët me dijen e tyre e do ta bënin të qartë humbjen e tij.
Kërko dijen, që të thërrasësh në rrugën e Allahut, se thirrja në rrugën e Allahut nuk plotësohet përveçse me dituri. Sa e sa persona e kanë emërtuar vetveten thirrës në rrugën e Allahut, por nuk kanë pasur dituri? Nuk plotësohet thirrja e tyre e as nuk është e rëndësishme, ndoshta flet me injorancë e bën dëm me shumë sesa dobi. Allahu i ka thënë Pejgamberit alejhi selam: “Thuaj se kjo është rruga ime, unë ju ftoj drejt Allahut me dije të sigurt, unë dhe kushdo që më ndjek mua. I lartësuar është Allahu e unë nuk jam prej mushrikëve.”
O besimtar, dije se kërkimi i dijes është prej punëve më të mira e sidomos në kohën tonë, kur janë shumuar kërkuesit e dynjasë, është shtuar leximi i dijes, por mungon puna, se fryti i dijes është puna dhe thirrja në Allahun. Ai që nuk punon me dijen e tij, dija e tij është e kotë, ai që nuk i thërret njerëzit në të, e ka dijen e mangët, se kush punon me dijen e tij, Allahu ia shton atë. Allahu thotë: “Ndërsa për ata që drejtohen, ai ua shton edhe me shumë udhëzimin e tyre dhe i dhuron atij përkushtimin (në këtë udhë).” Është një thënie që thotë: “Lidhe dijen me punë, ashtu siç është e lidhur dija me shkrimin.” Kërkoje dijen që të punosh me të e të thërrasësh në rrugën e Allahut e jo të bësh polemikë e të shtyhesh me të tjerët, se ai i cili kërkon dije për të nënçmuar mendjelehtët apo që të jetë afër dijetarëve, domethënë që të ngrihet, e ka vendosur veten para dënimit të Allahut dhe e ka zbritur veten në synimet më të ulëta. Mos e kërko dijen për pasuri, se dija është më e vlefshme se pasuria, mos e bëj dijen që të arrish te pasuria, po bëje pasurinë që të arrish te dija, se pasuria harxhohet e dija mbetet.
Na forcoftë Allahu mua dhe ju në atë që kemi obligim për thirrjen në rrugën e Allahut me syçelësi dhe na mundësoftë ta punojmë atë që mësojmë dhe atë që do Allahu, se Ai është që dëgjon dhe di për çdo send! Zoti çoftë bereqet tek unë dhe ju në Kuranin e lartë, paçim gjithmonë dobi nga ajetet dhe përmendja e Allahut! Në fund, e falënderojmë Allahun dhe kërkojmë falje prej tij për gabimet tona për ato që i dimë dhe ato që s’i dimë!

E përktheu nga arabishtja Ujana
Marrë nga hytbja e shejh Uthejminit, Allahu e mëshiroftë!

/klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit