1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Vjedhja, vepër e shëmtuar

Më të lexuarat

VjedhjaLegjislacioni islam e ka lejuar fitimin e pasurisë dhe zotërimin e saj me mjete dhe mënyra të ligjshme, duke i pohuar njëkohësisht njeriut të drejtën e shfrytëzimit të kësaj pasurie. Pohimi i këtyre të drejtave do të thotë se ato janë të mbrojtura dhe të ruajtura nga çdo shkelje sepse përndryshe nuk do të kishte dobi në pohimin e tyre. Në citatet kur’anore dhe në ato të hadithit gjejmë edhe konfirmimin e kësaj që themi. Nga këto argumente janë fjalët e Allahut subhanehu ve teala:

“Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht! Dhe mos u bëni mitëdhënës te gjykatësit për t’ua përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe me vetëdije njerëzve një pjesë të mallit.” (El-Bekare: 188)

“O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm…” (En-Nisa: 29)

Këto dy citate tregojnë për moslejimin në asnjë mënyrë të shkeljeve të të drejtave të pasurisë, duke përfshirë të gjitha llojet e kundërvajtjeve ndaj këtyre të drejtave. Allahu do që bashkësia njerëzore të bëjë një jetë të ndershme, të sigurt dhe të qetë, ku çdo njeri të ketë siguri për veten, nderin dhe pasurinë e tij. Për këtë shkak, Allahu e ka ndaluar armiqësimin ndaj njerëzve, nderit dhe pasurisë së tyre. Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Për muslimanin është i ndaluar gjaku, pasuria dhe nderi i muslimanit.” Përveç kësaj, i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në tubimin më të madh njerëzor, në haxhin lamtumirës, ka thënë: “Me të vërtetë, gjaku juaj, pasuria juaj, nderi juaj janë të ndaluara siç është e ndaluar kjo ditë, në këtë vend, në këtë muaj…” (Mutefekun alejhi nga hadithi i ibën Abasit radijallahu anhuma.)

Të gjithë muslimanët pa përjashtim janë në konsensus se marrja e pasurisë së njerëzve dhe ngrënia e saj në mënyrë të padrejtë nuk lejohet . Kjo tregon se sa i ruan dhe i mbron sheriati islam të drejtat e njerëzve nga padrejtësitë, shkeljet dhe të gjitha llojet e armiqësive.

Jo vetëm kaq, por Islami ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurisë e ka bërë një nga pesë gjërat e patjetërsueshme, ruajtja e të cilave është obligim. Njëra nga mënyrat që e shkatërron pasurinë dhe përmes së cilës kriminelët ua marrin pasurinë njerëzve është vjedhja.

Përkufizimi i vjedhjes është marrja e pasurisë së tjetrit në mënyrë të fshehtë nga një vend i ruajtur. Shumë citate na tërheqin vërejtjen dhe kërcënojnë kundër veprimit të kësaj vepre. Kur i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem merrte besatimin e atij që hynte në Islam, kërkonte nga ai gjëra madhështore dhe këtu hynte edhe largimi nga çdo lloj armiqësie ndaj pasurisë së njerëzve, siç thuhet në hadithin e Ubadete ibën es-Samitit: “Ishim tek i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe na tha: “Ma jepni besën që nuk do t’i bëni shok Allahut asgjë, nuk do të vidhni dhe nuk do të bëni kurvëri.”

Allahu tregon besatimin e të Dërguarit ndaj grave kur thotë: “O Profet, nëse vijnë te ty besimtaret e të betohen se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të kurvërojnë, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajuar nga ato vetë dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje betimin e tyre dhe lutju Allahut t’i falë. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (El Mumtehine: 12)

Vjedhja e shpie vjedhësin në zjarr, Allahu na ruajttë. Në hadithin e Kusufit (namaz që bëhet me rastin e eklipsit të Diellit apo të Hënës), Xhabiri radijallahu anhu thotë: “I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ma afruan zjarrin afër, kur më patë se u largova nga frika se mos më kaplonte zjarri, derisa pashë njërin që kishte një kërrabë dhe bartte me vete zorrët në zjarr. Ai vidhte haxhiun me kërrabën e tij. Nëse e vërente (haxhiu), i thoshte “më është lidhur kërraba për rrobe”, por nëse nuk e vërente, vidhte atë që donte.”

Vjedhja është nga mëkatet e mëdha dhe ai që e bën kërcënohet me zjarr. Imam Dhehebiu e ka renditur vjedhjen në vendin e njëzetetretë.

Vëllezër të ndershëm besimtarë!

Në këtë vepër bie vetëm ai që ka besim të dobët dhe nuk i frikësohet mbikëqyrjes së Allahut, pasi besimtari që është besnik në besimin e tij jo vetëm që nuk e bën këtë vepër, por nuk i shkon aspak në mendje të vjedhë. Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk bën zina zinabërësi dhe gjatë zinasë të jetë besimtar. Nuk pi alkool dhe gjatë pirjes të jetë besimtar dhe nuk vjedh e gjatë vjedhjes të jetë besimtar…”

I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem na ka treguar se Allahu e ka mallkuar hajdutin. Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu e ka mallkuar hajdutin…”

Përmes gjuhës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, Allahu e ka mallkuar atë që e shtrin dorën e shtrenjtë e të çmuar për të vjedhur gjëra të thjeshta e të ulëta, duke e hidhëruar Allahun tebareke ve teala.

Kjo që u përmend është dënimi i hajdutit në botën tjetër nga Allahu i Madhëruar, por pasi vjedhja ka të bëjë me marrjen e pasurisë së tjetrit pa të drejtë, atëherë Allahu ka vendosur rregull dhe dënim për vjedhësin edhe në këtë botë. Ky dënim është prerja e dorës.

Allahu thotë në Kur’an: “Vjedhësit dhe vjedhëses ua pritni duart, si ndëshkim për atë që kanë bërë dhe si dënim nga ana e Allahut. Allahu është I Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Maide: 38)

Pra, ai që kapet duke vjedhur dhe i plotëson kushtet e prerjes së dorës, atëherë udhëheqësit e atij vendi duhet ta zbatojnë këtë urdhër të Zotit. Ky rregull zbatohet në ato vende ku gjykohet me ligjin e Allahut dhe nuk duhet të kujtojmë se kushdo që kap ndonjë vjedhës ka të drejtë ta gjykojë, pasi ekzekutimi i ndëshkimit është e drejtë vetëm e udhëheqësve. E, nëse ata nuk e zbatojnë, atëherë mëkati bie mbi ta.

Siç dihet, armiqtë e fesë përherë janë munduar dhe mundohen ta paraqesin Islamin si një fe të vrazhdë dhe me ligje të prapambetura e të rënda për njerëzit. Këtu kanë futur edhe prerjen e dorës së atij që vjedh. Për këtë arsye, ne themi:

Së pari, prerja e dorës së hajdutit është e vërtetuar me Kur’an, me Sunnet dhe me konsensusin e muslimanëve, pra është një gjykim dhe një vendim për të cilin muslimanët nuk kanë kundërshtime.

Së dyti: Sa u përket shpifjeve ndaj Islamit dhe sidomos ndaj këtij gjykimi, ne themi se Zoti është i Gjithëdijshëm dhe Mëshirues, prandaj çdo ligj dhe çdo vendim që ka caktuar për robërit e Tij në Kur’an apo në Sunnet është për të mirën e njeriut dhe s’ka dyshim për këtë, edhe pse në sytë e njerëzve duket i rëndë dhe i papërballueshëm. Kjo u ngjan medikamenteve që mjeku i jep pacientit. E dimë mirë se medikamenti është i rëndë apo i lehtë në bazë të sëmundjes; nëse sëmundja është shumë e rëndë, atëherë edhe medikamenti është i rëndë dhe mund të shkaktojë ndonjë sëmundje tjetër, por më pak të rrezikshme se ajo që ka. E njëjta gjë vlen edhe për çështjen e vjedhjes. Kur e dimë se vjedhja është shkelje e diçkaje të shenjtë dhe të rëndësishme për njeriun, d.m.th. shkelje e pasurisë së tij, atëherë njeriu do ta mbrojë atë me çdo kusht, madje edhe me jetë. Që të mos arrihet deri te kjo gjendje, kur njerëzit të vriten mes tyre për shkak të pasurisë, Zoti i Mëshirshëm ka vendosur këtë rregull, i cili është i rëndë për hajdutin, por i drejtë dhe i arsyeshëm sepse asnjë ligj tjetër nuk do t’i ndalte hajdutët dhe kriminelët nga kjo vepër e shëmtuar. Për këtë dëshmon ajo që shohim sot në botë dhe që e jetojmë edhe në vendin tonë.

Nuk ka ditë që të mos dëgjojmë për thyerje dyqanesh dhe vjedhje shtëpish, por edhe vjedhje më të rrezikshme si vjedhja e bankave. Është e qartë se pasuria është e aq dashur për hajdutët, sa të rrezikojnë shumë dhe të vjedhin edhe bankat, ndonëse dihet se aty ka masa të forta sigurie. Shtrohet pyetja: Çfarë e shtyu hajdutin apo grabitësin që të mos ketë frikë e të vjedhë pasurinë e njerëzve pa të drejtë? Dy janë gjërat që e kanë shtyrë dhe nuk ka të tretë: dashuria e madhe për t’u pasuruar dhe dënimi i lehtë për atë që kapet duke vjedhur.

Që pasuria është e dashur dhe e rëndësishme për njeriun nuk do ta diskutojmë sepse pasuria është shkak për një jetesë më të mirë, por do të përqendrohemi te dënimi i lehtë ndaj hajdutit. Dikush mund të thotë se kjo nuk është e vërtetë, pasi dënimi për të është i rëndë edhe te ligjet e tjera. Po pyesim, sa është dënimi më i rëndë për një vjedhje të rëndë? Dy vjet, tre vjet, pesë vjet, a arrin më shumë se dhjetë vjet burgim? Atëherë themi se ky ligj dhe ky vendim, edhe pse është i rëndë, prapëseprapë nuk arrin t’i ndalojë njerëzit nga synimet e tyre të këqija për t’u pasuruar përmes vjedhjes. Arsyet janë këto:

1) Dënimi është i lehtë dhe jo i dhimbshëm për hajdutin.

2) Ligji për pagesën e burgimit, që është një arsye shumë e madhe që njerëzit të vjedhin edhe më shumë.

3) Jetesa e mirë në burg, pasi hajduti nuk mërzitet kur futet në burg sepse bën jetë të mirë, prandaj preferon që të rrezikojë të pasurohet përnjëherë përmes vjedhjes. Nëse jo, atëherë nuk e sheh si shumë të keqe jetën në burg. Por sikur ta dinte se do t’i pritej dora po të kapej, atëherë nuk do të guxonte të vidhte, madje as mendja s’do t’i shkonte.

Ka edhe shumë gjëra për t’u thënë, por dua ta përfundoj duke theksuar se nëse sheh ligjet e tjera, përpos ligjit të Allahut, sheh se nuk e kanë mbrojtur të drejtën e pasurisë, por vetëm sa kanë nxitur që të ketë më shumë vjedhje dhe shkelje me dënimet e tyre të lehta, të cilat madje nuk i kanë zbatuar. Ata nuk e kanë realizuar qëllimin e vendosjes së këtyre dënimeve, pasi e kanë rrezikuar dhe dëmtuar më shumë pasurinë e njerëzve.

Në anën tjetër, shohim se ligji dhe vendimi i Islamit për hajdutin është një ligj i drejtë dhe i mëshirshëm për njerëzit sepse bën që pasuria e njeriut të jetë e ruajtur dhe njerëzit të jetojnë në rehati e begati. Kjo ndodh sepse ky ligj është nga Allahu i Mëshirshëm dhe i Gjithëdijshëm, që di atë që është e dobishme dhe e dëmshme për robërit e Tij.

Këtë e ka dëshmuar edhe historia islame, pasi gjatë kohës së kalifatit islam vjedhja nuk ka ekzistuar si dukuri, por vetëm në raste të rralla. Kjo ka vazhduar deri në kohët e vona, saqë njerëzit në kohët e namazit shkonin në xhami për t’u falur duke lënë mallin dhe dyqanet hapur sepse nuk kishin frikë se do të vidheshin. Ky është Islami madhështor, që me ligjet e veta bën që njerëzit as të mos mendojnë për vepra të shëmtuara. Por kur shumë vende islame filluan të ndjekin perëndimorët në ligjet e tyre, atëherë të njëjtat dukuri që ishin tek ata filluan të përhapeshin edhe te muslimanët. Allahu është mbrojtësi më i mirë.

E lusim Allahun e Madhëruar që t’i largojë të rinjtë tanë nga droga, alkooli, prostitucioni, vjedhja dhe t’i largojë nga çdo vepër e keqe dhe e lusim Atë që t’i drejtojë në rrugën e drejtë, në mënyrë që të jetojnë krenarë dhe të lumtur në këtë botë dhe të jenë krenarë dhe të lumtur edhe nesër para Allahut!

Amin!

Përmblodhi dhe përshtati: Mr Fidan XHELILI

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit